Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Mamushës, “EC Ma Ndryshe” gjatë muajit korrik ka shqyrtuar të gjeturat e Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Mamushës në vitin 2013, me një vështrim retrospektiv edhe në raportet e viteve 2012, 2011, 2010 dhe 2009.
Konkluzioni i përgjithshëm i Auditorit është se administrimi dhe raportimi financiar brenda kësaj komune vazhdon të përballet me dobësi marrë parasysh faktin se qeveria komunale nuk i ka zbatuar rekomandimet e mëhershme të ZAP-it. “Komuna nuk i ka adresuar rekomandimet tona nga vitet e shkuara. Komuna nuk ka ndërtuar një proces të fortë që do të siguronte zbatimin e plotë dhe në kohë të rekomandimeve tona”, thuhet në raportin e ZAP-it.
Ky autoritet shtetëror ka konstatuar se gjatë viteve të fundit, komuna e Mamushës ka adresuar vetëm pjesërisht rekomandimet e ZAP-it lidhur me nenin 16 – Shpalosja e pasurive dhe pagesat nga palët e treta – dhe rrjedhimisht kjo fushë vazhdon të paraqesë një rrezik domethënës, pasi si pasojë e natyrës së regjistrimeve bazë dhe mungesës së dokumenteve mbështetës ekzistojnë disa pasiguri lidhur me të drejtat e pronësisë, plotësinë dhe vlerësimin e pasurive, objekteve dhe pajisjeve.
ZAP prej vitesh tërheq vërejtjen se komuna ende nuk ka një sistem automatik faturimi për të gjitha llojet e të hyrave vetanake dhe llogarive të arkëtueshme lidhur me to, ndërkohë që edhe ekzekutimi i buxhetit mbetet një nga fushat kryesore ku nevojiten më shumë përmirësime.
Auditori po ashtu ka nënvizuar se mospajtimet e identifikuara në prokurime lidhen me klasifikimet e gabuara të shpenzimeve dhe në tejkalimin e buxhetit për to. Si një shqetësim tjetër paraqitet edhe mos krijimi i një Departamenti të Auditit të Brendshëm dhe Komitetit të Auditit, që po ashtu është rekomandim që përsëritet vit pas viti nga ZAP-i.
Në raportin e fundit, ZAP konstaton se komuna e Mamushës nuk e ka zbatuar asnjërin prej 9 rekomandimeve të dhëna për vitin financiar 2012, përderisa prej 11 rekomandimeve të dhëna për vitin 2011, vetëm 1 është zgjidhur dhe 3 pjesërisht janë zgjidhur. Ndërkohë prej 6 rekomandimeve të dhëna për vitin financiar 2010 komuna ka adresuar vetëm një në tërësi dhe një tjetër pjesërisht, duke injoruar 4 të tjera.
“EC Ma Ndryshe” vlerëson se mos adresimi i rekomandimeve të ZAP-it nga ana e komunës së Mamushës ka bërë që administrimi dhe raportimi financiar të përballet me probleme që rrezikojnë qeverisjen e mirë të buxhetit komunal.
Duke i marrë parasysh të gjitha këto të dhëna, “EC Ma Ndryshe” rekomandon Komunën e Mamushës që:
– Të nisë zbatimin e menjëhershëm të të gjitha rekomandimeve të ZAP-it;
– Të ndërmerr veprime serioze për përmirësimin e administrimit dhe raportimit financiar, në të gjitha fushat e identifikuara nga ZAP-i;
– Të rris transparencën në vendimmarrje me qëllim të menaxhimit më të mirë të parasë publike;
Gjithashtu, EC Ma Ndryshe rekomandon anëtarët e Kuvendit Komunal të Mamushës që të ushtrojnë presion më të madh te ekzekutivi komunal për zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it. /PrizrenPress.com/