10.9 C
Prizren
E diel, 11 Maj, 2025

Raportimi i kronikës së zezë, raportimi me ndjeshmëri – Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Nga Musa Sabedini

Po i referohem vetëm disa rasteve të fundit siç ishte vrasja e policit Muhamet Lika, të rastit tragjik të dizajnerit Festim Isufi dhe të disa rasteve tjera të plagosjeve e therjeve me thikë, të cilat janë të mjaftueshme, për ta alarmuar në rrafshin profesional mungesën e etikës në raportime të tilla, me ndjeshmëri. Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.
“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t’u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”.(David Randall).

Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.

Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.

Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.

Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda.

Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar.

Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni.

Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.

Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.

Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.

Raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.

Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.

Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria.

Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë.

Therjet me thikë dhe “tentim vrasja”. Pse janë momente të sikletshme për raportim?

Mediet shpesh herë japin lajme për therjen me thikë ndërsa policia gjithmonë i cilëson si “Tentim Vrasje”.
Duhet një vëmendje e posaçme kur jemi tek ky grup i kualifikimit sepse në Prokurori bazohen në rastet e therjes me thikë tek neni 172 i Kodit Penal që i bije cilësimi si “Vrasje e rëndë” dhe lidhet tek neni 28 që ka lidhje me “Tentativa në vrasje”.

Ndikimi i medies në këtë drejtim është thelbësor sepse ndikon pozitivisht në vetëdijesimin e të rinjve dhe grupeve apo bandave për të hequr dorë nga përdorimi i thikës që quhet dhe mjet i ftohtë.

Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Dhuna dhe keqtrajtimet sidomos kur në pyetje janë femrat shpesh në mediet tona marrin hov dhe dimension më të madh. Gazetari është një lloj hetuesi dhe këtu s`kam asnjë dilemë dhe i mbështesë hetimet në çfarëdo fazë, vetëm kur ato të jenë të besueshme dhe mirë të vërtetuara.

Por publikimi i rasteve me foto dhe të dhëna përcjellëse brenda 12 orëve është me rrezik për shumë palë të përfshira.
Mos harroni kur pala e dëmtuar ose personi që ushtron ankesë dhe ndodhet në duart e policisë dhe prokurorisë, mund ta ndryshoj deklaratën gjatë marrjes në pyetje.

Deklarata në polici mund të jepet nën presion ose detyrim dhe më vonë i njëjti ose e njëjta person mund të tërhiqet nga deklarata.

Pra bëhuni të kujdesshëm në verifikimin e çdo lajmi dhe materiali. Besoni zyrtarëve dhe hetuesve, por më shumë besoni dokumenteve të nënshkruara dhe vulosura dhe vëzhgimeve tuaja vetjake dhe të drejtpërdrejta.

Shprehja amerikane: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje”?

Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.

Gazetari normalisht që duhet të ketë interesim për punën e tij dhe duhet t`i kushtojë shumë vëmendje edhe gjërave më të vogla.

Botimi i fotografive paralel me lajmin në mes të dhembshurisë dhe mesazhit përçues?

Shumë lajme në mediet kosovare postohen dhe përcillen edhe me foto, pak minuta ose pas aksidentit apo tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.

Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.

Gjithmonë kemi dilema në pyetjet që parashtron fotografi Garry Bryant i “Desert News”, i cili ofron këtë listë të pyetjeve kur japim imazhe përcjell me lajmin:
– Ky moment a duhet të bëhet publik?
– A do t`u shkaktojë një traumë subjekteve të fotografuar?
– A jam në distancën e duhur për të mos u shqetësuar?
– A po veprojë me dhembshuri? (Philip Patterson, Lee Wilkins,“Etika në media, çështje dhe raste”.
Ne kemi obligim të kujdesemi për të gjitha detajet dhe elementet që raporti apo kronika të mos përshkruhen me shkelje drastike.
Raportimi i kronikës së zezë –

Ballafaqimi me traumat dhe viktimat?

