0.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nga 1 shtatori, kufizohet qëndrimi i makinave me targa të huaja në Shqipëri

Dogana-kufiri morineDrejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nxjerrë një udhëzim të ri për përdorimin e automjeteve me targa të huaja të importuara në Shqipëri, që janë regjistruar jashtë territorit doganor të vendit tonë për përdorim privat. Udhëzimi synon të pengojë rastet e kontrabandës së automjeteve.
Sipas udhëzimit, automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh, brenda çdo periudhe prej 12 muajsh.

Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore.

Sipas noftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Udhëzimi, i cili hyn në fuqi më 1 shtator, shpreh qartë faktin se çdo përpjekje për të sjellë në Shqipëri automjete që cilat importohen nën këtë regjim, për përdorim të përhershëm apo për interesa ekonomikë, për rishitje apo për pjesë këmbimi, do të konsiderohet si e jashtëligjshme dhe do të ndëshkohet.

Sipas Doganës në 6 muajt e fundit, janë bllokuar rreth 400 automjete të cilat kishin hyrë në Shqipëri nën Regjimin e Përkohshëm të Automjeteve dhe nuk ishin larguar kurrë prej vendit.

 

Kush përfiton nga Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?

i. Vizitorët jo-rezidentë që vizitojnë Shqipërinë me automjetet e tyre për periudha të shkurtra kohe dhe që dalin përsëri jashtë Shqipërisë me automjetet e tyre;

ii. Studentët, mjekët dhe shkencëtarët që vizitojnë apo punojnë në Shqipëri për periudha kohe të caktuara;

iii. Individët që janë rezidentë jashtë Shqipërisë dhe që kanë vendin e punës në Republikën e Shqipërisë;

 

Cilat janë kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?

i. Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;

ii. Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;

iii. Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;

iv. Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes. Personi që e ka sjellë automjetin në vend nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;

v. Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare;

Kur konsiderohet importi i përkohshëm i një automjeti për përdorim privat si rast kontrabande?

i. Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë NUK deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet si “kontrabandë me automjete”;

 

Cilat janë sanksionet që zbatohen në rastin e shkeljes së regjimit të lejimit të përkohshëm?

i. Çdo shkelje e kushteve të sipër-përmendura konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;

ii. Penalitetet llogariten në bazë të shumës së detyrimeve të papaguara dhe periudhës kohore gjatë së cilës kjo shumë nuk është paguar;

iii. Të gjitha detyrimet e importit llogariten në bazë të datës së hyrjes së parë në territorin e Shqipërisë;

iv. Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara;

v. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;

vi. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit pas më shumë se gjashtë muajsh përtej afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 100% të detyrimeve të papaguara;

vii. Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet varion nga 50,000 në 200,000 Lek;

viii. Nëse një individ ka kryer më shumë se një kundërvajtje administrative, secila shkelje ndëshkohet në veçanti;

ix. Për rastet e kontrabandës zbatohen penalitetet sipas përcaktimeve të neneve të Kodit Doganor në lidhje me kontrabandën.

Më Shumë

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

AKB viziton fabrikën e këpucëve në Suharekë, Shahini: ‘Solid’ është eksportuesi me i madh i këpucëve në Kosovë

Ne kuadër të Javës të Biznesit Kosovar 2024 një delegacion i bizneseve kosovare dhe të atyre të diasporës i udhëhequr nga Agim Shahini kryetar...

Lajmet e Fundit