11.8 C
Prizren
E martë, 21 Tetor, 2025

Qazim Thaçi – Zëri poetik nga Prizreni që mban gjallë kujtesën kombëtare

Nga Nexhbedin Basha
Gazetar & poet
Qazim Thaçi, poet dhe gazetar nga Prizreni – qyteti që shpesh quhet “kryeqyteti historik i shqiptarëve” dhe Ambasadot i Çaqes së Kosovës, – është një nga zërat më të përkushtuar të letërsisë bashkëkohore kosovare.
I lindur më 11 prill 1958, ai ka mbi tri dekada përvojë në gazetari, ndërsa krijimtaria e tij letrare përfshin poezi me tematikë të theksuar kombëtare, historike dhe shpirtërore.
Veprimtaria e Thaçit është dëshmi e bashkëveprimit ndërmjet gazetarisë dhe poezisë, realitetit dhe artit, ku fjala shërben njëkohësisht si dokument dhe si këngë. Krijimtaria e tij është vlerësuar në konkurse letrare dhe ka zënë vend të denjë në letërsinë bashkëkohore shqiptare, me një vizion që mbështetet në katër shtylla: kujtesën, lirinë, sakrificën dhe vazhdimësinë.
Kushtetuta e gjakut dhe rrënjët e lirisë
(Analizë mbi poezinë “Ajkë e Mjaltë” nga Qazim Thaçi)
Poezia “Ajkë e Mjaltë” e poetit Qazim Thaçi është një himn i fuqishëm për figurën e Ukshin Hotit dhe përmes tij, për të gjithë ata që u flijuan në emër të lirisë dhe të drejtës. Në qendër të saj qëndron ideja e sakrificës që nuk shuhet me kohën, por mbetet e gjallë në kujtesën e një kombi që nuk përkulet.
Autori përshkruan dhembjen si një ndjenjë e përhershme që nuk njeh kufij kohorë – ajo “frymon në katër udhë të motit”, duke e bërë të qartë se lufta për liri është një proces i pandërprerë, i ngulitur thellë në shpirtin kombëtar.
Një nga figurat më të spikatura është “zëri i lirisë, si këmbanë në mjegull”, që përçon idenë se edhe në kohët më të errëta, liria ka zërin e saj, një zë që ngjall shpresë dhe vetëdije. Po kështu, imazhi i “rrënjëve që pinë gjak të shenjtë” bart në vete një simbolikë të thellë të flijimit që e ushqen identitetin kombëtar — një ushqim i dhimbshëm, por i domosdoshëm për qëndrueshmërinë e përkatësisë.
Ndër simbolet qendrore është Kushtetuta e Ukshin Hotit, që përshkruhet si “gur themel”, duke e ngritur jo vetëm si një dokument juridik, por si simbol të qëndrueshmërisë, parimit dhe drejtësisë në themelet e shtetit shqiptar.
Ja si shprehet autori:
Zëri i lirisë, si këmbanë në mjegull,
mat dhembjen me fije drite,
si kumt që zgjon rrënjët e gurit nën hijen e maleve të pashtershme.
Anekënd fushave bie dushku,
edhe para se vjeshta të marrë frymë,
si dëshmi se dhembja s’ka stinë
ajo frymon në katër udhë të motit,
në katër frymë të njeriut që s’përkulet.
Gjuha e poezisë është e pasur me metafora dhe imazhe të fuqishme që ndërthurin natyrën me historinë, duke krijuar një gjuhë poetike të ngarkuar me emocione dhe vlera shpirtërore. Figura si “kënga që rritet në legjendë” dhe “kafkat e legjendave që flasin me gjuhën e artë të sakrificës” i japin dimension epik veprës, duke ngritur kujtimin mbi një piedestal të përjetësisë.
Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "Qazim Qazim Thaci Poezi Poezi A MUND DILETNGA DILET NGA KURZGJCHEN MSTAFORAT QazimThaçi Qazim Thaçi RUAJU HARRIMIT"
Në përfundim, kjo poezi nuk është vetëm një përkujtim, por një thirrje e heshtur që zgjat nga e kaluara në të ardhmen. Ajo kujton se liria është e shenjtë, por asnjëherë e dhuruar — ajo fitohet dhe ruhet me rrënjë të thella në dhembje, në qëndresë dhe në gjakun e atyre që s’u përkulën.
Lidhja personale me Kosovën
Poezia e Thaçit më lidhi fort edhe me rrënjët e mia. Që fëmijë kam ëndërruar për pavarësinë e Kosovës. Që nga vitet 1981 kam shkruar tregime dhe poezi kushtuar Kosovës dhe figurave të saj – nga Adem Jashari, komandanti legjendar, te Afrim Bonjaku, heroi i rënë në Mitrovicë kundër terrorit serb. Në kërkimin e rrënjëve të fisit tim, Basha, kam zbuluar përputhjen e gjakut tim me tokën e Kosovës, sidomos me Drenicën, e fshatra të tjera, ku jetojnë mbi 80 familje me këtë mbiemër. Kjo e bën lidhjen time me Kosovën jo vetëm një dashuri shpirtërore, por një identitet të trashëguar.
Reflektim – Liria dhe sakrifica
Në poezinë e Qazim Thaçit, fjala e thënë nuk është vetëm mall, por edhe dëshmi e gjakut të derdhur. Sot, 27 vjet pas luftës, është e lehtë të flitet për lirinë, sepse gjuha shpesh bëhet prej tulit. Por liria e Kosovës nuk do të vinte pa vizionin dhe sakrificën e strategëve të UÇK-së.
Ata që guxuan t’i kthenin pushkën Serbisë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, Sami Lushtaku e dhjetëra të tjerë në krye me Adem Jasharin, Zija Bajazitin – ishin ata që hapën rrugën për ndërhyrjen e NATO-s, një rast i rrallë në historinë e botës moderne.
Kush e fyen sot lirinë, harron gjakun e dëshmorëve. Dhe kjo është plagë e re, mbi plagët e vjetra. Ka nga ata që thonë se komandantët përfituan nga lufta. Por historia ka vetëm një pyetje: a do të kishim shtet pa pushkën e tyre? Përgjigjen e dinë më mirë se kushdo nënat e dëshmorëve. Lotët e tyre janë të dyfishtë – për bijtë që ranë në altarin e lirisë dhe për komandantët që sot mbahen në Hagë. Ata nuk janë atje për korrupsion, por sepse sollën lirinë që ne sot ta kemi fjalën të lirë.
Poezia si kujtesë dhe amanet
Kosova është si fusha e grurit – edhe kur del ndonjë rrënjë e egër, korrja mbetet bereqet, sepse sjell bukën e jetës. Njësoj është edhe me UÇK-në dhe strategët e saj: ata, bashkë me gjakun e dëshmorëve, u bënë buka, drita dhe fryma jonë. Prandaj, poezia e Qazim Thaçit nuk është vetëm art, por edhe një kujtesë: se liria nuk është dhuratë, por amanet. Një dëshmi që ruan mallin dhe dhimbjen, por edhe krenarinë e një kombi që jeton me rrënjë të thella në historinë e tij.

Më Shumë

Zgjedhjet lokale në Prizren/ Renditja e kandidatëve të LDK-së për Kuvend

Pas përfundimit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë publikuar rezultatet për kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Kuvendin...

Djali i Behxhet Xheladinit u intervistua rreth dyshimeve për blerje të votave mëngjesin e 12 tetorit

Agron Xheladini, djali i kryetarit të Dragashit, është marr në pytje nga policia mëngjesin e 12 tetorit për dyshimin se ka ndikuar në procesin...

Lajmet e Fundit