2.5 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Reka rrëfeu luftën përmes fotografive

Plaka te qajtPamje nga viti 1988 e deri tek 2008 u pasqyruan në dhjetëra fotografi, që para audiencës kosovare dhe asaj të huaj dje në kryeqytet.

Pamje nga viti 1988 e deri tek 2008 u pasqyruan në dhjetëra fotografi, që para audiencës kosovare dhe asaj të huaj dje në kryeqytet në objektin e Fakultetit Filologjik në Prishtinë i solli fotografi i njohur kosovar Hazir Reka. Ky i fundit veç dokumentimit të asaj çfarë kishte përjetuar populli kosovar gjatë luftës së fundit, rrëfeu dhe ngjarje që kishte parë dhe vet ai që për shumë kënd janë të padëgjuara më parë, shkruan Tribuna.

Thonë fotografia flet sa një mijë fjalë, e kështu ndodhi edhe ditën e djeshme ku përmes dhjetëra fotografive të artistit të njohur kosovar Hazir Rekës, audienca e huaj dhe ajo vendore mësoi më shumë dhe pa tmerrin e luftës së fundit në Kosovë. Artisti në fjalë, përmes rrëfimeve të tija si dëshmitar i viteve më të kobshme e deri tek ajo më e gëzuara e gjithë kosovarëve, tregoj atë çfarë shkrepi përmes aparatit të tij. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në kuadër të Seminarit të 33-të ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po organizohet në Prishtinë që nga data 18 gusht e do të vazhdojë deri në fund të muajit.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm shumë personalitete e figura të njohura nga fusha e artit, kulturës dhe politikës si nga vendi ashtu dhe disa mysafirë të huaj me drejtuese Blerta Ismajlin, e cila fotografin Reka e prezantoi si dëshmitarin e ngjarjeve të rëndësishme shoqërore, kulturore dhe politike të Kosovës, veçmas gjatë kohës së luftës së fundit. Ndërsa vet fotografi thuajse për çdo fotografi ndalonte dhe sqaronte atë çfarë për publikun ishte e njohur, por jo dhe e parë.

‘’Fotografitë të cilat po shihni sot i takojnë viteve 1988 e deri tek 2008, pra që nga fillimi i demonstratave studentore, lufta, e në fund dita e shpalljes së pavarësisë’’ u shpreh Reka. Sipas tij disa nga fotografitë që kishte realizuar ishin dhënë shumë shpesh e botuar dhe në media të shkruara të njohura botërore.

‘’Kjo fotografi që po shihni e kam bërë në vitin 1999 në një fshat ku shumica e shtëpive ishin të djegura, ky plak siç po shihni dhe ju po mundohet që shtëpinë e cila ishte e kafshëve, ta improvizojë dhe ta bëjë shtëpi banimi ku si derë ka marrë derën e veturës. Kjo fotografi ka qarkulluar në shumë gazeta nëpër botë. Ndërsa familja e plakut ka jetuar në këtë shtëpi disa vite me radhë’’ tregoi i emocionuar fotografi kosovar. Ky i fundit më pas tregoi për ngjarjet që kishte parë e përjetuar gjatë kohës kur po dokumentonte pjesë nga lufta, ku në sfond shiheshin civilë e ushtarë të UCK-së, por dhe masakrat më të tmerrshme që njihen, siç janë ajo e Reçakut dhe Prekazit.

‘’Kjo është njëra nga fotografitë të cilat i kam bërë pas masakrës së Reçakut, e ky i moshuar që po i shikon viktimat ishte njëri nga të shpëtuarit e që një javë më pas ishte vrarë në një fshat tjetër’’, u shpreh Reka, i cili më pas vazhdoi me pamje nga bombardimet e NATO-s, demonstratat e grave të kryeqytetit që shiheshin me nga një bukë në dorë e që ishin nisur drejt fshatit Prekaz menjëherë pas masakrës së familjes së Jasharajve, Kampet e refugjatëve kosovarë në Maqedoni e krejt në fund tek çlirimi i Kosovës nga okupatori serb.

‘’Këta janë traktorë ku shumë familje serbe po largoheshin nga Kosova nën përcjelljen e ushtarëve amerikan ku në të njëjtën rrugë po ktheheshin plot familje kosovare në shtëpitë e tyre’’, tregonte realizatori i fotografive, ku të njëjtat ishin dhënë për audiencën kosovare muaj më parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës të titulluar “Çasti i Gozhduar’’. Sakaq Seminari që po mbahet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë në bashkëpunim me atë Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, sot të vazhdojë me ligjëratën që mban titullin ‘’Korpusi i shqipes’’ me kumtesat e përgatitura nga studiuesit : Nebi Caka, Ali Caka dhe Vehbi Neziri.

Më Shumë

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

SHMP “Lasgush Poradeci” shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë organizoi sot një manifestim festiv me rastin e Ditës së Shkollës, ku mori pjesë edhe Kryetari...

Lajmet e Fundit