Glauk Konjufca ka thënë se veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje! ditën kur është ratifikuar marrëveshja me Serbinë nuk e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës. Sipas tij, veprimet e kësaj lëvizje janë të pallogaritshme në krahasim me dëmin që i është bërë Kosovës me këtë marrëveshje.
Konjufca ka shprehur keqardhje për çështjen e ambasadores amerikane dhe për çdo diplomatë të huaj nëse kanë pasur vështirësi atë ditë për të hyrë në Kuvend.
Konjufca ka thënë se këto vështirësi nuk janë krijuar për diplomatët, por për deputetët e koalicionit qeverisës dhe të gjithë ata që janë deklaruar se do ta votojnë marrëveshjen.
Ai ka thënë se i kanë kërkuar falje ambasadores Tracey Ann Jacobson. “Kërkimfalja ka qenë në emër të Lëvizjes Vetëvendosje! Nuk di çfarë të bëj më shumë përpos kërkimfaljes”, ka thënë Konjufca në intervistën për “Epokën e re”.
Kritikat e vendorëve dhe ndërkombëtarëve lidhur me veprimet e fundit të Vetëvendosje!-s, Konjufca i ka vlerësuar tendencë për ta zhvendosur vëmendjen karshi përmbajtjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi.
Në këtë kontekst, Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! nuk e ka dëmtuar imazhin e Kosovës. “Veprimet e Vetëvendosje!-s nuk e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës. Imazhi i Kosovës është dëmtuar nga kjo marrëveshje e keqe dhe përkrahësit e saj”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se Vetëvendosje! do ta kundërshtojë Projektligjin për amnistinë dhe çdo projektligj tjetër që është derivat i marrëveshjes së 19 prillit.