31.7 C
Prizren
E diel, 20 Korrik, 2025

Alo, alo

Flamuri-Luta

(Ua kushtoj stërnipave të mi…)

Kënga e parë:

Alo, rebeli ju flet me celularin e një fije bari,

A më dëgjoni ju me pasaportën e diellit në xhep?

Ç’thonë ditët tuaja të zjarrta prej shtegtari,

Ku hënën si lodër fëmijësh e vërtisni mbi planet?

Kam dëgjuar se në çdo çap si shembull keni diellin

E shëmbëlltyrën e tij, Nënë Terezën, në bamirësi,

Ah, këtu në trekëmbëshin e mustaqeve të Çelës,

Për hatër të urrejtjes varim zogun – dashuri!

Ju, që ecni me pasaportën e diellit në xhep

Në kullën –Eifel marramendje s’ndjeni aspak,

Këtu melankolia në fundin e shpirtit – det,

Na bën të ngjallim euforinë me raki zier për merak.

Këtu, në njërën anë sheh buzëqeshjen skeletik,

Në anën tjetër rrisim brirët e grindjeve si desh,

Ku bollëku i fjalëve të pakuptimta – astmatik

Na godet me pamjaftueshmërinë e të marrit vesh.

Kënga e dytë:

Alo, rebeli ju flet me celularin e një fije bari,

A më dëgjoni ju me pasaportën e diellit në xhep?

Ç’thonë ditët tuaja të zjarrta prej shtegtari,

Ku hënën si lodër fëmijësh e vërtisni mbi planet?

Ka dëgjuar se te ju nuk njihen të egrat përleshje,

Apo ditët –luspa t’ju humbas shkëlqimi,

Ah, këtu, në furrik të jetës pa pikë mëdyshje,

Shpirtligësia ngrohka vezë hakërrimi!

Kam dëgjuar tërë gaz e hare dilni në arë,

Në përballjen e çdo sfide gjoksin ia nxirrni erës,

Ah, këtu, bishti i servilizmit zagar,

Kënaqësinë tërë kallo bëka pas karrierës!

Kam dëgjuar të përngjani si një lule prillore,

Pa njohur mjerimin në vatra me dhimbje – Migjeni,

Ah, këtu, portofoli i qetësisë shpirtërore

Është midis dhëmbëve –ngritje çmimesh si turi qeni!

Kënga e tretë:

Alo, rebeli ju flet me celularin e një fije bari,

A më dëgjoni ju me pasaportën e diellit në xhep?

Ç’thonë ditët tuaja të zjarrta prej shtegtari,

Ku hënën si lodër fëmijësh e vërtisni mbi planet?

Kam dëgjuar se sytë nuk iu shohin ëndrra të zbehta,

Apo të qani veten me lot krokodili plot pikëllim,

Këtu, drutë e pafund të pyetjeve të çiltra,

Bëhen arkivole për përgjigjet pritur me padurim.

Kam dëgjuar si koka turku ditët s’ju priten aspak,

Apo të përplasni turinjtë pas një ngjarjeje të fryrë,

Ah, këtu, rreth korales së një zemërimi pa shkak

U fshehka mendimi-peshk si e kuqja fytyrë!

Kam dëgjuar, nderi i njeriut të mirë s’është përdhosur,

Apo krimineli i veshur me pushtet të jetë si shenjtor,

Ah, këtu, çdo shfaqe superiore e pa damkosur

Dalka prej mbetjeve reaktive të shpirtit njerëzor.

Kam dëgjuar te ju s’u ikën i pakënaqur muzgu,

Apo dashuria për hiçgjë të dënohet me varje,

Ah, këtu, fjala dhe shpata janë plore plugu

Në arën e historisë gati për të mbjell ngjarje!

Kënga e katërt:

Alo, rebeli ju flet me celularin e një fije bari,

A më dëgjoni ju me pasaportën e diellit në xhep?

Ç’thonë ditët tuaja të zjarrta prej shtegtari,

Ku hënën si lodër fëmijësh e vërtisni mbi planet?

Kam dëgjuar se shpirti s’ju rri i uritur asnjëherë,

Me dhimbje të pafund flakur tej në harrim,

Ah, këtu, te tempulli i një simboli të pavlerë,

U falka vetë injoranca e zhytur në mjerim!

Kam dëgjuar se gazi i pakufi i vogëlushit lot,

Jep leksione – zemre çdo njeriu me shpirt katili,

Ah, këtu, ëndrrat që nuk i rezistojnë kohës dot,

Qenkan petale kumbulle të rrëzuara prilli!

Kam dëgjuar se ditët tuaja kapur dorë për dore,

Si vogëlushë pas bukurive rendin tërë shend,

Ah, këtu, njerëzit llufitin kafe –shije lindore

Në anën tjetër ca ide perëndimore u vijnë ndërmend!

Kënga e pestë:

Alo, rebeli ju flet me celularin e një fije bari,

A më dëgjoni ju me pasaportën e diellit në xhep?

Ç’thonë ditët tuaja të zjarrta prej shtegtari,

Ku hënën si lodër fëmijësh e vërtisni mbi planet?

Kam dëgjuar, mbi kokë si saç – korriku ditës vonë

I vini më të voglit gabim si ndëshkim,

Ah, këtu, me ventilatorin e të thënës me pasion,

Freskojmë sharlatanizmin ngritur tek i larti nderim!

Kam dëgjuar, bukën se lyeni asnjëherë me shëllirë,

Apo delet brenda në ahur të blegërijnë plot uri,

Ah, këtu, delet e përgojimeve që pa gdhirë,

Kullosin në hasëllin e njëri-tjetrit ndodhi!

Kam dëgjuar, kohën nuk ju ha bixhozi apo disku,

As pleqëria nuk jua bën punët fare çorap,

Ah, këtu, me feta buke të një përkrahje miku,

Ushqejmë përputhjen e mendimit me të voglin çap!

Kënga e mbylljes:

Alo, rebeli ju flet me celularin e një fije bari,

A më dëgjoni ju me pasaportën e diellit në xhep?

Ç’thonë ditët tuaja të zjarrta prej shtegtari,

Ku hënën si lodër fëmijësh e vërtisni mbi planet?

Kam dëgjuar të përngjani si një lule grillore,

Pa njohur mjerimin në vatra me dhimbje – Migjeni,

Ah, këtu, portofoli i qetësisë shpirtërore

Është midis dhëmbëve –ngritje çmimesh si turi qeni!

Shkruan:Flamur Luta

Më Shumë

Gjakova për herë të parë mbështet Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Gjakovës i është bashkuar për herë të parë si bashkëfinancuese edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, që po zhvillohet në Universitetin...

Dëshmitari tregon se si ia shëroi plagët një personi që ishte rrahur e maltretuar në burgun e Prizrenit

Në gjykimin për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, dëshmitari Murat Haxhia tha se personin Sefer Ejupi e kishte shëruar nga plagët që kishte marrë...

Lajmet e Fundit