19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Armand Shkullaku: Çelësi i Qeverisë së ardhshme në duart e Ramushit

ArmandShkullaku-kolumnistFakti që AAK nuk po shpreh preferencë për njërën ose tjetrën parti apo që Haradinaj ka refuzuar takime me prapavijë elektorale me liderët e partive të tjera, dëshmon se ata kanë lënë të hapur mundësinë për koalicion si me PDK ashtu dhe LDK. Pra me shumë gjasë, AAK do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme. Gazetari nga Tirana, Armand Shkullaku, flet për Express.
Express: Cili është vlerësimi juaj për fushatën zgjedhore, deri më sot?

A. Shkullaku: Fushata zgjedhore deri më sot për mendimin tim ka dy elementë që mund të veçohen. Së pari bie në sy një përpjekje e partive politike për ta vendosur debatin në çështje konkrete e të prekshme për qytetarët dhe jo në zhurmë e akuza për kundërshtarin politik. Deri tani, me ndonjë përjashtim të rrallë, fushata ka qenë pozitive dhe e përqendruar në tema jetësore si punësimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ka një debat për mënyrën e taksimit, krijimin e vendeve të punës, energjinë dhe zhvillimin e prodhimit vendas. Së dyti, për herë të parë kemi një fushatë të një stili tjetër, të cilën po përpiqet ta zhvillojë kryetari i PDK Hashim Thaçi. Jo vetëm konventa e stilit amerikan që pamë të martën, por edhe shumë aktivitete të tjera të Thaçit, janë një risi dhe ndryshim i madh për politikën e ngurtë në Kosovë. Jam i sigurt se ky stil fushate do të bëhet dominues në fushatat e ardhshme. Se sa efikas do të jetë këtë herë për kryeministrin Thaçi, kjo do të shihet në 8 qershor.

Express: A mendoni që Partia e Dytë më e madhe në vend është duke u dëshmuar mjaft e përgatitur për ta sfiduar Partinë më të madhe në vend, PDK’në?

A. Shkullaku: Është e lehtë ta kritikosh LDK në këtë aspekt sepse realisht ka bërë shumë pak për të sfiduar PDK-në. Nëse ndjek fushatën në Kosovë, ke përshtypjen se Thaçi është opozita që gjakon pushtetin dhe Isa Mustafa ai që po e ruan atë. Po të shohësh edhe fotot nga dreka Mustafa-Pacolli, kjo bindje të përforcohet dhe më shumë. Duket sikur LDK i ka varur shpresat për fitore në konsumimin e qeverisjes dhe në ndonjë rrjedhje të mundshme të votave të PDK tek nisma e Limajt. Vetë po bën shumë pak për t’u shndërruar në një forcë politike që gjeneron ndryshim. Isa Mustafa nuk mundi ta hapë plotësisht partinë dhe ta furnizojë atë me gjak të freskët. Në këtë mënyrë LDK kontraston jo vetëm me fuqinë e partisë në pushtet por edhe me parti të tjera të opozitës që janë shumë më energjike në kërkim të ndryshimit politik në vend. LDK ngjan më shumë me një alternativë që mund t’i mbetet pushteti në dorë se sa me një alternativë të pushtetit.
Express: Si i konsideroni lëvizjet e PDK’së drejt një flirtimi me partinë kryesore religjioze në vend, Partinë e Drejtësisë?

A. Shkullaku: Lëvizje me sfond të pastër elektoral që synon maksimalizim të votave në 8 qershor. Nuk shoh ndonjë lidhje tjetër mes këtyre dy partive, pavarësisht se kryetari PD ka qenë për një kohë të gjatë ministër në kabinetin e Thaçit.
Express: A konsideroni se një qasje e tille do t’i lëkundë themelet e shtetit tonë sekular, kur dihet se eksponent të kësaj partie kanë qenë mjaft kritik ndaj figurave kombëtare, si Nënë Tereza dhe Skënderbeu?

A. Shkullaku: Nuk besoj se një koalicion për një grusht votash më shumë do të lëkundte themelet e shtetit laik. Për më tepër që eksponentë eksibicionistë që kërkojnë të dallohen duke u marrë me figura të rëndësishme të historisë, ka patur gjithnjë, por nuk kanë lënë asnjë gjurmë në kohë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se politika në Kosovë, nuk duhet të jetë e kujdesshme për të mos lënë shtigje hapur që feja të penetrojë në vendimmarrjen shtetërore. Këto gjëra janë dhe duhet të mbeten të ndara.
Express: Cili do të jetë roli i AAK’së në këto zgjedhje, kur tashmë dihet se formimi i çfarëdo qeverie do të varet prej votave të këtij subjekti politik?

A. Shkullaku: Mendoj se do të jetë një rol kyç. Nëse Lëvizja Vetëvendosje do t’i qëndrojë parimit të saj për të mos bërë koalicion me establishmentin aktual politik, roli vendimtar mund të jetë për AAK’në. Haradinaj ka shumë gjasa të ketë në dorë çelësin për të hapur derën e qeverisë së ardhshme. Kjo po duket edhe gjatë kësaj fushate, ku AAK po kujdeset të jetë e barazlarguar nga të dyja partitë e mëdha, duke ruajtur kështu të drejtën për negociata pas zgjedhore me to, në varësi të rezultatit. Fakti që AAK nuk po shpreh preferencë për njërën ose tjetrën parti apo që Haradinaj ka refuzuar takime me prapavijë elektorale me liderët e partive të tjera, dëshmon se ata kanë lënë të hapur mundësinë për koalicion si me PDK ashtu dhe LDK. Pra me shumë gjasë AAK do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Express: Një numër i konsiderueshëm i analistëve po flasin për mundësinë që Haradinaj të zgjidhet Kryeministër i vendit pas zgjedhjeve, si e konsideroni ju një mundësi të tillë?

A. Shkullaku: Tani asnjëherë nuk mund të thuash jo ose po me siguri, aq më tepër në Kosovë ku kanë ndodhur koalicione nga më të panatyrshmit. Haradinaj kryeministër do të varej në radhë të parë nga numrat që vetë AAK do të kishte në parlamentin e ri sepse në bazë të tyre do të imponohej edhe në negociatat paszgjedhore. Por unë mendoj se për AAK nuk është aq jetik posti i kryeministrit se sa rritja e peshës së saj politike, që vitet e fundit ka rënë ndjeshëm. Deri tani, gjatë këtyre ditëve të fushatës, Haradinaj po dëshmon se ka vullnetin dhe dëshirën për ta ringritur partinë e tij. Nëse ai do të bëhej kryeministër, kjo mendoj se mund të ishte më shumë produkt i konjukturave politike se sa i rezultatit zgjedhor.

Më Shumë

Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 600 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1622 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Prizreni përkujton dëshmorët dhe martirët në 26-vjetorin e Epopesë së Vërrinit

Sot, në 26-vjetorin e Epopesë së lavdishme të Vërrinit, zyrtarë të Komunës së Prizrenit dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar dëshmorët...

Lajmet e Fundit