11.7 C
Prizren
E hënë, 27 Prill, 2026

Në Drenoc shënohet 28-vjetori i daljes së parë publike të UÇK-së

Në fshatin Drenoc të Rahovecit është shënuar 28-vjetori i daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një ngjarje me rëndësi të veçantë historike për fillimin dhe zgjerimin e luftës çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.

Në këtë përvjetor morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, të cilët nderuan kontributin e luftëtarëve të kësaj zone në organizimin dhe zhvillimin e luftës për liri.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një postimi në Facebook, theksoi rëndësinë e kësaj date për historinë e rezistencës shqiptare dhe rolin e Drenocit në nisjen e organizimit të UÇK-së në Anadrini.

“Sot, u bënë 28 vjet që nga dalja e parë publike e UÇK-së në Drenoc të Rahovecit”, ka shkruar Latifi, raporton PrizrenPress.

Ai vlerësoi Drenocin si pikënisje të rëndësishme të organizimit të strukturave çlirimtare.

“Drenoci ishte pikënisja e UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut, prej ku do të dilnin shumë heronj e dëshmorë trima, që do të sakrifikoheshin për lirinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Latifi rikujtoi se dalja publike e UÇK-së në këtë zonë u pasua nga përfshirja e gjerë e luftëtarëve dhe zgjerimi i rezistencës.

“Djemtë e Anadrinisë u bashkuan me jehonën e pushkëve të lirisë më 26 prill të vitit 1998, pikërisht këtu në Drenocin historik”, thuhet në postimin e tij.

Ai shtoi se, përkundër pabarazisë me armikun, guximi dhe përkushtimi i luftëtarëve çuan drejt ndryshimeve të mëdha historike.

“Përkundër faktit se ishim shumë të pabarabartë me armikun, shumë herë më të pajisur, kulmoi guximi ynë për të luftuar e sakrifikuar për jetë më të dinjitetshme në liri”, ka shkruar Latifi.

Duke folur për rrjedhën e luftës, ai theksoi se zhvillimet e asaj kohe i dhanë dimension të ri luftës çlirimtare.

“Dalja e UÇK-së më 26 prill e më pas beteja e parë frontale në Anadrini, e fituar në ditën e 12 majit dhe e ajo 14 majit, si dhe betejat që pasuan, i dhanë kësaj lufte tjetër dimension”, thuhet në postim.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar këtë përvjetor duke theksuar rëndësinë e Drenocit dhe luftëtarëve të saj në rrjedhën e luftës çlirimtare.

Ai ka bërë të ditur se në këtë përvjetor iu bashkua kryetarit Smajl Latifi, familjeve të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve në Drenoc, të cilin e cilësoi si “shtyllë të luftës sonë çlirimtare”.

“Drenoci dhe luftëtarët e saj trima ndryshuan rrjedhën e luftës dhe nxitën edhe zonat tjera për ta shtuar zjarrin ndaj armikut. Kjo rezultoi që në pranverën e vitit 1998, UÇK të shtrihej në të gjithë vendin. Andaj, kur i kujtojmë dëshmorët dhe heronjtë, asnjëherë nuk harrojmë se ata ishin në një mision të vetëm, çlirimin e shqiptarëve nga robëria. Liria erdhi dhe për të kaluam shumë plagë, humbëm shumë njerëz të dashur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai theksoi edhe rolin e NATO-s në përfundimin e luftës.

“UÇK-ja në tokë dhe NATO e prirë nga Amerika në qiell, sollën lirinë e shumëpritur për shekuj. Misionin tonë për sigurimin e lirisë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s, të rreshtuar pranë botës demokratike, të udhëhequr nga Amerika”, ka shkruar Haradinaj./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Vazhdojnë punimet për hapjen e kanalit të vaditjes në Caparc

Po vazhdojnë punimet për hapjen e kanalit të vaditjes në fshatin Caparc të Prizrenit, projekt që synon rikthimin e funksionalitetit të tij dhe zgjidhjen...

Përcaktohet orari i Final 4 të Kupës së Kosovës në hendboll

Është përcaktuar orari i ndeshjeve të “Final4” të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll. Turneu final i Kupës, e që pritet të jetë spektakël...

Lajmet e Fundit