20.9 C
Prizren
E hënë, 5 Maj, 2025

Matoshi: Bravo për Ramushin

HalilMatoshi-analistAnalisti Halil Matoshi e vlerëson lart deklaratën e Ramush Haradinajt, në frymën e së cilës pranoi vetë se bëri gabime në politikë – si lideri i parë që merr mbi vete përgjegjësitë vetjake dhe kolektive të partisë.

Lideri i AAK-së ka mbledhur të shtunën të gjitha strukturat, në një takim në Prishtinë, të cilat i ka informuar për ndryshimet që pritet të bëhen brenda kuadrit të partisë.

Tha se Aleanca nuk do të jetë e njëjtë dhe paralajmëroi reformën e madhe.

Analisti Halil Matoshi, duke folur për Politiko.net, tha se është hera e parë që qytetarët e Kosovës dëgjojnë nga një lider politik këso deklaratash.

“Për herë të parë publiku dëgjon një lider partiak të pasluftës në Kosovë tek flet për përgjegjësitë vetanake dhe të aktivistëve politikë të partisë, si dhe për gabimet politike të lidershipit dhe ky është Ramush Haradinaj”.

Reflektimi i të parit të AAK-së, sipas Matoshit, duhet të jetë shembull për skenën politike kosovare.

Pohon se duhet t’i denoncojë para drejtësisë personat të cilët Haradinaj i quajti “shkelës të ligjit”, “kriminelë” e “profiterë”, dhe i shpalli të përjashtuar.

“Tashmë gjatë kohë është përfolur se AAK (njerëz të saj të fuqishëm me pedigre komandantësh të luftës), veçanërisht në Dukagjin, janë shndërruar në zhvatës e haraçxhinj, të korruptuar dhe gangsterë”, thotë Matoshi për Politiko.net.

“Me një fjalë, disa nga njerëzit e fuqishëm të kësaj partie ishin shndërruar në bashkëpunëtorë të krimit të organizuar, përkatësisht në kapo-banda! Porse ende askush brenda strukturave të kësaj partie nuk e ka thënë hapur këtë”.

“Haradinaj është lideri i parë politik që jo vetëm e pranon se brenda strukturave të AAK-së ka fenomene të tilla degraduese që bien ndesh me ligjin dhe etikën e pushtetit, por ai tërhoqi vëmendjen e publikut kur e dha fjalën se ata njerëz nuk do të kenë vend në këtë parti, me çka bëri të ditur se një reformë spastrimi po nis në AAK”.

“Por, kjo nëse mbetët vetëm në rrafshin verbal për imazh publik, s’është gjë: Haradinaj duhet të flasë hapur dhe me emra konkretë, ai madje duhet ta vizitojë edhe Prokurorinë e shtetit”!

“Vetëm atëherë do të na bindte se e ka vërtet seriozisht dhe se është një lider i sinqertë. Nëse e bën këtë, nëse denoncon tek organet e sundimit të ligjit qoftë vetëm një njeri nga partia e tij, i cili ka rënë ndesh me ligjin, bravo i qoftë. Nëse tre akte tilla, atëherë tre herë bravo. Por, duke pasur parasysh modelet e pushtetit në Kosovë, dyshoj se ai do ta bëjë këtë”.

Halil Matoshi thotë se çdo parti që jep shembuj pozitivë, duke marrë përgjegjësi deri në dorëheqje, mund ta përmirësojë imazhin e vet.

“Jo vetëm AAK, por secila parti politike ka shanse ta përmirësojë imazhin e vet, në radhë të parë duke dhënë shembuj personalë, marrje përgjegjësish deri në dorëheqje. AAK, së këndejmi po e nis së paku verbalisht reformimin e saj – për të kaluar nga mendësia demagogjike-kleptokartike tek mendësia e re e politikave menaxheriale që mbështetet në kodin e etikës së pushtetit dhe të vlerave humanistike”, shprehet Matoshi për Politiko.net.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi vetëm në tri komuna. Humbi Pejën, Gjakovën, Rahovecin dhe Suharekën, pavarësisht se shënoi rritje të numrit të votave të fituara në nivel të vendit.

Ndonëse mori vetëm 9.5 % të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, Ramush Haradinaj u nominua për Kryeministër, pas marrëveshjes mes partive opozitare LDK-AAK-Nisma. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese prishi gjithçka kur vendosi që posti i Kryeparlamentarit t’i takojë PDK-së. Kërkesa për ridizajnim të marrëveshjes nga LDK i dha fund Bllokut, pas gjashtë muajsh përpjekjeje për ndërtimin e institucioneve. Në këmbim të postit të Kryeministrit, LDK arriti marrëveshje me PDK-në më 19 nëntor dhe formuan institucionet e reja këtë javë. AAK mbeti në opozitë. / Politiko.net/

Më Shumë

Rahoveci një hap larg finales, synon ta mbyllë serinë ndaj Prishtinës

Të shtunën janë në program ndeshjet e dyta gjysmëfinale në plejofin e Superligës së Kosovës në hendboll për meshkuj. Nga ora 17:30 në Pallatin e...

Pas kërkesës për rishqyrtim, Komuna zgjat afatin për konkursin e projektimit të teleferikut për në Kalanë e Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka zgjatur afatin e fundit për pranimin e tenderëve në procedurën e prokurimit lidhur me konkursin e projektimit për hartimin e...

Trepça në finale

Lajmet e Fundit