Prizreni i ka dhënë sot lamtumirën e fundit patriotit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Krasniqi – Komandant “Baca”, në një ceremoni të organizuar me nderime të larta.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur me këtë rast morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan jetën dhe veprën e tij. Gjatë fjalimeve, u vlerësua lart kontributi i Krasniqit në luftën çlirimtare, si dhe angazhimi i tij i pandërprerë në shërbim të vendit edhe pas përfundimit të luftës.

Të pranishmit e kujtuan atë si një figurë të përkushtuar, me vlera të larta atdhetare dhe njerëzore, duke theksuar rolin e tij edhe në pajtimin e gjaqeve dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet qytetarëve.
Po ashtu, u përmend kontributi i tij në drejtimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, ku ai dha një rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të veteranëve.
Varrimi i të ndjerit u bë me nderime të larta në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, në prani të një numri të madh qytetarësh./PrizrenPress.com/

