Në Kosovë nesër pritet të mbahet mbledhja e parë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit. Por, zgjedhja e organeve drejtuese të tij mund të shfaq probleme.
Partitë politike janë vënë në përpjekje për të siguruar numrin e nevojshëm të deputeteve për të propozuar kryetarin e Parlamentit.
Javën e kaluar, kryesia e Parlamentit të Kosovës, pa Partinë Demokratike, përcaktoi koalicionin ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, si grupin më të madh parlamentar. Sipas këtij vendimi në mbledhjen e parë të Parlamentit, ky grup ka të drejtën të propozojë kryetarin e Parlamentit.
Por, me këtë nuk është pajtuar Partia Demokratike, e cila doli e para në zgjedhjet e tetë qershorit dhe synon të drejtojë institucionet.
Kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, njëherësh edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, tha sot pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie se institucionet e reja do të ndërtohen në përputhshmëri të plotë me rezultatin zgjedhor të tetë qershorit, që sipas tij përcakton qartë besimin e qytetarëve.
“Përcakton qartë vendimin e qytetarëve, sovranit, fituesin e qartë dhe të pastër dhe organizimin e zgjedhjeve ferr, të lira, transparente me fitues Partinë Demokratike të Kosovës. Pra, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni i saj parazgjedhor do të propozoj dhe zgjedhin edhe kryetarin e parlamentit edhe mandatarin e ardhshëm”, tha zoti Thaçi.
Por, koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën thonë se janë ato që i kanë numrat e nevojshëm për të ngritur institucionet dhe se aktualisht janë përfshirë në bisedime me lëvizjen Vetëvendosje për të arritur një marrëveshje për të përkrahur këtë koalicion në procesin e përpjekjeve për formimin e qeverisë së re, por deri më tani kanë dështuar të arrijnë për shkak të kushtëzimeve të kësaj lëvizjeje me ndryshimin e qasjes ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe procesin e privatizimit. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të votojnë asgjë në parlamentin e Kosovës, pa miratimin e këtyre parimeve në formë të shkruar.
Kryetari i Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ende mund të arrihet një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje, por pas mbledhjes së parë të parlamentit.
“Sa i përket seancës për nesër, vështirë që mundemi të ndryshojmë gjendjen, mirëpo ekziston mundësia e komunikimit të mëtejmë për shkak se pritet edhe etapa tjera për ndërtimin e institucioneve, nesër është vetëm zgjedhja e kryetarit të parlamentit dhe kryesisë së saj, pra mund ndodhë që të krijohen mundësitë për të komunikuar prapë”, tha zoti Haradinaj.
Haradinaj tha se shpreson që nesër partitë politike të pakicave kombëtare të përfshira në parlament do të përkrahin Koalicionin ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën në përpjekjet e tyre për zgjedhur kryetarin e Parlamentit nga radhët e tyre.
Ky Koalicion ndërkaq së bashku me lëvizjen Vetëvendosje janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ndërsa PDK me kushtin që të ketë votat e të gjitha pakicave kombëtare do të ketë nevojë për të paktën 4 vota shtesë që duhet t’i kërkojë në radhët e partive rivale.
Dita e nesërme , do të jetë sprova e parë për procesin më të ndërlikuar deri tash të formimit të institucioneve të reja. Nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./VOA/