Qeveria e Kosovës është e vendosur që të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës. Kështu deklaroi ministri i FSK-së Agim Çeku i cili bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat dhe janë identifikuar nevojat e sakta për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të vendit tonë.Ai hodhi poshtë spekulimet e mediave vendore lidhur me kompetencat e NATO-s në këtë drejtim dhe u shpreh optimist në mbështetjen që Aleanca do të jap edhe për Forcat e Armatosura të Kosovës.
Pas procesit të rishikimit të sektorit Strategjik të Sigurisë, një ndër rekomandimet është që Kosovës i nevojitet një forcë ushtarake, në bazë të të të cilave kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është i vendosur që kjo të jetësohet.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku deklaroi për Radio Kosovën se vendimi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, i takon sovranit.
”Kemi një partneritet me NATO-n , Nato nuk mund të marr vendim të shëndrrohet apo jo, mund të merr vendim që a do ta mbështes apo jo Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne fuqishëm besojmë se ky zhvillim është në interes të NATO-s sepse Kosova tani është në gjendje të marr përgjegjësi për mbrojtjen e vendit”.
Sipas ministrit Çeku, projekti për Forcat e Armatosura të Kosovës i hap dyert për partneritet, kontribut në operacionet paqëruajtëse dhe anëtarësim në NATO në një të ardhme jo të largët.
”Besoj fuqishëm që NATO-ja do ta mirëpres një zhvillim të till dhe do të vazhdoj ti mbështes FAK-un ashtu siç e ka mbështetur deri më tani FSK-në”,transmeton rtklive.
FSK-ja do të punoj me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm derisa të aprovohet Ligji për FAK-un në Kuvendin e Kosovës, tha për Radio Kosovën, ministri i FSK-së Agim Çeku.