11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

“Çetnikët serbë” në lindje të Ukrainës

Çetniket serbe-UkrainaNjë grup vullnetarësh nga Serbia, të regjistruar si “Lëvizja çetnike”, aktualisht gjendet në lindje të Ukrainës, duke u rreshtuar me separatistët pro-rusë, ose me, siç e quajnë veten, “Ushtrinë e Rusisë së Re”.

Edhe pse Serbia nuk parasheh sanksionimin e atyre që luftojnë jashtë kufijve të shtetit, mungon distancimi i qartë i Beogradit zyrtar nga grupet e tilla.

Pas luftimeve në Krime, ky grup njerëzish ishte kthyer në Serbi, për t’u rikthyer më pas në lindje të Ukrainës, me qëllimin që, siç kanë thënë, “të shpërndajnë ndihmat e mbledhura humanitare”.

Zoran Andrejiq prezantohet si pjesëtar i departamentit të logjistikës në kuadër të Lëvizjes Çetnike në Serbi. Sipas tij, në lindje të Ukrainës gjenden rreth 15 pjesëtarë të këtij grupacioni.

“Disa vullnetarë kanë shkuar me shpenzime vetanake për në Moskë dhe kanë ndihmuar shpërndarjen e ndihmave humanitare deri në kufi me Ukrainën.Pushteti i ri kishte propozuar që nidhma të dërgohet në rajonin Lugansk. Nga pjesëtarët e milicisë së atjeshme, çetnikët janë furnizuar me uniforma me shenja të dukshme dhe armatim për mbrojtje personale dhe mbrojtje konvojësh”.

“Me rastin e dërgimit të ndihmave, në rrethinën e aeroportit në Lugansk, konvoji është sulmuar. Tre pjesëtarët tanë dhe një rus janë plagosur me armatim artilerie. Pas kësaj ngjarjeje, pjesëtarët e Lëvizjes vendosën të mbeten në Lugansk. Nuk kanë kurfarë komande zyrtare atje, dhe tani thjesht janë në dispozicion të ushtrisë së Rusisë së Re”, ka thënë Andrejiq, për shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë.

Nga ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk kanë reaguar me rastin e veprimtarisë së këtij grupi në Ukrainë.

Aleksandar Radiq, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se ligjërisht, Serbia nuk parasheh ndjekje penale për ata që luftojnë jashtë kufijve të shtetit.

Në fakt, ky formacion që prej fillimit të krizës në Ukrainë kishte zbarkuar atje.

Atje janë për të ofruar përvojat e tyre, ka thënë komandanti i tyre, Bratislav Zhivkoviq.

“Rusët kanë ardhur gjithmonë si vullnetarë në luftërat e serbëve. Në këto të fundit, në Republikën Srpska ka pasur shumë vullnetarë rusë, kurse ne këtu kemi ardhur të ndajmë përvojat tona që kemi pasur në vendosjen e barrikadave në Kosovë dhe situata të ngjashme”, ka thënë Zhivkoviq.

Vetë ata nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për betejat që po zhvillohen në Ukrainë, por fotografitë dhe porositë që dërgojnë prej andej, nuk është se do t’i ndihmojnë shumë Beogradit zyrtar për të mbajtur një qëndrim neutral ndaj krizës në Ukrainë.

Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, thotë se zyrtarët serbë do të duhej të përcaktoheshin karshi aktiviteteve të tilla.

“Nëse [Serbia] nuk mund ta ndalojë angazhimin e tyre, atëherë duhet të distancohet nga veprimet e tilla dhe të thotë qartë se shteti nuk qëndron prapa tyre, në mënyrë që të mos lejohet hapësirë interpretimi se Serbia po mbështet kryengritësit në Ukrainë”, ka thënë Jakshiq.

Analistët në Serbi megjithatë pajtohen se numri i atyre që janë të rreshtuar nga ana e kryengritësve pro-rusë nuk është shumë i madh, por dëmin që, siç thonë, mund t’ia bëjnë shtetit të Serbisë karshi Perëndimit, nuk duhet lënë mënjanë./REL/

Më Shumë

Inzaghi: Gjashtë trofe për tri vjet nuk janë pak

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ndihet i lumtur me fitoren e mbrëmshme në derbin e qytetit, i cili njëherësh ia siguroi edhe titullin e...

Mblidhet Kuvendi, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit...

Lajmet e Fundit