22.5 C
Prizren
E enjte, 12 Qershor, 2025

Në Zgatar të Dragashit shënohet 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Për nder të përvjetorit të 147-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në fshatin Zgatar të Dragashit u mbajt manifestimi tradicional “Sofra e Ymer Prizrenit”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore morën pjesë kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, kryesuesja e Kuvendit, Arijeta Skeraj, pjesëtarë të Kabinetit dhe drejtorë komunalë, personalitete nga fusha e artit dhe kulturës, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qytetarë të shumtë.

Para fillimit të programit, fillimisht u vendosën lule tek busti i Ymer Prizrenit në oborrin e shkollës fillore të fshatit Zgatar.

Në hapje të manifestimit, kryetari Xheladini i përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke vlerësuar lart kontributin dhe veprimtarinë e njërës prej figurave më të ndritura të Opojës – Ymer ef. Zgatarit, i njohur si Ymer Prizreni, si njërin nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, simbol i unitetit dhe përkushtimit ndaj lirisë dhe së ardhmes së kombit. Ai shtoi se qeverisja komunale do të jetë përherë pranë poetëve dhe artistëve që me veprat e tyre synojnë ruajtjen, promovimin dhe nderimin e historisë sonë të lavdishme.

Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe organizatori nga OJQ “Kroi i Macës”, Abaz Qengaj, dhe drejtoresha e DKRS-së, Liridona Misinaj.

Përveç poezive të recituara nga poetë të ardhur nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, në këtë manifestim performuan edhe grupet artistike të ShKA “Bresana” dhe ShKA “Opoja”.

Manifestimin e bëri edhe më të veçantë pjesëmarrja e poetit nga Ukraina, Volodomir Martinov, me shoqërueset e tij: Marina Zhivotkov, Isksana Çikauski dhe Viktoria Kajdas, të cilët u nderuan me çmime speciale nga organizatorët dhe krerët e qeverisjes lokale.

Përveç tyre, çmime speciale morën edhe poetët/et Myrvete Dragaj, Xhyhere Vezaj-Maçkaj dhe Qemal Mehmeti. Ndërkaq, çmimet kryesore shpërplyese i fituan poetët Sadik Idrizi, Flora Peci dhe Lan Qyqalla.

Manifestimi përfundoi me një koktel rasti në oborrin e shkollës. Më pas, kryetari Xheladini i priti edhe në zyrën e tij mysafirët nga Ukraina, të cilët i falënderoi për pjesëmarrjen e tyre në “Sofrën e Ymer Prizrenit”./PrizrenPress.com

Marketing

Më Shumë

Shejh Kadria – trashëgimtar i shpirtit dervishor dhe i ndërgjegjes kombëtare

Shkruan: Besim Muhadri Në kujtesën popullore dhe në trashëgiminë historiko-letrare shqiptare, figura të caktuara mbeten të skalitura si bartës të virtyteve të larta shpirtërore dhe...

Dështon edhe përpjekja e 30-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Për herë të 30-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga...

Lajmet e Fundit