18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Analistët: Zgjedhjet të mbahen në qershor

zgjedhjet5Analistët politikë, Naim Rashiti dhe Imer Mushkolaj, kanë thënë të enjten se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në qershor të këtij viti. Ata kanë theksuar se çdo vonesë pas qershorit vonon edhe proceset e tjera si dhe vazhdon situatën e paqëndrueshme të institucioneve të Kosovës.
Njohësi i proceseve politike, Naim Rashiti, ka vlerësuar të enjten se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në muajin qershor. Sipas tij, çdo vonesë pas qershorit vonon edhe proceset e tjera si dhe vazhdon situatën e paqëndrueshme të institucioneve të shtetit të Kosovës. “Shihet qartë se PDK-ja nuk është përcaktuar për datën e zgjedhjeve. Megjithatë, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në qershor. Kështu edhe liderët kanë premtuar dhe se qeveria ndodhet në një situatë ku nuk vepron me kapacitete të plota. Çdo vonesë pas qershorit vonon edhe proceset dhe vazhdon situatën e paqëndrueshme të institucioneve. Ka shumë detyra pas zgjedhjeve, duke përfshirë edhe implementimin më të shpejtë të marrëveshjeve të dialogut”, ka thënë Rashiti për “Epokën e re”.

Edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, ka thënë të enjten se në bazë të zhvillimeve që kanë ndodhur, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në muajin qershor. “Punën e zgjedhjeve e shoh si një lloj lotarie, por logjikisht ish dashur të mbahen në qershor, për shkak se të gjitha këto zhvillime që kanë ndodhur si dhe të gjitha këto veprime që janë ndërmarrë nga Kuvendi dhe institucionet e tjera janë marrë me logjikën që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor”, ka thënë Mushkolaj për “Epokën e re”. Sipas tij, mosmbajtja e zgjedhjeve në qershor do të jetë një fiasko për LDK-në. “Kjo varet nga z. Thaçi dhe z. Mustafa. Ky i fundit e ka dhënë një premtim se do të bëjë të mundur që zgjedhjet të mbahen në qershor, kështu që mosmbajtja e tyre në qershor do të ishte një fiasko për LDK-në në radhë të parë”, është shprehur Mushkolaj.

Ai ka thënë se në qoftë se zgjedhjet nuk mbahen në qershor, atëherë do të mbahen në nëntor, pasi shtatori është muaj i papërshtatshëm. “Këtu prapë hyn në lojë ai aspekti i përfitimeve politike të subjekteve të caktuara dhe liderëve të caktuar politikë, të cilët e masin me kutin e tyre partiak nëse duhet ose jo që zgjedhjet të mbahen në qershor. Personalisht jam që zgjedhjet të mbahen në qershor, për shkak se, në qoftë se nuk mbahen në këtë muaj, atëherë nuk ka gjasa të mbahen deri kah muaji nëntor. Shtatorin e përjashtoj si mundësi për shkak se është kohë e papërshtatshme, meqë vjen menjëherë pas pushimeve”, ka deklaruar Mushkolaj.

Po ashtu, Mushkolaj ka deklaruar se për këtë legjislaturë problem do të paraqesë edhe çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet, për të cilat ka shprehur mendimin se do t’u vazhdohen, pavarësisht kundërshtimeve në opinion. “Çështja e minoriteteve është problem i madh, megjithatë besoj se vendet e rezervuara do t’u vazhdohen, pavarësisht këtyre kundërshtimeve e replikave që po ndodhin publikisht dhe do të mund të bëhet transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Pra, tash do të vijë një situatë, që jo vetëm prej aktorëve shqiptarë të subjekteve politike do të varet se çka do të ndodhë në këtë vend, mirëpo edhe prej minoriteteve të cilët e kanë në dorën e tyre të vendosin edhe për çështje shumë të rëndësishme siç është transformimi i FSK-së në ushtri”, ka vlerësuar Mushkolaj, duke shtuar se derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare do të arrihet marrëveshje për transformimin e FSK-së në ushtri edhe për vendet e rezervuara për minoritetet në Kuvendin e Kosovës.

Më Shumë

1 mijë e 698 tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëve në Kosovë

1 mijë e 698 tiketa trafiku janë shqiptuar brenda 24 orëve në Kosovë.   Kështu ka bërë të ditur policia përmes statistikave të përgjithshme në raport,...

Osmani ia jep Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit ‘Oda’

Presidentja Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë, ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit “Oda” për promovimin e...

Lajmet e Fundit