Asnjëherë mos harroni se viktimat dhe njerëzit e traumatizuar kërkojnë një vëmendje bukur delikate edhe në fazën e raportimit po edhe gjatë hetimeve tuaja.
Keni parasysh se shpesh edhe mund të humbni raste të mira për një lajm të mirë dhe ekskluziv, nëse shmangni listën udhëzuese për traumat dhe viktimat.
Një lajm shumë i thjeshtë mund të jetë një pikë kthese për një storie me shumë peshë për publikun. Mirëbesimi dhe kontrolli logjik në pyetjet e shtruara dhe në trajtimin mediatik me shumë korrektësi është fitorja e juaj e parë.

Në udhëzuesin e “Res Publika” thuhet se gjithmonë do ju vijë rasti të gjeni fytyra njerëzore, të vizitoni shtëpitë dhe vendet e punës dhe t’u bëni njerëzve pyetje të pakëndshme për historitë. “Por viktimat mund të jenë të traumatizuar. Ata mund të mos duan të identifikohen dhe të diskutojnë për ngjarjen. Edhe emërtimi i vendit ku jeton viktima mund të krijojë probleme me komunitetin, duke e lënë familjen e viktimës edhe më të pasigurt”.
Disa këshilla që mund të japim janë:
– Trajtojini viktimat me dinjitet.
– Lëreni viktimën t’ju “ftojë” në historinë e vet.
– Lëreni viktimën të diktojë kohën dhe vendosjen e intervistave.
– Jini transparent.
– Merrni pëlqimin e informuar se si do të identifikohet viktima.
– Vendos njerëzoren përpara historisë. Së pari jepni përparësi mirëqenies së viktimës, së dyti historisë.
– Mos e mbingarkoni fillimisht me pyetjet më të vështira.
– Kini empati dhe dëgjoni.
– Ballafaqimi i përsëritur me viktimat e traumatizuara mund të ndikojë tek ju. (https://rm.coe.int/udhezues-praktik-per-mbrojtjen-dhe-sigurine-e-gazetareve/1680a4e081)

Mediet dhe reporterët që mbulojë sektorët problematik ose të ndjeshëm duhet ta zbatojnë në secilin rast që është e mundur Etikën dhe përherë të jenë në shërbim të interesit publik.

Në situatat kritike dhe të raportimit të mangët gjithmonë reagon edhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili merret ekskluzivisht me të drejtat dhe gabimet që bëjnë mediet online. Ekziston një udhëzues që i dedikohet mënyrës së raportimit për incidentet, aksidentet, të arrestuarit dhe të akuzuarit për veprat penale.

Në preambulën e KMSHK-së pika V janë të qartësuar në detaje “kufizimet”.
“Mediet e shkruara nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se diçka e tillë të konfirmohet nga Gjykata. Mediat e shkruara gjatë raportimit për incidente, aksidente apo vepra penale duhet të kenë parasysh prezumimin e pafajësisë për secilin të përfshirë dhe si të tillë duhet ta paraqesin në shkrim/raportim”.

Në librin tim dedikuar enkas situatave të ndjeshme dhe raportimeve delikate :”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, botuar në vitin 2023, kam prezantuar dhe analizuar në hollësi, të gjitha rastet dhe mënyrën e raportimit profesional për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.

 

Më Shumë

Fillon lyerja e shtyllave të ndriçimit publik në zonën qendrore të Prizrenit

Komuna e Prizrenit të hënën ka njoftuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike ka nisur aksion për mirëmbajtjen e infrastrukturës së ndriçimit publik, duke filluar...

Pas triumfit në Big Brother VIP Albania, Gjesti bën hapin e ri për t’u rikthyer në muzikë

Pas triumfit të tij të madh në spektaklin Big Brother VIP Albania 4, duket se suksesi i këngëtarit të njohur Gjesti po merr përmasa...

Lajmet e Fundit