11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Arbër Rexhaj, kandidati më i ri që garon për kryetar komune në Kosovë

Arber rexhaj ne konferencKandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Prizrenit Arbër Rexhaj, është kandidati më i ri, që në zgjedhjet e nëntorit garon për kryetar të një komune në Kosovë. Ai thotë se ndihet i priveligjuar që në nivel të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje është i pari në valën e ndryshimeve të perceptimit shoqëror mbi brezat e rinj. “Fillimisht jam trembur pak, sepse të dallohesh për diçka, në nivel republike, nuk është dic e vogël, por, tani pasi e kam menduar më mirë këtë punë, ndihem i privilegjuar. Sidomos për faktin se mund të jem i pari në valën e ndryshimeve të perceptimit tonë shoqëror mbi brezat e rinj. Besoj se ndryshimi nuk vjen vetëm si plejadë e re, në kontekstin e brezit të moshës, por më shumë si një frymë e re”, thotë Rexhaj për “PrizrenPress”.

Sipas tij, energjinë rinore nuk duhet parë vetëm si puls ekspresiv, por edhe si mundësi për ndryshime më të mëdha. “Mendoj që edhe tek subjektet tjera ka vlera të respektueshme në mesin e të rinjve, por ende nuk kam parë ndonjë kandidat të dal nga to. E kam përshtypjen se të rinjtë janë të spostuar që të presin në radhë. Megjithatë Vetëvendosja nuk e bën këtë ndarje, prandaj jam edhe kandidat për kryetar komune”, shprehet Rexhaj.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, me kandidaturën e tij, tashmë e ka thyer këtë klishe shoqëror. “Mendoj që këtë klishe shoqërore më e kemi thyer, falë guximit tonë dhe falë përkrahjes së aktivistëve të qendrës sonë. Të rinjtë tek ne nuk janë të ngulfatur me hendikepet e moshës, por ata kanë alternativë, vullnet dhe guxim. T’ju them të drejtën kur jam kandiduar jam ndier tepër me përgjegjësi dhe menjëherë gjëja e parë që kam bërë ka qenë biseda me gjyshin tim. Ai fillimisht më ka ngacmuar për moshën e re, por më pas më ka inkurajuar duke më thënë se e ardhmja u përket të rinjve, por kjo e ardhme fillon tash”.

Rexhaj tregon se moshën e re të tij nuk e sheh si hendikep në këto zgjedhje, por si përparësi. “Si i ri që jam e kam fuqinë e perceptimit të ndiej nevojat e brezave më të moshuar, por po ashtu e ndiej edhe energjinë e atyre që janë më të rinj se unë. Kam parasysh dhe respektoj përvojën e moshës, por ka ardhur koha që edhe të rinjtë të jenë pjesë aktive e vendimmarrje. Derisa varrezat e dëshmorëve janë të mbuluar me trupat e të rinjve tanë, mosha mesatare e ushtarëve tanë në luftën e fundit nuk kapërcen moshën 19, pse atëherë duhet të ekzistojnë barriera dhe paragjykime sa i përket aftësive të të rinjve për udhëheqje dhe qeverisje”, thotë ai.

Në zgjedhjet lokale të nëntorit për kryetar të Komunës së Prizrenit garojnë gjashtë kandidatë. Të gjithë kandidatët e tjerë janë shumë më të moshuar se sa kandidati i VV-së Arbërë Rexhaj. Madje, disa prej tyre mund të jenë edhe gjyshër i Rexhajt.“Unë jam shqiptar dhe e respektoj traditën tonë. Për gjyshërit tanë përherë kemi pasur respekt dhe jemi ndier krenar për ta. Mirëpo për këta gjyshër, dy doktor që kanë keq-qeverisur me Prizrenin pos respektit që ka të bëjë me moshën, nuk mund të them të njëjtën sa i përket dallimeve tona konceptuale dhe alternativave që ne përfaqësojmë. Ndihem i barabartë në garë. Por ndihem më shumë se i barabartë konceptualisht dhe në vizion, sepse alternativa që do ta përfaqësoj i tejkalon ata. Ne do ta japim shembullin e qeverisjes së mirë kur ta fitojmë garën zgjedhore”, shprehet Rexhaj.

Ai thotë se në këto zgjedhje do të garojë si alternativë për qytetin e Prizrenit. Sipas tij, Vetëvendosje! alternativën e vet do të prezantohet në fushatë e tera. “ Ne kemi nisur pjesë të veçanta t’i paraqesim edhe tani. Alternativa jonë bazohet në ekonominë lokale si prioritet bujqësinë, kulturën si ekonomi, arsimin e shëndetësinë, më pastaj edhe të rinjtë përmes pjesëmarrjes në jetën institucionale dhe përmes veprimtarive të ndryshme shoqërore. Megjithatë, duhet ta ceki se alternativa jonë e ka për synim ta dëshmojë se mund të kujdesemi, në mënyrë të barabartë, për të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë. Ne si lëvizje, themel të ideologjisë sonë e kemi drejtësinë sociale dhe dhënien e rasteve të njëjta për të gjithë. Mendoj se në këto dy elemente fuqizohet edhe ideja jonë madhore për një shtet të fuqishëm, si fazë të parë, dhe bashkim kombëtar, si përmbyllje e natyrshme e projektit tonë”, thotë Rexhaj. /PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Lajmet e Fundit