32 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Shejh Kadria – trashëgimtar i shpirtit dervishor dhe i ndërgjegjes kombëtare

Shkruan: Besim Muhadri

Në kujtesën popullore dhe në trashëgiminë historiko-letrare shqiptare, figura të caktuara mbeten të skalitura si bartës të virtyteve të larta shpirtërore dhe të vetëdijes kombëtare. Një ndër është padyshim edhe Shejh Kadria (1854–1903), djali i madh i Dervish Salihut, i cili u shqua si udhëheqës shpirtëror, patriot i vendosur dhe krijues i frymëzuar në traditën e ilahive.

I shkolluar në medresenë e lartë të Prizrenit, Shejh Kadria përfaqësonte atë tipologji të rrallë të dijetarit që ndërthurte dijen fetare me ndjeshmërinë sociale dhe angazhimin atdhetar. Lidhjet e tij të ngushta me Bajram Currin, të trashëguara nga i ati, e vendosën në qendër të zhvillimeve të rëndësishme politike të kohës, sidomos gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Lidhjen e Pejës “Besa-Besë”. Në këtë kuptim, ai nuk ishte vetëm përçues i fjalës së Zotit, por edhe mbrojtës i të drejtës së kombit për liri e vetëvendosje.

Pikërisht ky përkushtim e bëri shënjestër të kundërshtarëve politikë. Më 1903, Shejh Kadria u vra në Gjakovë nga Kadri Çoça, një anëtar i fisit të Kryezinjve, të njohur për qëndrimin e tyre armiqësor ndaj Bajram Currit. Vrasja e tij nuk ishte vetëm një akt politik, por një goditje ndaj një fryme të tërë shenjtërimi që ndërthurte dritën e dijes fetare me idealin kombëtar.

Trashëgimia shpirtërore e Shejh Kadrisë përfshin edhe krijimtarinë poetike të ilahive, një traditë që ai e kishte trashëguar nga i ati, Dervish Salihu. Ndonëse thuhet se ka shkruar shumë illahi, megjithatë, për shkak të rrethanave të ndryshme kohore, ka arritur të mbijetojë vetëm një ilahi, me titull “Mos flini ju dervishë”, e përkthyer nga Dervish Veseli i Rahovecit. Sipas gojëdhënave dhe dëshmive të përçimit të dorës, besohet se kjo poezi është kënduar gjatë ziqrit në varrimin e Sheh Hasanit në Prizren, një ngjarje që për komunitetin mistik të asaj kohe përfaqësonte një humbje të rëndë shpirtërore. Vetë fakti që ilahia e vetme e mbijetuar e Sheh Kadrisë lidhet me këtë çast mortor e ceremonial, i shton një tjetër shtresë përjetimi, duke u bërë jo vetëm thirrje për vetëdije shpirtërore, por edhe një elegji për mikun dhe shehun e ndjerë.

“Mos flini ju dervishë” është më shumë se një këngë devotshmërie – ajo është një thirrje për zgjim shpirtëror, një lament mortor për Sheh Hasanin dhe një reflektim mistik mbi kalueshmërinë e jetës. Kjo ilahi përveç një thirrje për rizgjim të vetëdijes shpirtërore, ajo është edhe një përkushtim ndaj Zotit dhe guxim për të përballuar sfidat e jetës me besim. Vargu i parë, “Çilni sytë, mos flini ju dervishë”, është një ftesë për t’u çliruar nga gjumi shpirtëror – një motiv i përhershëm në letërsinë sufiste që nxit vetëdijesimin dhe reflektimin. Kjo metaforë e zgjimit përsëritet nëpër tërë tekstin si një urdhër moral dhe shpirtëror për të mos u dorëzuar përpara iluzioneve të dynjasë, por për të kërkuar realitetin e amshuar të dijes dhe dritës hyjnore.

Shejh Kadria mbetet në kujtesën historike e shpirtërore të shqiptarëve si një figurë që mishëron dritën e fesë, urtësinë e sufizmit dhe idealet e lirisë. Ai është një trashëgimtar i denjë i rrugës së Dervish Salihut, jo vetëm si bir i tij, por edhe si bartës i një misioni të shenjtë që bashkon botën hyjnore me fatin tokësor të kombit.

Ilahia e tij është një zë që vjen nga thellësia e shpirtit dervishor shqiptar – një zë që fton jo vetëm për përulësi dhe devotshmëri, por edhe për vetëdije kombëtare, që ndriçon një faqe të rëndësishme në kujtesën tonë historiko-letrare.

Marketing

Më Shumë

Gjykata refuzon paraburgimin për 17 të arrestuarit në Prizren – Caktohet arresti shtëpiak për të gjithë

Pas seancës gjyqësore të mbajtur ndaj 17 të arrestuarve për degradim të ambientit në rajonin e Prizrenit, e cila zgjati deri në orët e...

Mjeku Bajram Bajrami përkujtohet me nderime nga Spitali i Prizrenit

Është përkujtuar jeta dhe vepra e Dr. Bajram Bajramit, mjek specialist i internos, i cili ndërroi jetë më 29 maj 2025, në moshën 66-vjeçare. Akademia...

Lajmet e Fundit