7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ban: Viti 2013, progres substancial politik lidhur me Kosovën

BanKiMoonNë raportin e fundit për Kosovën, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, thekson se “duke pasur parasysh marrëveshjet historike me lehtësimin e Bashkimit Evropian të arritura ndërmjet Prishtinës e Beogradit, viti 2013 ishte vit i ndryshimeve domethënëse dhe progresit politik substancial sa i përket Kosovës.

Këtë raport, sekretari Ban do të prezantojë në sesionin e rregullt tremujor për Kosovën, të KS të OKB-së, të hënën më 10 shkurt.

Më tutje, në raportin i cili është publikuar në faqen e Kombeve të Bashkuara në Internet, për zhvillimet në Kosovë në periudhën 16 tetor 2013 e deri më 20 janar të vitit 2014, që shqyrtohet të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, theksohet se “palët e kanë vazhduar implementimin substancial të Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Qeverisjen e Normalizimit të Raporteve, të arritur më 19 prill”.

Më tutje, në kuadër të kapitullit “Zhvillimet kryesore politike” të raportit 18 faqesh, përshkruhen gjerësisht zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në të cilat janë përfshirë edhe katër komunat veriore të Kosovës (Leposaviqi, Mitrovica Veriore, Zubin Potoku dhe Zveçani), në harmoni me marrëveshjen e 19 prillit.

Në raport vlerësohet se “zgjedhjet ishin zhvilluar në masë të madhe në mënyrë paqësore në gjithë Kosovën, sipas një kornize të vetme juridike”, dhe theksohet se një numër i rëndësishëm i komunave kanë raportuar substancialisht dalje më të lartë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të mbajtura në vitin 2009.

“Më 3 nëntor, rundi i parë i votimeve kaloi në mënyrë paqësore, me përjashtim të Mitrovicës Veriore, ku persona të paidentifikuar e të maskuar, me dhunë kanë hyrë në dy qendra të votimeve duke e plaçkitur pronën, përkundër masave të zgjeruara të sigurisë”, shkruan në raport për vështirësitë në votimet në Mitrovicën Veriore.

Si pasojë e sulmit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) ishte detyruar t’i mbyllë vendvotimet disa orë më herët dhe ta evakuoj personelin e vet nga pjesa veriore e Kosovës, theksohet në raport dhe shpjegohet se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, urdhëroi rivotim në tri qendra të prekura në Mitrovicën veriore, që u mbajtën më 17 nëntor”.

Më tutje qartësohet se për shkak se kryetari i zgjedhur i komunës është tërhequr, zgjedhjet e reja në Mitrovicën Veriore priten të mbahen më 23 shkurt 2014.

Në pjesën e raportit për siguri, thuhet se “situata e tërësishme e sigurisë në gjithë Kosovën në përgjithësi mbetet e qetë”, por përmendet demonstrata e 6 janarit, e disa qindra njerëzve në Gjakovë, e iniciuar nga asociacioni i nënave të personave të zhdukur, me ç’rast është parandaluar një grup i serbëve të zhvendosur, që të marrin pjesë në një shërbim për Krishtlindjet Ortodokse. “Autobusi me vizitorë ishte sulmuar me gurë të hedhur nga disa demonstrues”, thekson raporti.

Sa i përket kthimit, UNHCR ka raportuar se janë shënuar gjithsej 2660 raste të riatdhesimit të detyruar individual, kryesisht nga vendet evropiane. Autoritetet e Kosovës në muajin tetor kanë miratuar norma të reja që kanë për synim përmirësimin e menaxhmentit të programit të riintegrimit dhe strategjinë e re për riintegrimin e personave të riatdhesuar për periudhën 2014 – 12018, shkruan në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Në kapitullin “Observimet”, mirëpritet vendimi i Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve për pranim me Serbinë dhe negociatat për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Kosovën.

Në vitin 2014, “duhet të vazhdojnë përpjekjet për konsolidimin e të arriturave kritike të vitit të kaluar në dialog, së bashku me rrugën drejt pajtimit rajonal, stabilitetit dhe prosperitetit”, thekson raporti.

Ban Ki-moon e falënderon përfaqësuesin e tij special në Kosovë, Farid Zarif, për “udhëheqjen e tij të fuqishme dhe efektive dhe gjithë personelin e UNMIK-ut për dedikimin e tyre në shtyrjen përpara të përgjegjësive të misionit”.

Ai, po ashtu, i falënderon edhe partnerët e Kombeve të Bashkuara në terren, siç janë Bashkimi Evropian, EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja dhe pjesëtarët e familjes së Kombeve të bashkuara në Kosovë, për kontributin e tyre për paqe dhe stabilitet dhe për bashkëpunimin e tyre të ngushtë me UNMIK-un.

Raportit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i është bashkangjitur edhe materiali i shefit të misionit EULEX, Bernd Borchardt, në të cilin flitet për aktivitetet e këtij misioni.

Në këtë tekst theksohet se “hetimi penal i udhëhequr nga një forcë speciale lidhur me akuzat për rrëmbim, arrestim, keqtrajtim dhe vrasje, si dhe për trafikimin e organeve, në Kosovë ka vazhduar me të shpejtë gjatë periudhës raportuese” dhe konstatohet se “është bërë progres solid në aktivitetet hetuese dhe operacionale”. /REL/

Më Shumë

Vlerat e urave të Prizrenit shpalosen me publikime të ndryshme

Vlerat e urave të Prizrenit janë shpalosur përmes publikimeve të shoqërisë civile, por edhe të autoriteteve komunale.   Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” të hënën ka...

Vetëvendosje akuzon drejtorin Lamaj për manipulim të çmimit të shtyllave elektrike në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të drejtorit të Shërbimeve Publike të kësaj komune, Çelë Lamaj, të bëra gjatë seancës së...

Lajmet e Fundit