Ndryshe në seancën e së shtunës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfunduan punën me votimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe betimin e deputetëve.

Gjatë seancë të së shtunës dy herë deputetët dështuan të zgjidhnin Albulena Haxhiun, kryeparlamentare. Haxhiu, ka deklaruar se do të jetë sërish emri i propozuar nga subjekti i saj për pozitën e kryetares së Kuvendit pavarësisht dy tentimeve të dështuara në seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë, për shkak të mungesës së votave të nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një deklarate për media, vlerëson se e njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen e saj për atë kandidaturë. Sipas PDK-së, ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas votimit të mandateve të deputetëve, kishte thënë se është parë situata me numrat për formimin e institucioneve dhe arsyet e bllokimit.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, theksoi nevojën urgjente për ndërtimin e institucioneve funksionale në vend.