Si sot, 23 vjet më parë, në Prishtinë si një bombë shpërtheu Deklarata Kushtetuese e Kosovës, e njohur ndërkohë si Deklarata Kushteteuese e 2 Korrikut, e cila do t’i paraprij Kushtetutës së Kaçanikut, që do të shpallte pavarësinë e vendit, e cila do të realizohej kati dy dekada më vonë.
Kosova e trazuar më 2 korrik kishte drejtuar sytë nga Prishtina, Kuvendi e delegatët shqiptarë, siç quheshin atëherë deputetët, me shpresën se do të mund ta shpëtonte nga turri gllabërues i Beogradit, që kishte vënë në shënjestër gjithë ç’ishte arritur me dekada. Aspiratat serbe ishin tashmë të hapëta, dhe ato nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj Kosovës. Sllovenia e Kroacia ishin më të guximshme në kundërshtimet e tyre ndaj këtyre synimeve të Beogradit, por rezistenca nuk mungoi as në Kosovë. T’i kujtojmë protestat masive më 1988 e 1989, grevën e urisë së minatorëve, Apelin 214 të intelektualëve dhe dhjetëra grupe të rinjsh, që për këto arsye vuanin burgjeve anekënd Jugosllavisë së atëhershme.
Tashmë ishin formuar edhe parti politike shqiptare, alternative të partive deri atëherë me atribute e programe socialiste e tash me programe kombëtare, ishin formuar edhe organizata joqeveritare. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ishte zgjuar dhe po bënte punën si është më mirë në hapjen e horizonte politike. Akademiku. tash i ndjerë, Gazmend Zajmi hartoi një dokument gjashtë pikësh, që do ta pagëzojë Deklarata Kushtetuese, me të cilën bënte shtratin juridik historik të pavarësisë së Kosovës. Delegatët, të cilëve u ishin mbyllur dyert e Kuvendit për aktivitete, nëpër shtëpitë e tyre e analizuan Deklaratën dhe më 2 korrik të vitit 1990, kur forcat e policisë i penguan të futeshin brenda, u ndalën para hyrjes dhe në mënyrë lapidare lexuan tekstin, që do të shqetësonte Beogradin e do të gëzonte shqiptarët. Mbahen në mend skenat para portave të Kuvendit, kur 111 delegatë jo serbë të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Bujar Gjurgjiala, përshëndetën me duartrokitje tekstin e Deklaratës, që e lexoi delegati Muharrem Shabani.
Kishte edhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët i kishte ftuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Të gjithë që kanë parë regjistrimet televizive të TV Prishtinës atëherë mbajnë në mend Eva Brendlin e verbër me qenin e saj, e shoqëruar nga milicët, duke e larguar nga vendi ku po zhvillohej historia.
Tri ditë më vonë Beogradi me veprime kundërkushteteuese do të merrte institucionet e pushtetit në Kosovë, do të ndalte “Rilindjen” dhe Radio-Televizionin e Prishtinës. Disa nga delegatët do të ndiqeshin penalisht.
Historia pastaj do të shënojë dëbimin e shqiptarëve nga puna dhe rezistencën e tyre fillimisht paqësore, e pastaj me armë, për t’u kurorëzuar me luftën, ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare dhe shpalljen e pavarësisë definitive më 17 Shkurt të vitit 2008./Koha/