0.8 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Sejdiu: Ky është koalicion i klientelës së Isa Mustafës me PDK

FatmirSejdiu-ldkIsh-Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryetari I nderit të LDK’së, në një deklaratë për Express ka sulmuar ashpër Isa Mustafën për faktin që është pajtuar të hyjë në Qeveri me Hashim Thaçin. Duke komentuar përbërjen e Qeverisë, Sejdiu ka thënë se ky është një koalicion i PDK-së dhe klientelës së Isa Mustafës.

Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të Sejdiut.

Më në fund përfundoi kjo odisejadë iracionale e bllokimit të procesit të ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, tash e gjashtë muaj pas zgjedhjeve, që tashmë shihet ashiqare se kishte ndodhur kryekëput për interesa të ngushta të një pjese të lidershipit të partive politike dhe me këtë i është shkaktuar dëm i madh vendit. Dhashtë Zoti që të realizohen premtimet e dhëna nga institucionet e konstituuara sot, Parlamenti dhe qeveria. Uroj që kjo të ndodhë!

Sigurisht se qytetarët e Republikës do të mbajnë mend në veçanti fushatën e ashpër dhe vijat e kuqe në qëndrimet e shprehura me pompozitet të liderit të LDK-së Isa Mustafa kundër çfarëdo koalicioni e bashkëqeverisjeje me PDK-në. Kjo retorikë e shprehur nga Isa Mustafa që nga viti 2009 ishte forcuar në vazhdimësi, posaçërisht në zgjedhjet e sivjetme, duke bërë madje edhe lojën me vetëdije me Koalicionin paszgjedhor ”LVAN”, me kinse qëllimin e vetëm lënien e PDK-së në opozitë. Në një kurs të tillë politik lidershipi i LDK-së bënte garën dhe zinte hapësirat e mediave ditë e përditë.

Me këto zhvillime të fundit që u kurorëzuan sot, që në fakt del se janë rezultat i marrëveshjeve shumë më të mëhershme të Isa Mustafës, duke mos u mërzitur fare as për gjashtë muajt e fundit të bllokimit institucional, zoti Isa Mustafa e ka për borxh t’i shpjegojë anëtarësisë dhe simpatizantëve të LDK-së, si dhe qytetarëve të Kosovës, se si erdhi deri te kjo “metamorfozë” e tij, duke hedhur pas shpine gjithë atë që e kishte thënë deri tani.

Isa Mustafa në radhë të parë duhet t’i shpjegojë anëtarësisë së LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, nëse PDK-ja është kjo, partnerja e sotme e LDK-së me të cilën do të përmbushë nevojat e qytetarëve të vendit dhe lëvizjen e proceseve të rëndësishme të zhvillimit të demokracisë dhe proceseve integruese, apo ajo për të cilën ka folur deri para dy javësh, me njerëz të strukturave të SHIK-ut e të krimit të organizuar.

Krejt në fund, duke e parë përbërjen e qeverisë, pjesën e cila aty është në emër të përfaqësimit të LDK-së, duke qenë njëri ndër të vetmit i mbetur në strukturat e LDK-së që nga themelimi i saj, mund të konstatoj se një pjesë e tyre nuk përfaqësojnë as për së afërmi idenë e LDK-së e të vizionit esencial të Presidentit Rugova, e as ndonjë strukturë të LDK-së. Thjesht ky koalicion më shumë gjason në një koalicion të PDK-së dhe klientelës së Isa Mustafës, të cilët LDK-në e shfrytëzuan si trampolinë për të kapur pushtetin.

Më Shumë

Lajmet e Fundit