4 C
Prizren
E hënë, 16 Shkurt, 2026

Biblioteka e Prizrenit kremtoi jubileun e 80-të

Të premten, me një manifestim kulturor, është shënuar jubileu i 80-të i themelimit të Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Kjo bibliotekë, më e vjetra në Kosovë, festoi përvjetorin e saj me një ngjarje të veçantë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se ky përvjetor është një mundësi për t’u angazhuar edhe më shumë në ngritjen e këtij institucioni si një qendër të dijes dhe inovacionit. Ajo shprehu angazhimin për të vazhduar zhvillimin e bibliotekës, duke e shndërruar atë në një udhërrëfyes të dijes për brezat e ardhshëm.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, dhe drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Adem Morina, lavdëruan punën dhe kontributin e Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Ata nënvizuan se kjo bibliotekë, bashkë me institucionet e tjera kulturore, do të jetë në fokus të veçantë nga ana e Komunës së Prizrenit, duke u mundësuar mbështetje dhe zhvillim të mëtejshëm.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti”, Xhafer Beqiraj, foli për rëndësinë historike të Bibliotekës së Prizrenit, e cila gjatë dekadave ka qenë një tempull i dijes, duke shërbyer si një dritare dhe burim i kulturës, arsimit dhe zhvillimit intelektual për komunitetin. Ai e përshkroi bibliotekën si një institucion që ka lënë një ndikim të thellë në historinë kulturore të qytetit.

Në kuadër të këtij përvjetori, u promovua libri i 27-të me radhë i Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit, i titulluar “Vargjet e 80 vjetorit”, që përmban poezi dhe prozë nga shumë krijues letrar. Pjesë e këtij manifestimi ishin edhe paraqitjet muzikore të dy profesoreshave të muzikës, Kaltrina Krasniqi-Marseli dhe Alma Lleshi-Maculla, si dhe një interpretim vallëzimi nga anëtarët e rinj të ShKU “Agimi”.

Ky aktivitet ka shërbyer si një hap i rëndësishëm për të reflektuar mbi arritjet e Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit dhe për të nderuar trashëgiminë e saj të pasur kulturore.

/TV Prizreni/

Më Shumë

Spektakli i basketbollit në Prizren

Nga 11 deri më 15 shkurt palestra ‘Sezai Surroi’ do të jetë spektakël i basketbollit për Kupën e Kosovës. Më 11 shkurt do të zhvillohen...

Arrest shtëpiak për 15 të dyshuar për manipulim votash në Dragash dhe Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur më 10 dhe 11 shkurt katër seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktimin e masave...

Lajmet e Fundit