14.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

“DokuFest”, program special me filma që trajtojnë besimin

film per besimFestivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar në Prizren, “DokuFest”, që edicionin e 13-të nga 16 deri më 24 gusht do ta sjellë në frymën e ndryshimit, ka shpallur edhe një program special filmash, program ky që trajton tematikën e besimit.

“Believe it or Not: Faith on Film” përbëhet prej gjashtë filmave, të cilët eksplorojnë rrethana dhe shtjellime të ndryshme të sentimentit të besimit nëpër vende të ndryshme të botës. Kurator i programit është vetë drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari.

“Karakteristika e filmave të këtij programi është kombinimi i elemente fiktive dhe jo-fiktive dhe jemi shumë të gëzuar të ndajmë me publikun punën e këtij grupi të super talenteve dhe filmbërësve vizionar”, ka thënë Nurkollari.

Filmat që bëjnë pjesë në këtë program janë “Stop the Pounding Heart” – pjesa finale e triologjisë së Teksasit të Roberto Minevrini, “Forest of the Dancing Spirit” – eksplorimi i mahnitshëm dhe i gjatë i fisit Aka në thellësi të pyjeve të Kongos nga Linda Västrik, “Ricardo Bär” – studimi gjysmë-fiktiv i karakterit të një fermeri argjentinas i cili dëshiron të bëhet pastor, “Manakamana” nga Stephanie Spray dhe Pacho Velez, film i fundit që vjen nga “Harvard’s Sensory Ethnography Lab”, i cili është i vendosur në një teleferik që çon në tempullin Manakamana në Nepal.

Më pas do të shfaqet “Winter/Miracle” nga Zeljka Sukova dhe Gustavo Beck, një film i çuditshëm dhe alegorik për krishterimin, si dhe në fund, filmi i bukur dhe misterioz “A Thousand Suns” nga Mati Diop, mbesa e filmëbërësit legjendar nga Senegali, Djibril Diop Mambety, në filmin e së cilës tema kryesore sillet rreth filmit “Touki Bouki”.

Gjithashtu, “DokuFest” në bashkëpunim me Galerinë e Arteve të Kosovë do të shfaqë tre filma të regjisorit iranian, Kimiavi Parviz, “P like Pelican”, “The Stone Garden” dhe “The Mongols”, si pjesë e ekspozitës “Muslim Mulliqi”, e cila është e hapur në Galerinë e Arteve të Kosovës deri në shtator.

“DokuFest”, që do të ngrejë siparin me 16 gusht, do të shpallë programin e plotë të filmave më 24 korrik./KultPlus.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit