22.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Barra e njeriut të varfër

AlbinKurti1205Shkruan:Albin Kurti

Për shtetin e Kosovës më së shumti janë sakrifikuar e kanë kontribuar pikërisht të varfrit. Prej punëtorëve e bujqve e deri te dëshmorët e martirët, që të gjithë këta, përgjithësisht, vinin nga shtresat e varfra. Pas çlirimit ishin përsëri të varfrit ata që sakrifikuan dhe kontribuuan më së shumti për pavarësinë që u shpall nëntë vjet më vonë. Madje, edhe autostradat në Kosovë i kanë paguar më së shumti të varfrit (prej të cilëve kryesisht mbushet buxheti i shtetit), kurse i shfrytëzojnë më së shumti të pasurit (të cilët voziten me makina luksoze e të shpejta).

Në Kosovën e pasluftës me paramendim u gatua karakteri neoliberal i shtetit. Çdo ditë bëhej e qartë se ky shtet i ri do t’iu takonte të pasurve si vegël e tyre. Burokratët ndërkombëtarë kështu donin dhe komandantë të luftës po nguteshin të zinin hapin. Në Kosovën e çliruar, pra jo në atë duke u çliruar, njëmend ka ndodhur një revolucion: shumë individë tejet të varfër brenda natës u bënë super të pasur. Por, ky pasurim ishte i individëve dhe i tillë ishte edhe revolucioni – në jetën e një numri të kufizuar të individëve që vazhdimisht i shtynin kufijtë e pasurisë së tyre. Meqenëse të gjithë këta individë edhe po i mblodhe bashkërisht e përbëjnë veçse një pakicë të vogël, ky revolucioni ishte revolucion i pakicës e për pakicën – rrjedhimisht, ishte reaksion.

Protektorati ndërkombëtar në Kosovë, na mban e na lë edhe pa ushtri edhe pa ekonomi e me tepër shumë politikë të kotë. Prandaj, në Kosovë nuk kemi punë e aksion dhe kemi tepër shumë debate e polemika. Modeli ekonomik i të gjitha qeverive bazohej te shpresa për investime të huaja, të cilat në vitin që po e lëmë pas ishin katërfish më të ulëta sesa në vitin paraprak 2013. Fundja, si mund të kërkojmë investime nga jashtë në Kosovë kur paratë e Kosovës (Fondi i Privatizimit, Trusti Pensional, Bankat Komerciale) investohen jashtë Kosovës?!

Çdoherë kur shkonin në udhëtime jashtë vendit, qeveritarët kosovarë nuk i merrnin me vete prodhuesit vendës që do të mundë të eksportonin por sekretareshat dhe këshilltarët dyfish a trefish më të rinj në moshë. Nga këto vizita ata na e kanë sjellë vetëm një rezultat dhe përherë të njëjtin rezultat: rikonfirmimin e perspektivës (evropiane)!

Në vendet e tjera të rajonit ka edhe akumulim edhe koncentrim të kapitalit, ndërkaq në Kosovë kemi koncentrim të tij në maje pa akumulim. Pasuria e Kosovës po zvogëlohet kurse pasuria e pushtetarëve po rritet. Edhe s’kemi akumulim të kapitalit (për shkak të deficitit tregtar) edhe kemi koncentrim të punësimit (te Qeveria dhe ndërmarrjet publike).

Shteti patjetër duhet të shpenzojë për të varfrit dhe t’i tatojë të pasurit. Mirëpo, në Kosovë bëhet e kundërta. Sistemi i shfrytëzon dyfish të varfrit: individualisht me kamata të larta të kredive dhe kolektivisht me tatime joprogresive.

Bankat në Kosovë i kanë kamatat e larta, shërbimet e shtrenjta kurse interesin në depozita të ultë. Kamatat në kredi janë mesatarisht 15 herë më të larta sesa interesi në depozita. E, dihet se kur kamatat janë të larta, atëherë investimet orientohen në asetet financiare me rrezik dhe përfitim të lartë, figura ideale e të cilave është kazinoja.

