Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë në Gjykata Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve B.H. dhe I.H., lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Zlipotok të Komuna e Dragashit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri B.H. dyshohet se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, ka privuar nga jeta viktimën G.T., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi).

“I pandehuri B.H., me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T., duke i shkaktuar lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Ndërkaq, i pandehuri I.H., babai i të dyshuarit kryesor, dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, ndonëse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të veprojë pa rrezikuar veten apo të tjerët.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime, B.H. dyshohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”, ndërsa I.H. për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke vazhduar procedurat ligjore ndaj të gjithë të dyshuarve./PrizrenPress.com/
Marketing
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
