5.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Dy vite pa Ali Podrimën

AliPodrimja-shkrimtarKomuna e Gjakovës në mbrëmjen e sotme do të zbulojë bustin e Ali Podrimës të realizuar nga Luan Mulliqi, ndërkohë do të përurohet edhe sheshi me emrin e Ali Podrimës
Kanë kaluar dy vjet prej se ka ndërruar jetë shkrimtari kosovar, Ali Podrimja. Trupi i pajetë i Podrimës është gjetur i vdekur pranë një lumi në Lodeve të Francës, i cili pat shkuar në një festival të poezisë. Shumë miq të tij, qysh atëherë patën bërë ndërlidhjen e vdekjes së Podrimës me lumin, pasi që shkrimtari ka vdekur pranë një lumi, i ka shkruar shumë vargje birit të ndjerë po me emrin Lumi, dhe librin e tij më të njohur Lum Lumi.

Ndërkohë, për tu kujtuar vepra e shkrimtarit Podrimja, sot në Gjakovë do të zbulohet shtatorja e Ali Podrimës e cila është punuar nga skulptori, Luan Mulliqi, ku edhe do të bëhet përurimi i sheshit Ali Podrimja.

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Bëhet anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar.

Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt. Me shkrime filloi të merret që në gjimnaz. Poezinë e parë “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve”(1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo”(1969), “Torzo”(1971), “Lum, lumi”(1982), “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz”, librat në prozë “Burgu i hapur”(1998), “Harakiri” etj. Përveç poezive, Podrimja ka shkruar ese e tregime. Ka bashkëpunuar me revistat, gazetat e sitet online në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Ka fituar çmime të shumta letrare në Kosovë, Shqipëri, por edhe jashtë kufijve. Vazhdimisht ka qenë i ftuar në aktivitete poetike. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare.

LUM LUMI

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.

Më Shumë

Ardienne GodBold rikthehet te KBF Bashkimi për pjesën e dytë të sezonit

Pas një viti mungese, Ardienne GodBold, e njohur me nofkën "Nunu", është rikthyer te KBF Bashkimi. Ky rikthim i saj vjen si përforcim për...

Neymari thotë se ai dhe Messi u trajtuan padrejtësisht nga fansat e PSG-së

Neymari ka folur së fundmi se si e kishin trajtuar fansat e Paris Saint-Germainit atë dhe Lionel Messin sa kishin qenë te ky klub. “Dy...

Lajmet e Fundit