21.7 C
Prizren
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Aventura e re e Thaçit rrezikon Republikën

Fillimi edhe zyrtar i një faze të re të dialogut me Serbinë, që po bëhet tani nga dyshja e presidentëve të të dyja vendeve, Thaçi e Vuçiq, pa e pritur konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, pasi në pranverë të këtij viti ky dialog është ndërprerë me një rezolutë të Kuvendit me konsensus të të gjitha subjekteve politike të shumicës shqiptare, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe analistëve, është një veprim i papërgjegjshëm i presidentit të Kosovës. Ata thonë se kjo mund të kualifikohet madje edhe si shkelje e rëndë kushtetuese, sepse ai po e shfrytëzon këtë boshllëk institucional dhe po e vazhdon dialogun me një anashkalim dhe tejkalim të institucioneve të reja, të cilat duhet të formohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe të marrin përgjegjësi institucionale në vazhdimin e qeverisjes së vendit, në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën -koalicioni PAN, i tha gazetës se kjo është një shkelje e rëndë e presidentit të vendit, i cili sidomos tani që Kosova është pa institucione të reja paszgjedhore, nuk ka asnjë legjitimitet të negocimit në emër të Kosovës për çështje që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e shtetit.

“Faza e re, për të cilën po thirret Hashimi është një vazhdimësi e papërgjegjshmërisë së një personi në institucionet e shtetit, sepse fazat e reja apo ato të vjetrat i rregullon ekzekutivi i vendit, sepse Kosova është një shtet me rregullim parlamentar dhe jo sistem presidencial”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet të reagojë edhe Kuvendi, por edhe qytetarët.

Po shkelet Rezoluta e Kuvendit

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, po ashtu është kritik ndaj sjelljes injoruese të presidentit të vendit karshi institucioneve, që janë në pritje të themelimit, për të marrë eventualisht mandat përfaqësimi në këtë proces. Ai thotë se debatet ndaj procesit e formatit të dialogut Kosovë-Serbi nuk janë përmbyllur, prandaj ky është një veprim i pashembullt i presidentit të vendit. “Republika e Kosovës veç që gjendet para një situate pa qeveri e opozitë të re, ajo ka në fuqi një Rezolutë, e cila është miratuar nga legjislatura e kaluar e që decidivisht kërkohet pezullimi i dialogut. Shkuarja e presidentit Hashim Thaçi në Bruksel, duke proklamuar se është duke filluar një fazë të re të dialogut pa një konsensus të brendshëm, absolutisht mund të konsiderohet kundër strategjisë shtetërore të Kosovës, ndaj procesit të Brukselit. Shteti i Kosovës po lëngon nga mosllogaridhënia, e kjo është fuqishëm në dëm të interesave shtetërore. Anashkalimi i interesave shtetërore, duke imponuar agjenda e strategji kokë më vete nga ana e presidentit të vendit, është padyshim shkelje flagrante e rregullave demokratike e kushtetuese, për të cilat më së shumti ka nevojë Republika e Kosovës”, tha Maloku për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se edhe kapaciteti kushtetues i Kosovës në çdo çështje, që lidhet me interesin shtetëror të vendit, është i akorduar në atë mënyrë që i njeh palët institucionale siç është Qeveria e Kuvendi, e në këtë rast janë injoruar dhe anashkaluar. “Tejkalimi i këtyre kapaciteteve do të jetë shumë i dëmshëm për Republikën dhe këto kapacitete nuk duhet t’i tejkalojë as presidenti. Veç atij kushtetues, edhe kapaciteti politik i presidentit të Kosovës dhe të Serbisë dallon. Pas zgjedhjeve në Serbi, presidentit Vuçiq populli i dha pushtet gati gjysmë diktatorial, me mundësi të kontrollit maksimal edhe të Qeverisë edhe të Kuvendit, e që në rastin e presidentit të Kosovës kjo nuk qëndron”, theksoi Maloku.

 

Serbia synon koncesione të reja

Po aq kritik është edhe politologu Gurakuq Kuqi, i cili duke iu referuar këtyre zhvillimeve të fundit, thotë se tani kemi dy veprime dhe dy deklarime të ndryshme nga Thaçi dhe Vuçiqi, ku i pari vepron për interesa personale, ndërsa i dyti t’i nxjerrë koncesione më thellë Kosovës. “Të merremi së pari me Vuçiqin, i cili po luan një politikë të vërtetë. Vuçiq për të ruajtur populizmin në Serbi, duke shfrytëzuar vakumin politik në Kosovë dhe frikën e shqiptarëve nga Gjykata Speciale, ai njërën këmbë po e mban në Moskë e tjetrën në Bruksel. Ku nga Moska po fiton aksione politike dhe me atë të Brukselit po i zbaton ato.

