Në nëntor të viti 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e harmonizuar nga grupet parlamentare për shtesat e fëmijëve, me të cilat parashihet që fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare, çdo muaj t’u jepen nga 10 euro. Edhe pse ishte premtuar që ndarja e shtesave të fillojë gjatë vitit 2019, kjo nuk ndodhi.
Mentor Morina, nga zyra për Informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Radio Kosovën se pasi është përpiluar koncept-dokumenti, pritet se cila do të jetë qasja e qeverisë së re ndaj këtij procesi.
Ende nuk ka filluar shpërndarja e shtesave për fëmijë në vlerë prej 10 euro, të premtuara që nga viti i kaluar. Madje, ato nuk do t’i marrin të gjithë fëmijët në Kosovë, tha për Radio Kosovën, Mentor Morina nga zyra për Informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas tij, shtesat do t’u takojnë vetëm fëmijëve të familjeve me të ardhura më të ulëta.
“Të gjitha familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale do t’i kenë nga 10 euro shtesë për çdo fëmijë të familjeve që klasifikohen me të ardhura të ulëta. Por është shume e rëndësishme të shohim edhe rekomandimet që do të vijnë nga program i ri i qeverisë”, tha Morina.
Kelvis Vaqari, që merret me mbrojtjen e fëmijëve nga Organizata “KOMF” i tha Radio Kosovës se sapo të arrihet strukturimi mes ministrisë dhe qeverisë, do të kërkohen përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse lidhur me shtesat e fëmijëve.
“Më t’u finalizuar strukturimi, ne menjëherë do të kërkojmë se ku kanë mbetur programet që janë miratuar më herët, dhe ku janë në agjendën qeveritare të kësaj qeverie të re të sapoformuar”, tha Vaqari.
Ndryshe, në nëntor të viti 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e harmonizuar nga grupet parlamentare në lidhje me shtesat e fëmijëve. Ndarja e shtesave për fëmijë, ishte premtuar që do të fillojë gjatë vitit 2019, por kjo gjë ënde nuk ka ndodhur.