2.2 C
Prizren
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026

Cilit Haradinaj t’i besojmë?

Arbana XharraArbana Xharra

Ramush Haradinaj, në intervistën e tij të fundit dhënë gazetës “Zëri”, flet për degradimin shtetëror, për politikanët që s’u zihet besë, për SHIK-un etj. Të gjitha këto një realitet i njohur për ne, të thëna shumë herë, fakte të gjalla, denigrim i vazhdueshëm që po i bëhet vendit. Por, për to na flet një politikan, i cili nuk ka treguar qëndrueshmëri politike, pikësëpari në raport me ata që akuzon. Nuk mund të harrohet pamja e parakalimit të Haradinajt në tepihun e kuq në aeroportin Prishtinës, krah për krah me Thaçit, me të ardhur nga Haga.

Dëshira e tij e zjarrtë për të ardhur në pushtet, në bashkëqeverisje me PDK-në, nuk mund të na fshihet nga kujtesa ne gjithë diskursin, tashmë krejt ndryshe të Haradinajt, në raport me këtë parti. Shkëmbimi i librave me kreun e PDK-së, pjesë e së cilës janë strukturat e SHIK-ut, që sot Haradinaj kërkon të hetohet. Pra, deklarata mbi keqqeverisjen, korrupsionin e të tjera, do të ishin bindëse, të dëgjoheshin nga një lider kredibil politik dhe konsistent, me një rreth njerëzish të besueshëm. Nuk mund të jetë PDK-ja herë e keqe e herë e mirë. Të gjitha këto që Haradinaj sot i thotë për PDK-në, LDK-në, SHIK-un dhe të tjerat, qëndrojnë, por nuk tingëllojnë aspak bindëse kur dëgjohen nga goja e tij.

Kur ai flet për Bllokun, është shumë e vërtetë se veprimi politik i Isa Mustafës shihet si tradhti për partitë që kishe arritur koalicion, por në këtë rast, nuk dallon shumë qëllimi politik i Haradinajt me atë të Mustafës: të dy luftuan për postin e kryeministrit. Se Haradinaj do ta refuzonte ofertën e Thaçit për ta bërë kryeministër, zor se e beson kush, e aq më pak kur na bie në mend gatishmëria e tij që t’i hidhej në përqafim Thaçit pak vite më parë.

Pastaj, nuk mjafton dëshira për të qeverisur që të bindë opinionin, se është ai që do ta “shpëtojë Kosovën” e aq më pak me rrethin e ngushtë familjar si grup parlamentar. Dhe as premtimet se do ta pastrojë partinë nga haraçkërkuesit, sepse është pak e vështirë të besohet se dikush nga kjo parti ka pasur guximin të kërkojë haraç në emër të vëllezërve Haradinaj.

Pastaj, si u bë që tek tash, në fund të vitit 2014, Haradinaj mori vendim që ta pastrojë partinë e tij? D.m.th. paska mashtruar elektoratin e tij, kur ia ka kërkuar votën, duke iu premtuar se me AAK-në do të ecin përpara. Haradinaj e paska ditur shumë mirë se me çfarë njerëz ka të bëjë. Pse tash sa vjet paska heshtur?

E kur kreu i AAK-së flet për korrupsion duhet të dijë edhe definicionin e këtij fenomeni dhe elementet që aludojnë në të. Për t’u pastruar nga paragjykimet duhet të sqarojë luksin e vëllezërve Haradinaj, sepse me një rrogë e as dy, mezi po paguhen ratat e kredive për një banesë dydhomëshe, e lëre më të ndërtohen pallate e të voziten xhipa të zinj.
Nëse po flasim për të keqen e këtij vendi dhe shkaktarët e tij, atëherë një kontribut jo të vogël e ka dhënë edhe partia e Haradinajt dhe ata njerëz për të cilët po flet sot kreu i tyre.
Kështu që Haradinaj me këtë qasjen e re kur i drejtohet popullit, se po reformohet – ndoshta edhe mund të bindë ata që s’mbajnë mend gjë nga kjo, një dekadë e gjysmë pas luftës, por jo edhe neve që e dimë mirë kush dhe si ka qeverisur AAK-ja dhe cila është ëndrra e parealizuar e kreut të saj.

Për të na mbushur mendjen, se Haradinaj e ka seriozisht reformimin, atëherë ai duhet nisur pastrimin e partisë nga njerëzit e afërt të tij, ata që kanë ndikim, përndryshe me emrat periferikë s’merret kush.

Sa u përket kritikave për bisedimet me Serbinë, Haradinajt i bie më së paku hise të flasë kundër, sepse njeriu i tij, Blerim Shala, ka qenë “satelit” i Hashim Thaçit, gjatë gjithë bisedimeve të zhvilluara me Beogradin.

Prandaj, Haradinaj sa shpenzon energjitë e tij të na bindë se AAK-ja do të ndryshojë, bën mirë që të nisë të planifikojë seriozisht të ardhmen e tij politike!

Më Shumë

Prizren: Vihen themelet për ndërtimin e 50 shtëpive për familjet në nevojë

Në një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet me asistencë sociale, sot u vu gurthemeli për ndërtimin e 50...

Arrestohet një i dyshuar për fajde në Rahovec

Një person është arrestuar nën dyshimin për fajde. Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur në Rahovec, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi dhe...

Lajmet e Fundit