Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren i ka bërë thirrje konsumatorëve për përdorim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të ujit të pijes.
Kjo kompani ka theksuar se uji i pijshëm është një resurs jetik dhe i kufizuar, që duhet përdorur vetëm për nevoja esenciale, siç janë konsumimi në familje, higjiena personale dhe pastrimi bazik.
“Apelojmë për vetëdijesim dhe solidaritet qytetar, në mënyrë që të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë, veçanërisht gjatë muajve të verës kur kërkesat rriten ndjeshëm”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Për të parandaluar keqpërdorimet, kompania ka paralajmëruar masa në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si shkyçja e menjëhershme nga rrjeti i ujësjellësit pa paralajmërim, inicimi i procedurave ligjore, dhe gjoba e masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi.
Po ashtu, qytetarët janë inkurajuar që çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit ta raportojnë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të kompanisë. /Telegrafi/
Marketing