Vuçiq ka deklaruar se duhet të kujdesen për serbët jo në veri të Kosovës, por brenda në Kosovë, se ata janë të rrezikuar dhe të pambrojtur, ku me këtë rast veriun e heq nga vëmendja dhe e bën një akt të kryer të kontrollit të Serbisë, duke hapur tema të reja për kinse probleme dhe koncesione për serbët në pjesë të tjera të Kosovës”, u shpreh Kuqi për “Kosova Sot”.

“Në anën tjetër, Kosova këtu po i ndihmon Serbisë të realizojë grackat e saj. Presidenti Thaçi me vendimin për bisedime me Serbinë në Bruksel, po bën një anashkalim total institucional, demokratik me veprime totalitariste. Thaçi duke u munduar tani t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, po ndërmerr aksione për të shpëtuar veten, duke u treguar si lider që i shtyn proceset përpara dhe është i vetmi, i cili mund të sjellë dialog me Serbinë, mjeshtërisht duke shfrytëzuar edhe antipatinë serbe ndaj Ramush Haradinajt, dhe gjysmë neverinë e Brukselit ndaj Albin Kurtit. Ky dialog duhet të niset vetëm me bekimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përndryshe është një dialog ose privat, ose Kosova është e privatizuar dhe autoritariste. Kuvendi menjëherë pas konstituimit duhet të marrë masa ndaj këtij dialogu të presidentit, i cili madje do të tentojë edhe të krijojë krizë në Kosovë me dhënien e mandatarit për kryeministër, që herën e dytë mund të kemi marshime në rrugë, gjë që veç u paralajmërua, dhe gjitha këto turbullira t’i shfrytëzoj që vetë të dalë i pastër nga Gjykata Speciale dhe lider i krizave”, u shpreh Kuqi.

Image
Kuvendi të autorizojë bisedimet e radhës

Analisti Skënder Mulliri e konteston akoma më thellë legjitimitetin dhe legalitetin e përfaqësimit të tanishëm të Kosovës në këtë dialog nga presidenti Thaçi, i cili as nuk është njohur në momentin e zgjedhjes dhe as nuk njihet akoma si figurë e unitetit përfaqësues politik të vendit. “Hashim Thaçi është zgjedhur për president në kushte të shtetrrethimit që është precedent. Opozita nuk e ka pranuar legjitimitetin e zgjedhjes së tij me vota të LDK-së. Është absurde të fillohen bisedimet me Serbinë, kur ende nuk janë formuar organet e reja shtetërore të Kosovës”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”, duke shtuar se në këto kushte politike partitë politike ishte dashur të reagojnë fuqishëm kundër bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Pa një rikonfirmim dhe autorizim të ri të Kuvendit, qoftë edhe me riformatim të ekipit të bisedimeve, nuk e sheh të arsyeshëm asnjë takim të këtij niveli, edhe analisti Ali Hertica. “Dialogu për marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e interesit shtetëror, por të gjithë këta hapa nga presidenti duhet të merren në bashkëpunim me Kuvendin e ri të Republikës, që do të krijohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe nga qeveria e re, e cila duhet të jetë po ashtu rezultat i një marrëveshjeje të re politike nga këto zgjedhje. Kështu që në këtë aspekt mendoj se duhet të jenë të bashkuara të gjitha subjektet politike dhe institucionet shtetërore, pra dhe partitë politike parlamentare pa përjashtim, pavarësisht se kush do ta marrë timonin e bisedimeve”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”

Më Shumë

Promovohet libri post-mortum i Metë Shatrit për historinë e arsimit në Prizren

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të profesorit dhe veprimtarit të njohur Metë Shatri, është përuruar libri post-mortum i tij me titull "Arsimi fillor...

125 raste me kancer gjiri në QKUK gjatë këtij viti, falë metodës “Sentinel” u shpëtuan 22 gra nga heqja e gjirit

Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK gjatë muajve të parë të vitit 2025 janë kryer 176 ndërhyrje në gjoks, prej të cilave 125...

Lajmet e Fundit