11 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Redon Makashi: Ditari im, janë këngët e mia

RedonMakashi-kantautorLiria e ka një cak, kur fjala është të hedhësh një hap ndryshe në jetë. Ka shkruar një ditar muzikor, që ka brenda gëzim, dashuri, aventura, dhimbje dhe reflektim për vitet që kanë ikur dhe ato që do të vijnë. Paralajmëron një kthesë në jetën e tij pas 25 vitesh që këndon në skenë, dhe një maturie që ka fituar si mashkull, ndërsa e ka provuar edhe lirinë e mendimit, edhe robërinë e shpirtit, kur ndoshta në momente të caktuara është ndier i vetëm pranë pianos. Redon Makashi në një intervistë për ‘Panoramën’ tregon për ndryshimet që do të bëjë në jetën e tij private dhe planin për t’u bërë me fëmijë shumë shpejt.

Sapo keni përfunduar xhirimet e klipit të ri me titull “Ditari”. Çfarë shkruhet në fletët e këtij ditari muzikor?
Në fakt ,“Ditari” është një nga këngët e albumit tim të ri me titull “Bota ime”. Ishte iniciativa e kompozitorit maqedonas, Vullnetit Ibrahimi, për ta bërë këtë këngë klip, xhirimet e të cilit i realizuam në një qytet romantik si Ohri, dhe ku këndojmë në duet me Vullnetin. Në kuptimin figurativ, në fletët e këtij ditari flitet për jetë, e jo vetëm për jetën time, por për jetën e çdokujt.

Dukeni natyrë nostalgjike nëse i referohemi një tjetër klipi të ri me titull “Asgjë nuk ndalet”. Ju dëshpëron fakti që me kohën ndryshojnë dhe njerëzit dhe gjithçka që na rrethon?
Po, klipi “Asgjë nuk ndalet” është një këngë tjetër e albumit tim të ri që i kushtohet Tiranës. E kam titulluar “Asgjë nuk ndalet”, për faktin se ndërtimet pa fund e kanë tjetërsuar lagjen ku unë jam rritur tashmë “Tirana e Re” dhe gjithë qytetin, e bashkë me të edhe kujtimet e mia këtu. Ky klip, ku do gjejnë veten shumë njerëz, ishte dhe një shtysë e mbështetje nga miku im Beni i “A.G Motors”, në servisin e të cilit unë çoj makinën time BMW, për ta shëruar nga “dhembjet” që shpesh ndien ajo, duke kaluar nëpër rrugët gjithnjë në ndërtim të Tiranës, dhe kështu lindi ideja pë klipin.

Klipet e tuaja nuk “pushtohen” nga shumë femra, por dallohen për praninë e një femre të vetme që gjithmonë është bionde. Po në dy klipet e reja do të kemi skena romantike?
Te klipi dedikuar Tiranës femrat do të mungojnë fare, ndërsa te “Ditari”, protagoniste kryesore do jetë një femër, që është një modele nga Maqedonia e që për herë të parë do të jetë një brune. Nuk do të ketë skena erotike me të, por ajo do të jetë pranë meje në momentin kur unë nis të shkruaj ditarin në shtëpinë time, një ditar që përfshin shumë elemente nga jeta, pra jo thjesht rrëfime për dashurinë.

Dhe në këtë reflektim të viteve që kanë ikur, ti si ndihesh?
Normal që janë vite që i kujtoj me nostalgji, pasi çdo njeri i kujton pjesët e rinisë si vite të bukura. Por, me kalimin e kohës, shumë gjëra ndryshojnë, njerëzit nuk janë më ata që kanë qenë, shumë eksperienca lënë gjurmë e ndonjëherë s’mund t’i prekesh më. Pavarësisht se tashmë shokët të mi të hershëm janë martuar dhe janë bërë me fëmijë, e unë si një beqar që jam kam më shumë miqësi me djem të rinj, të cilët i kuptoj më shumë. Por, kjo s’do të thotë që kam ngelur pas në kohë, të kuptohemi…!

Kjo do të thotë që jeni në kohë për të shkuar në gjendje civile, edhe e pse mund të jeni i fundit nga shokët e tuaj, apo jo?
Ndoshta martesa është pak fjalë e rëndë, por patjetër që shumë shpejt do e ndryshoj jetën time, pasi po përgatitem të krijoj familjen time. Është më se normale për mua tashmë të hyj në një stad tjetër të jetës, madje mendoj që ky është kufiri i fundit.

Pra, e keni gjetur femrën me të cilën do të ndani jetën? Do të shfaqeni çift së shpejti?
Po normal që ideja është. Por, kaq për momentin. Gjithmonë kur është thënë shpejt është vonuar vendimi për t’u shfaqur unë çift. Me siguri që e kemi marrë veten mësysh gjithmonë, e shpresoj që këtë herë gjërat të shkojnë mirë, siç janë planifikuar.

Ndiheni gati dhe i përgatitur për këtë hap të rëndësishëm?
Normal që po. Mendoj që s’ka sens të vazhdojë më tej kjo gjendje. Dhe dëshira ime më e madhe është jo aq shumë për një celebrim, por për të sjellë në jetë fëmijën tim të parë shumë shpejt, që kam shumë dëshirë të jetë vajzë. U bënë disa vite që e kam ndarë mendjen për këtë çështje, por tashmë e kam vendosur dhe do e finalizojmë shumë shpejt.

Jeni ju ai që i keni prishur planet deri tani?
Ndoshta, nga ideja e sakrifikimit për artin.

Pra, jeni një mashkull egoist?
Ndoshta po, dhe besoj ky është problemi im. Por, prapë s’besoj se është diçka negative, sepse këtu fjala për egoizmin në art fjala është për ambicien që të shtyn për të bërë muzikë të mirë.