Kur privatizohet gjithçka në ekonomi dhe shoqëri nuk mund t’i shpëtosh pastaj nga privatizimi institucionet politike. Kur një ministër a kryeministër thotë që duhet të shitet PTK-ja, pra duhet të shitet posta jonë, pse ai nuk do ta shiste a blinte postin e vet?! Kosova është një vend ku borxhet private (të politikanëve për pushtet) janë bërë borxhe publike (të qytetarëve që mbijetojnë).

Në shtetin tonë ka jo pak individë shumë të pasur. Mirëpo, është vetë shteti ai që është i varfër, populli është i varfër. Pra, çështja është (ri)shpërndarja. Nga vend i shkëmbimit dhe i konsumit, ne kemi nevojë ta bëjmë Kosovën vend edhe të prodhimit e të shpërndarjes. Pra, Kosova ka nevojë për progres shoqëror e jo vetëm për suksese individuale. Ernst-Ulrich Huster thoshte që “Nëse flasim për të varfrit nuk duhet të heshtim për pasurinë”, ndërkaq J. K. Galbraith se “Nga të gjitha klasat, të pasurit vërehen më së shumti e janë studiuar më së paku”.

Mbijetesën në Kosovë nuk na e mban Qeveria por Mërgata. Qeveria na e vështirëson mbijetesën, kurse ata qytetarë që nuk kanë familjarë në mërgatë që u dërgojnë të holla ata po vendosin të emigrojnë vetë, duke e rrezikuar edhe jetën për mbijetesë jashtë vendit.

Kur qeveritarët na flasin për shanset e barabarta të qytetarëve nuk ka si të mos na kujtohet Pierre Bourdieu teksa thotë që “Vetëm në përvojën imagjinare (p.sh. në përralla), në të cilën neutralizohet sensi i realiteteve shoqërore, bota sociale merr formën e një universi të mundësive njësoj të mundshme për cilindo subjekt të mundshëm.” Realisht, vetëm qytetarët tashmë të barabartë mund të kenë shanse të barabarta.

Ekspertët e huaj që janë kundër tregut të mbrojtur gjithsesi janë duke mbrojtur privilegje të tjera (të shteteve a korporatave) të tyre. Pra, thonë se e respektojnë dhe e duan lirinë tonë sepse e gjithë kjo situatë ua mundëson privilegjet atyre dhe fitimin si rezultat. Andaj s’flasin për të drejtat dhe interesat tona, por për lirinë tonë si vlerë (sic.). Andaj, Thomas Piketty me të drejtë thekson që nuk duhet ta idealizojmë tregun dhe as ta depolitizojmë pabarazinë.

Pse ne nuk e prodhojmë dot ushqimin tonë edhe pse kemi bukur shumë tokë bujqësore? Këtë duhet ta shtrojmë si pyetje për çdo ditë. Tekefundit, varësisht nga subvencioni që merr një prodhim i huaj në vendin e tij të origjinës, ai duhet të tatohet në Kosovë me rastin e importit të tij. Në Kosovë, as kjo nuk ndodh. Dhe, nuk do të ndodhë pa një Qeveri të Vetëvendosjes!

Ne kemi nevojë për revolucion të shumicës, që shumica të pasurohet, shumica e varfër. Një pakicë e vogël e të varfërve të dikurshëm që u pasurua tash ka instaluar sistem që të pasurohen gjithnjë e përgjithmonë. Ky sistem duhet luftuar sepse ai duhet zhbërë. Ky sistem duhet zhbërë sepse po e bën Kosovën të pajetueshme për shumicën.

Qytetarët e klasës së mesme në Kosovë që përnjëmend i duan ndryshimet duhet të afrohen me të varfrit. Veçse duke ditur se dikujt, i cili është rrëzuar përdhe, nuk mund t’i ndihmosh pa rënë në gjunjë aty pranë. Duhet të përshtatemi te populli që të kemi ndryshime të Qeverisë. Pa u ngritur të varfrit nuk bie ky regjim.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kryesisht orëve të pasdites dhe mbrëmjes të ketë kohë pas kohe...

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit acarohet me vendimin e MPJ-së ku iu ndalua hyrja në Kosovë, patriarkut serb

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare, të cilat i ndaluan hyrjen në territorin e Kosovës, patriarkut serb, Porfirije. Nga...

Lajmet e Fundit