7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Deklarohet gjyqtari i Kushtetueses që s’u pajtua me aktgjykimin për Prizrenin

Mospajtimin e vet lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Prizrenit ishte “zonë karantine” ishte konstatuar jokushtetues, e ka shprehur njëri prej gjyqtarëve të Kushtetueses.

Bekim Sejdiu, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, përmes një njoftimi të nënshkruar, ka bërë në të njëjtën kohë apel që Kushtetuesja, sidomos në situatat kur rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve, të analizojë me kujdes efektet e vendimeve të marra.

Ato vendime, si shkruan ai, në çdo situatë dhe për sa është e mundur, duhet të jenë “të arsyetuara, por edhe të arsyeshme”.

Sejdiu e ka bërë të ditur se mospajtimi i tij me këtë konstatim të Kushtetueses mbështetet në dy argumente themelore:

“Së pari, unë nuk jam pajtuar që Gjykata nuk ka shqyrtuar Vendimin në fjalë të Ministrisë së Shëndetësisë, nga prizmi i detyrimeve pozitive të shtetit, në raport me të drejtën për jetën. Së dyti, nuk pajtohem me qasjen që ka ndjekur Gjykata në interpretimin e atij Vendimi, në dritën e neneve përkatëse të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse”, shkruan ai.

Kushtetuesja e kishte shpallur jokushtetues këtë vendim për Prizrenin gjatë javës së kaluar. Vendimi, si ishte bërë e ditur përmes njoftimit të lëshuar me këtë rast ishte marrë me shumicë votash.

Sejdiu, teksa elaboron dy argumentet mbi të cilat mbështetet mospajtimi i tij, flet edhe rreth efektit të këtij aktgjykimi të Kushtetueses.

“Dëshiroj të theksoj se jam pajtuar me konstatimet e Gjykatës si për pranueshmëri të kërkesës e po ashtu me gjetjen që vendimet ‘për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19’ në Komunën e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, janë në përputhshmëri me Kushtetutën, me përjashtim të pikave përkatëse të dispozitivit të atyre vendimeve të cilat përcaktojnë kundërvajtje administrative. Por mendoj se në të dyja këto pika, Aktgjykimit të Gjykatës i mungon arsyetimi i mjaftueshëm dhe i qartë, për të shmangur çfarëdo amullie lidhur me efektet praktike të këtij Aktgjykimi”, shkruan ai.

Ai trajton edhe “paqartësitë e shkaktuara prej vetë parashtruesve”, të cilat kanë sjellur një situatë paradoksale.

Parashtrues, siç ka njoftuar më herët Kushtetuesja, ishin Uran Ismaili dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Si pasojë e paqartësisë së shkaktuar nga vet parashtruesit në kërkesë, Gjykata ka konstatur se parashtruesit kontestojnë vetëm katër vendime, nga 38 vendime që janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë, në të njëjtën kohë dhe, pak a shumë, të njëjtën përmbajtje. Konsideroj se Aktgjykimi i Gjykatës, që përfshinë vetëm 4 nga gjithsej 38 vendime, ka prodhuar një situatë paradoksale, në kuptimin juridik. Kjo sepse, edhe pas konstatimit nga Gjykata se një pjesë e masave të Ministrisë së Shëndetësisë janë jo kushtetuese, ato shfuqizohen vetëm në 3 nga 38 komunat e Kosovës (përveç nëse ato shfuqizohen nga vet Ministria/Ministri i Shëndetësisë). Pra, një qytetar i Kosovës që banon në cilindo nga qytetet tjera, përveç Prizenit, Dragashit dhe Istogut, mund të vazhdojë t’i nënshtrohet masave të njëjta të Ministrisë së Shendetesise, të cilat Gjykata Kushtetuese i ka shpallur jokushtetuese”.

 

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Ndërron jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Xhemajli Gashi

Ka ndërruar jetë Xhemajli Gashi, ish-futbollist i njohur i Lirisë së Prizrenit. Ai ka lënë gjurmë të thella në komunitetin sportiv të qytetit. Xhemajli Gashi ka...

Lajmet e Fundit