Femra me të cilen ju do të sillni në jetë fëmijën tuaj, është një nga ato që janë përfolur në media?
Në fakt, unë jam komentuar shumë e në të shumtën e rasteve kot. Por, s’dua të jap asnjë koment derisa gjithçka të konkretizohet.

Ndërkaq, si një artist shumë i njohur, sa të gatshëm e ndieni veten financiarisht për të krijuar familje?
Në fakt, për kaq vite në skenë e ardhmja jonë financiare duhet të ishte e siguruar. Eshtë pikërisht krijimi i familjes dhe investimi që më duhet të bëj për fëmijët e mi nesër, më duhet të punoj shumë, pasi një ditë unë s’do jem ky Redon që jam sot. Mosfunksionimi i ligjit shumë të fuqishëm në botë, që është “ E drejta e autorit” na bën të ndihemi paksa të pasigurtë. Këtu në Shqipëri ndonjëherë më duket sikur luftojmë me mullinjtë e erës në lidhje me këtë çështje, gjithsesi ajo që më mbetet është që unë të vazhdoj të krijoj muzikë të mirë.

Ju mbani një ditar ku shkruani momentet më të veçanta që kaloni?
Jo, ditari im janë këngët e mia.

Shumë trishtim dhe dhimbje në këngët e tuaja, kështu është dhe jeta juaj?
Muzika është dhe ditari im personal, dhe ato që përcjell janë edhe momente nga jeta ime.

Keni rendur pas femrave që keni dashur, po ato pas jush?
Nuk kujtoj momente të tilla, por ndoshta.

Dhe çfarë mendoni se dominon te sjellja e femrave pas ndarjes?
Hakmarrja e tyre.

Keni luajtur me ndjenjat e vajzave, po ju a je lënduar ndonjëherë?
Mendoj se nuk bëj dallim nga njerëzit e tjerë që nuk janë artistë. Mund të më kenë ndodhur të dyja. Në këtë jetë edhe lëndojmë, edhe lëndohemi, por asgjë s’është bërë me qëllim.
Si një artist i viteve ’90, e keni provuar ç’është vuajtja në dashuri?
Në fakt, është krijuar një përshtypje e tillë për mua, pasi me këngët e mia melankolike unë kam fituar çmime gjatë karrierës sime. Natyrisht që muzika është momente ndjesish dhe me baladat që kam krijuar, besoj që kam dhënë nga vetja, përderisa ato kanë hyrë thellësisht në shpirtrat e atyre që kanë gjetur veten.

A keni gjetur një përkufizim për jetën, ashtu siç ju e jetoni?
Jeta për mua është si një film, ku ka brenda saj dashuri, dhembje dhe gëzime.

Si një djalë artistësh, në art keni shkelur mbi dafina apo në zonë të minuar?
Sigurisht që kam shkelur në rrugë të vështira, patjetër që kam pasur bërryla e s’e kam pasur aspak të lehtë.

Cili është momenti juaj perfekt për të krijuar?
Muza vjen kur do ajo. Darka në përgjithësi, dhe për çudi periudha e verës për baladat e dhimbshme. Ndërsa në dimër jam i frymëzuar për këngë më agresive. Është shumë e rëndësishme të marrësh emocionet e atij momenti që vjen.

Cila është muzika që dëgjoni tashmë?
Më pëlqen Country rock, është muzika që preferohet aktualisht në Amerikë, sepse në Europë preferohet tjetër muzikë.

Jeta juaj aktuale është plot aventura, apo një jetë e tërhequr?
Jeta ime është më e vakëta që mund të ekzistojë. Punë, shtëpi dhe studio. Nuk bëj jetë nate, nuk argëtohem pa fund, siç mund të jetë krijuar përshtypja, nuk konsumoj alkool.

Muzikën që bëni e konsideroni si shpikje tuajen?
Mendoj që është shpikje. Unë kam fatin që jam edhe kompozitor, që këndoj krijimet e mia, dhe nuk pres këngë nga të tjerët. Kjo më jep shumë kënaqësi dhe gjithmonë më bën të ndihem mirë. Ka shumë njerëz që ndiejnë, por nuk e materializojnë atë që ndiejnë. Artisti e ka këtë fat.

Ju ka ndodhur të bini në dëshpërim? Çfarë bëni për të dalë nga kjo gjendje?
Patjetër, dhe muzika është ajo që më bën të dal nga kjo gjendje.

Si mund të jeni njëkohësisht edhe mik, edhe rival me këngëtarët e tjerë?
Mundem, pasi unë nuk vuaj nga egoizmi dashakeqës. Më pëlqen dikush që bën muzikë të mirë dhe përpiqem të bëj muzikë më të mirë se ai, por prapë mbetemi miq. Besoj që kjo është dhe arma ime më e fortë, pra një Redon që bën muzikë të mirë.

Në garë muzikore ju bën mirë apo keq, do ta provonit sërish?
Pas fitores në “Kënga Magjike, vendosa ta mbyllja me kaq, por sërish po tundohem nga një bashkëpunim interesant me Gent Myftaraj, për të marrë pjesë edhe këtë vit. Konkurrimet herë të ngrejnë e të ulin nga ana morale, i kam provuar të dyja mbi shpinë. Gjithsesi të shohim.

Më Shumë

Kobra sërish deklarohet i pafajshëm për vrasjen në Prizren

Edhe në shqyrtimin gjyqësor, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli janë deklaruar të pafajshëm lidhur...

“Sot dhe Çdo Ditë Tjetër”: Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër grave

Posta e Kosovës, ka lëshuar sonte në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Sot dhe Çdo Ditë Tjetër”, në kuadër të fushatës kundër dhunës...

Lajmet e Fundit