Pasdarkave, symbyllur për të fshirë nga retina pankartat e kuqe, gazetat e ditës, parullat nëpër mure, brohoritjet e zogorive, përqendrohej fort dhe ringjallte ngultas në mend të njëjtën skenë: Udhëheqësin-zhgabonjë, fare vetëm, mbi vrimën e kuqërremtë rrethuar dru mogani, skajuar dantella gjirokastrite dhe tentene të ergjënta, i pllakosur nga një kaps shekullor, duke u shtrënguar, shterzuar, bulëzuar djersë, tek valëviste në grusht filxhanin me lëng sene…”(“Histori Eskatologjike”) .
Arben Dedja, mjek në profesion, pothuaj i panjohur si shkrimtar, është shpallur dje “Autori i vitit” në panair. Ai vlerësua për librin e tij “Histori Eskatologjike”(njëri prej dy botimeve të tij) me motivacionin: “Për prozën e ngjeshur me detaje pikante, stil tërheqës, gjuhë të rrjedhshme e të pasur, si edhe një rrëfim i jetës së diktaturës përmes një sensi të hollë humori, që i shoqëron personazhet në situatat groteske. Ky libër është një arritje për autorin, por edhe për prozën e shkurtër shqipe”.
Ndërsa kreu i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri falenderoi botues e pjesëmarrës, i çmoi të gjithë fituesit. Mandej, juria (e ngritur nga Shoqata e Botuesve) e përbërë nga Virgjil Muci (kryetar), Persida Asllani, Nasi Lera, Alfred Lela dhe Beti Njuma kanë shpallur fituesit e çmimeve të sivjetshme, ku përmendim Petro Zhejin dhe Alina Karaullin, ndërsa çmimi “De Rada” ka shkruar për Ismail Kadarenë, që dje ishte në panair duke dhënë autografe për librin e tij më të ri “Mëngjeset në kafe Rostand”. Petro Zheji, mori çmimi e mirënjohjes me motivacionin “Për korpusin e jashtëzakonshëm të kryeveprave të letërsisë botërore të sjella nga një sërë autoresh, nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave e të gjitha vendeve. Për monumentin që i ka ngritur gjuhës shqipe duke e barazngritur në gjuhen e kulturave të qytetërimeve më të mëdha të njerëzimit”. Ndërkaq, “Përkthyesi më i mirë i vitit” shkoi për Alina Karaullin me “Xhejn Er” të Sharlotë Brontë me motivacionin “Për gjuhën dhe ligjërimin e rrjedhshëm me të cilin ka sjellë në gjuhën shqipe një nga veprat më të spikatura dhe themeltare të romanit botëror. Sjellësja në shqip e këtij libri ka dëshmuar se është një pasuese e denjë e një brezi të shquar përkthyesish”.Pse një mjek?
Është propozuar dhënia e tri çmimeve, ku i fundit duhej të ishte ai për librin për fëmijë. Meqë për këtë nuk ka prurje, u vendos që të jepej një çmim mirënjohjeje(Zheji). Virgjil Muçi, në cilësinë e kreut të jurisë tha dje se, janë shqyrtuar: Vetëm veprat e paraqitura pranë zyrave të shoqatës së botuesve brenda dt.31 tetor, të tjerët mbetën jashtë. Kriter ishte mospranimi i librave të paraqitur në panairin e vjetshëm dhe titujt e ribotuar plotësisht ose pjesërisht. “Juria ka pranuar libra edhe në dorëshkrim. Në total ishin 108 tituj nga gjinitë: prozë, poezi, eseistikë, histori, publicistikë (duke qenë se në parim nuk ka filtër që përzgjedh e pengon kësilloj prurjesh), si nga autorë shqiptarë ashtu edhe të huaj”.
Muçi bëri me dije se juria është gjetur para dilemës: Kujt i duhet dhënë çmimi? Një prej të njohurve e të sprovuarve, apo një të riu premtues? “Tundimi ynë qe më i fortë për të kuturisur, drejt së panjohurës dhe për të ngjëruar diçka të re e në një farë mënyre të paprovuar më parë. Dhe këtë qasje përshtatëm si për autorin, ashtu edhe për përkthyesin e vitit, pa çeduar as edhe një grimë dhe, doemos, pa bërë asnjë kompromis lidhur me vlerat e meritat e gjithkujt, i ri ose i vjetër. Do t’u kërkoja dashamirëve të librit, kritikëve dhe krejt opinionit publik që të na gjykojnë për veprat që kemi çmuar me çmim dhe jo për ato që nuk kanë fituar”. Këto fjali, duket se i hapën rrugë, thirrjes së një emri të panjohur për shumë veta, si fitues i “Autorit të vitit”. Kriteri nuk qe të ishe shkrimtar i njohur, kriter qe, të ishe shkrimtar i mirë. Kështu, mjeku që jeton në Padova, që e ka këtë veçse librin e tij të dytë, u bë “Autorit i vitit”.
“Nuk e prisja, është libri im i dytë me tregime. Ato kanë frymë ironike, autoironike e groteske, të ashpra e të vështira”, tha Dedja për “GSH”. Mandej, ai rrëfeu pak më shumë për veten: “Në profesion jam mjek. Punoj prej 15 vitesh në Itali, në Padova, në fushën e kërkimeve shkencore, në kirurgji. Letërsinë e kam pasion e merrem me të pas orës 23:00 të mbrëmjes. Zakonisht përkthej poezi. Mbas moshës 40 vjeç fillova të merresha me tregime, ndërkohë që deri atëherë shkruaja vetëm poezi. Jam entuziast. Çmimet të japin stimul për të vazhduar, sepse sheh që rreth e rrotull teje janë njerëz që të çmojnë. Nuk është se hedh një gur në lumë dhe se merr vesh njeri”, u shpreh Dedja. Libri i tij me të cilin fitoi çmim, titullohet “Histori Eskatologjike”. Një sqarim për të, na e jep vetë autori: “Eskatologjia është një term filozofik e religjioz që ka të bëjë me fundin e botës. Meqë këto tregime i takojnë fundit të një sistemi(diktaturës) i vura këtë titull. Janë rreth 13 tregime, ka pak mjekësi brenda, ka tregime fantastike, të shpikura, megjithëse Borgesi thotë se të gjitha tregimet janë fantastike. Ka edhe detaje personale. Ajo që i bashkon është tema eskatologjike sepse flasin për fundin e një sistemi”./GSH/