16.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Kush po tenton t’ia “dhurojë” edhe një fitore PDK-së në Prizren?!

Myrfet ShasivariMyrfet SHASIVARI

Ka disa ditë që qarqet politike, mediale, por edhe anëtarësia e gjërë e LDK-së, janë të befasuar nga disa veprime kapricioze, veçmas në mes të degëve të këtij subjekti politik në Prizren dhe asaj në Zhur, të cilat, tanimë kryesisë qendrore të këtij subjekti politik, i kanë propozuar më tepër se dy emra kandidatësh për kryetar të komunës së Prizrenit në suazat e procesit vijues elektoral. Dhe në aktualitetin, kur pushteti komunal në Prizren, nga subjektet e politikës opozitare po trajtohet si një “bishtalec” i klaneve mafioze dhe kur bartësit e tij, sorollaten nëpër kthinat e gjykatave, të akuzuar për keçpërdorime nga më skandalozet, LDK-ja si forca kryesore e opozitës së këtushme, sikur nuk vepron konform gjendjes së tillë, dhe se nga një gjendje apatike dhe konfuzioni, kërcënon që definitivisht ta lëshojë nga dora shansin e një fitoreje në zgjedhjet e vjeshtës.

Kështu, përderisa dega e LDK-së në Prizren, drejtë kryesisë qendrore të LDK-së i ka adresuar emrat e Eqrem Kryeziut dhe të Hanefi Muharremit, dega e LDK-së në Zhur, përndryshe lokaliteti më i madh rural në vend, e që njëherësh është edhe pjesë e kësaj komune, aspiron që të menaxhojë me komunën e Prizrenit, përmes kandidatit të sajë Nijazi Ademaj. Në këtë kontekst kryetari i LDK-së në Zhur, Shukri Vezaj ka njoftuar se qysh në fillim të qershorit, Kryesisë së LDK-së i është dërguar propozimi që Nijazi Ademaj të jetë ndër kandidatët për kryetar të Prizrenit, pasi që, sipas tij, Dega e LDK-së në Prizren, nuk ka përfillur kërkesën për të dalur me një kandidat të përbashkët!.

Kështu, ndonëse propozimet në fjalë, ka një muaj kohë që janë adresuar te lidershipi i LDK-së, deri më sot, së paku publikisht, nuk dihet për ndonjë përpjekje të autoriteteve të këtij subjekti politik, që ta sanojë këtë gjendje përçarëse brenda strukturës partiake në zonën jugore të vendit. Megjithatë, një fije shprese se përçarja brenda këtij subjekti politik nuk do të thellohet deri në përmasat shqetësuese, sinjalizojnë deklarimet mediale nga ana e Eqrem Kryeziut, i cili përkitazi me kandidaturën e tij për kreun komunal të Prizrenit në zgjedhjet e vjeshtës, ka theksuar se “nuk më pëlqen riciklimi i njerëzve”, pasi në këtë post ai ishte deri në vitin 2007 dhe se ai, madje e ka mbështetë kandidaturën e Muharremit për postin në fjalë. Do theksuar edhe të dhënën se në zgjedhjet e vitit 2009, Muharremi ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit, dhe se garën përballë kryetarit aktual të Prizrenit, Ramadan Muja e humbi me një diferencë minimale votash.

Dhe që kjo gjendje “grindavecësh” në relacionin Prizren- Zhur, sikur të ishte një “surprizë” e vogël për mundësitë e një fitoreje aq të pritur të LDK-së në Prizren, nivelet qendrore të PDK-së, po “përkujdesen” që votat e partisë rivale në qendrën jugore te vendit, të shkapërderdhen edhe më tutje. Kryetari i PDK-së, përgjatë fushatave të shkuara elektorale, Prizrenin e definonte si Jerusalemin e Kosovës, gjendje kjo që sinjalizon se ai me çdo kusht do të tentojë që edhe më tutje, të mos e lëshojë “fronin” e kësaj qendre nga menaxhimi i PDK-së.

Megjithëse jashtë agjendës ligjore për vitin 2013-2014, Qeveria e Kosovës tentoi që deputetët e legjislativit të votojnë riamandamentimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë.Kryeministri Hashim Thaçi u detyrua që të tërhiqet nga ky vendim deri pas zgjedhjeve lokale të nëntorit.

Këto ndryshime, do të mundësonin organizimin e zgjedhjeve lokale edhe për dy komunat e reja; Rogovë dhe Gjonaj. Procedimi në Kuvend për miratim të riamandamentimit të Ligjit për Kufijtë Administrativë, kishte për synim që në zgjedhjet lokale të shkojnë edhe dy komunat e reja, me synimin që PDK-ja ta rifitojë Prizrenin, pasi që ndarja e listës së votuesve në komunën e re, do të dobësonte elektoratin e LDK-së në Prizren.

Sidoqoftë, definimi i kandidatit nga ana e strukturave kompetente të LDK-së, në mesin e tre të propozuarve; Eqrem Kryeziu, Hanefi Muharremi dhe Nijazi Ademaj, do të duhej bërë sa më pare në konsultim me të gjitha organizmat partiake nga ky subjekit politik në Prizren dhe në Zhur, në mënyrë që, së paku fitorja eventuale e PDK-së, të mos mbetet “dhuratë” nga veprime të nxituara, grindavece dhe inatçore në LDK.

Më Shumë

Në Prizren zhduket një vajzë

Një vajzë në Prizren është zhdukur që nga data 30 prill. Siç bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, ankuesja femër...

Në Bajram Curr nesër bëhet përurimi i shtatores së komandantit Tahir Sinani

Më 5 maj (e diel), duke filluar në orën 12:00, në Bajram Curr bëhet përurimi i shtatores së komandantit Tahir Sinanit. Shtatorja është punuar nga...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit