12.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Blerim Kuçi: AAK do të jetë ndër dy partitë kryesore

Në Info Magazinen e sotme është diskutuar për Kryesinë e re të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – përbërjen e partisë dhe vizionin për të ardhmen.

Në këtë strukturë udhëheqëse, e shtata prejse AAK-ja është themeluar, nënkryetarë të rinj janë: Ahmet Isufi, i cili rizgjidhet, dhe të tjerët: Ardian Gjini, Pal Lekaj, Gazmend Abrashi dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Ardhje e re në Aleancë është gazetari dhe analisti politik, Muharrem Nitaj, i cili do të jetë njeriu kryesor për media i AAK-së.

Të ftuarit e Kushtrim Sadikut ishte i posazgjedhuri si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës, Blerim Kuçi dhe Artan Muhaxhiri, sociolog/analist politik.

Kuçi tha se “ndryshimet brenda AAK-së këtë herë janë radikale”.

“40 për qind e strukturës ka pësuar ndryshime”.

“Përveç Muharrem Nitajt ka ndryshime tjera të shumta”.

“Hartues i kësaj liste është ekskluzivisht kryetari, Ramush Haradinaj, i ndihmuar edhe nga të tjerët”.

Sipas Kuçit, partia e tij tash është më e fuqishme.

“AAK-ja është ma e fortë. Këto prurje e kanë rritur Aleancën”.

Për Artan Muhaxhirin, ndryshimet brenda AAK-së vijnë si imponim nga dështimet e fundit në zgjedhje.

“Këto ndryshime kanë qenë të imponuara për shkak të rezultateve të pafavorshme në zgjedhjet në të dyja nivelet, prandaj Haradinaj është vetëdijesuar se duhet të bëjë reformë”.

“Ky është tentim për ta energjizuar partinë dhe për ta ndryshuar qasjen – si në aspektin e funksionimit organizativ, por edhe në prezantimin e partisë në media”.

Sociologu Muhaxhiri ndryshimin nuk e cilëson edhe si ndryshim kualitativ, për arsye se kryesisht njerëzit e njëjtë i dominojnë pozitat udhëheqëse.

Për të, rëndësia e prurjeve të reja do të testohet në moment zgjedhjesh.

“Fuqia e këtyre njerëzve do të shihet kur edhe partitë tjera të bëjnë ndryshime dhe pastaj të hynë në garë mes vete”.

“Në fushatë zgjedhore do të vërehen ndryshimet, aty ku faktohet pozicioni në elektorat”.

Inkuadrimin e Nitajt brenda strukturave të partisë së katërt në vend, sociologu Muhaxhiri pos si përforcim për AAK-në, e sheh edhe si guxim individual të tij.

“Nitaj ka karrierë disa dekadëshe në media dhe inkuadrimi i tij në këtë spektër të komplikuar politik është guxim”.

Mirëpo, Kuçi e ka akuzuar portalin Gazeta Express për mungesë profesionalizmi dhe hipokrizi në trajtimin e inkuadrimit të Nitajt në AAK.

“Është joprofesionalizëm i skajshëm, sidomos kur vjen nga ata gazetarë që e kanë sprovuar veten në politikë”.

Ai ka potencuar se në zgjedhjet e ardhshme Aleanca do të dalë partia e dytë në vend.

“Planifikimet tona janë që AAK në zgjedhjet e ardhshme të jetë parti madhore – njëra nga dy partitë kryesore në vend”.

“Haradinaj duhet të jetë kryeministër – kjo nuk është domosdoshmëri, por diçka e nevojshme”.

E për të rezultuar AAK-ja si e dyta, Muhaxhiri mendon se nevojiten disa ndryshime kruciale.

“Aleanca duhet ta dyfishojë votën nëse dëshiron ta synojë postin e kryeministrit”.

“Nëse Aleanca i fiton 20% votave atëherë ka të drejtë morale të kërkojë përfshirje në kalkulimet për postin e kryeministrit, por me 9%, 10%, apo 11%, është tejet problematike të synohet ai pozicion gjatë negociatave me partitë që kanë 30% ose 25% të elektoratit”.

“AAK duhet t’i ndryshojë disa nga përfaqësuesit e saj nëpër komuna, si dhe të fuqizohet dukshëm në Prishtinë”.

Në fund, mysafirët debatuan rreth Gjykatës Speciale.

Kuçi rikonfirmoi se AAK-ja nuk e ka ndërmend ta heqë “Jo”-në që ka vendosur për këtë çështje.

Muhaxhiri e shpjegoi këtë pozicion të AAK-së.

“Është e kuptueshme që AAK kundërshton, sepse synon të përfitojë politikisht dhe emocionalisht prej të pakënaqurve me themelimin e Speciales”.

“Në realitet, AAK e di shumë mirë se Kosova nuk ka fuqi t’i parandalojë projektet e mëdha ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ne”.

Më Shumë

Shkurte Fejza nderohet me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës

Këngëtarja shqiptare, Shkurte Fejza është nderuar me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës. Kështu bëri të ditur kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj përmes...

Dortmundi mposht PSG-n, finalisti vendoset në Paris

Borussia Dortmund e ka mposhtur PSG-n, me rezultat 1-0, të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. ‘Milionerët’ e Gjermanisë...

Lajmet e Fundit