24.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Demagogji dështakësh

IMER MUSHKOLAJ

Nuk është gjë tjetër veç demagogji e zyrtarëve të LDK’së që ndonjë partie politike t’ia vendos si kusht “njohjen e figurës së Ibrahim Rugovës”. Është tepër e ulët që emri i presidentit të ndjerë të keqpërdoret dhe të përfshihet në pazare partiake

Sa herë flasin zyrtarë të LDK’së është e pamundur që të mos i marrësh me rezervë, shpesh edhe joseriozë. Jo pa arsye, ngase ata kanë dëshmuar në vazhdimësi se, veçmas kur bëhet fjalë për premtimet që kanë të bëjnë me koalicione qeverisëse, është vështirë t’iu besohet. Por, sa demagogë janë e vërteton më së miri një deklaratë pa takt e bërë së fundi.

Tash kur çdo ditë flitet për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ka nga zyrtarë të LDK’së që kusht për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje përmendin gjëra aq të pakuptimta, sa të duket e pabesueshme që i thotë dikush nga partia që veten e quan institucionaliste. I tillë ishte edhe kushti që, për të bërë koalicion me LDK’në, Vetëvendosje duhet së pari të deklarohet për qëndrimin e saj karshi veprimeve të viteve ’90 dhe figurës së Ibrahim Rugovës!

Qëndrim më të kotë dhe më palidhje nuk mund të ketë. Jo për gjë tjetër, po veç për faktin se LDK nuk ka vendosur kushte të tilla as në situata shumë më delikate. Zyrtarë të kësaj partie shquhen për demagogji e shkelje premtimesh, andaj kur dëgjon të thonë të tilla gjëra doemos duhet kthyer pak prapa për të sjellë ndërmend gjithë amoralitetin politik që i ka karakterizuar ndër vite.

* * *

Të gjithëve iu kujtohet premtimi i Isa Mustafës në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ai bënte be e rrëfe se nuk do të bënte kurrë koalicion me SHIK’un dhe Kadri Veselin. Por, po ashtu, nuk jemi të sëmurë amnezie që të harrojmë se ai jo vetëm që bëri koalicion me ta, por madje Kadri Veselin e bëri kryeparlamentar e Hashim Thaçin president. Premtimet e zotimet dolën të jenë demagogji e pashoqe.

Punë e madhe që për vite të tëra zyrtarë të LDK’së e kishin drejtuar gishtin drejt SHIK’ut për vrasjen e veprimtarëve të LDK’së pas luftës. Punë e madhe që votat nga elektorati më 2014, LDK në masë të madhe i fitoi duke i mashtruar se nuk do të bënte koalicion me PDK’në.

Në atë kohë, zyrtarëve të LDK’së nuk iu ra ndërmend t’i vënë kurrfarë kushti as Thaçit, as Veselit. Ta zëmë, asnjëri nga ta nuk u kushtëzua që të sqarohen pretendimet për përfshirje të SHIK’ut në vrasjet politike. Thjesht, u nënshkrua marrëveshja me ta për koalicion dhe u krijua qeveria thua se nuk ka ndodhur asgjë në të kaluarën dhe gjithçka sikur nisi nga e para.

Njësoj marrëveshje për koalicion, pa asnjë kusht, LDK nënshkroi edhe me Listën Serbe, një subjekt politik i krijuar dhe i kontrolluar nga Beogradi që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdimisht punon kundër dhe shantazhon çdo përpjekje për forcim të shtetësisë së saj.

Se në çfarë mënyre dhe sa pa dinjitet përfundoi kjo qeverisje tashmë e di gjithkush. Për vendimin skandaloz që të bëjë koalicion me PDK’në, LDK mori ndëshkimin e merituar më 11 qershor. Por, duket që nga ky pësim nuk kanë mësuar shumë dhe deklaratat pa takt e të mbushura plot demagogji nuk i kanë fort problem.

Në vend se të reflektojnë për humbjet e njëpasnjëshme që nga gara për Prishtinën, zgjedhjet lokale, ato nacionale të vitit 2014 dhe këto të fundit, zyrtarë të LDK’së dhe lidershipi i saj vazhdojnë të kërkojnë fajin tjetërkund. Për ta të gjithë duken të këqij e pa vlerë dhe vetëm ata janë të mirë, institucionalistë. Një qasje kjo e papërgjegjshme dhe arrogante çfarë di të tregojë zakonisht lidershipi i partisë. Një lidership dështakësh që fajin për debaklin në zgjedhje përpiqet ta gjejë diku tjetër, e jo brenda vetes.

* * *

Si një parti me traditë dhe, siç ka dëshirë ta quajë veten, institucionaliste, nga LDK do të ishte e pritshme dhe do të konsiderohej normale vendosja e kushteve për qeverisje me këdoqoftë. Por, kushtet do të duhej të bënin me realizimin e programit partiak, me aspekte qeverisëse, e jo me gjëra koti si kjo e njohjes së figurës së Ibrahim Rugovës.

Rugova, me të mirat dhe të këqijat e veta, e ka shënuar një epokë të rëndësishme të luftës për pavarësi dhe të shtetndërtimit të vendit. Ai është vlerë e shtetit të Kosovës, andaj është e ulët, tepër e ulët që të përfshihet në pazare partiake nga kushdoqoftë dhe me çfarëdo qëllimi.

Por, zyrtarë të LDK’së nuk e shohin si të tillë. Më shumë se një dekadë pas vdekjes ata ende fitojnë vota me emrin e presidentit të ndjerë. Me emrin e njeriut, i cili asnjëherë nuk bëri koalicion me PDK’në (qeveria gjithëpërfshirëse e vitit 2001 është tjetër muhamet), asnjëherë nuk e bëri Hashim Thaçin as kryeministër, as president dhe asnjëherë nuk i legjitimoi SHIK’un dhe drejtuesit e tij.

P.S.

Njëri ndër nënkryetarët e LDK’së paska deklaruar se çështja e njohjes së figurës së Ibrahim Rugovës nuk është dhe nuk do të jetë në tavolinën e bisedimeve me partitë politike, në këtë rast as me Lëvizjen Vetëvendojse. Shumë mirë. Veç, qysh me i besu?

/Gazeta Express/

Më Shumë

Fundjava e parë pa kufi Kosovë-Shqipëri, qytetarët: Jemi një komb, s’duhet të ketë kurrë kontrolle

Që prej 1 majit, kalimet mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhen pa kontrolle kufitare. Në pikëkalimin në Morinë, policia kufitare shqiptare nuk kërkon dokumente identifikimi për...

S’ka fitues në klasiken evropiane, gjithçka vendoset në ‘Santiago Bernabeu’

Ka mbaruar pa fitues derbi i gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Real Madridit. Përballja ishte e zjarrtë nga minuta e parë,...

Lajmet e Fundit