Dje, rreth orës 12:15, Policia e Kosovës ka pranuar informata se në fshatin Gjonaj të Prizrenit, në afërsi të shkollës, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një automjet i tipit VW Golf.
Sipas Policisë, pas pranimit të informatës janë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative.
“Patrulla policore ka identifikuar automjetin e dyshuar dhe i ka dhënë sinjal për t’u ndalur, mirëpo i dyshuari nuk ka respektuar urdhrin e policisë dhe është larguar me shpejtësi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, raporton PrizrenPress.

Policia ka vënë në ndjekje automjetin e dyshuar, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe patrulla të tjera. Po ashtu, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, por ai nuk është hasur aty.
“Në përfundim të veprimeve policore, i dyshuari është ndaluar, ndërsa arma e zjarrit – një pistoletë me pesë fishekë, të cilën e kishte hedhur në tokë – është gjetur dhe sekuestruar”, thuhet më tej në njoftim.
I dyshuari H.B., 21 vjeç, është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij kanë filluar hetimet dhe pritet ngritja e kallëzimit penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës”.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vepruar me vendosmëri kundër çdo akti të paligjshëm dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, thekson Policia./PrizrenPress.com/
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/
