5.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Disa të vrarë, përfshirë fëmijë, nga bombardimet ruse në rajonet ukrainase

Bombardimet dhe sulmet ajrore ruse ndaj zonave civile të Ukrainës dhe ndaj infrastrukturës për eksportimin e grurit kanë vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, dhe kanë shkaktuar dëme masive materiale gjatë 24 orëve të fundit, kanë njoftuar zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë, më 22 korrik.

Ushtria ruse ka lëshuar 16 raketa lundruese dhe ka kryer mbi 20 sulme ajrore ndaj pozicioneve dhe zonave të banuara ukrainase, ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, në raportin e tij të përditshëm.

Në rajonin lindor të Donjeckut, ku po zhvillohen luftime të ashpra prej muajsh, bombardimet ruse vranë dy fëmijë, një djalë 10-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare, në fshatin Druzhba, ka njoftuar guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko, të premten vonë, në Telegram.

Kyrylenko ka thënë se vëlla e motër vdiqën kur një nga predhat e lëshuara nga forcat ruse goditi oborrin e shtëpisë së tyre. Një grua e moshuar është plagosur dhe është dërguar në spital, ka treguar Kyrylenko.

Në fshatin Nju-Jork, rreth 40 kilometra në jug të Bahmutit, katër civilë u vranë, përfshirë një çift, ndërsa një grua u plagos nga bombardimet ruse, ka bërë të ditur Kyrylenko.

Rusia sulmon Odesën, shkatërron qindra tonë rezerva ushqimore
Në rajonin verior të Çernhivit, dy gra të moshuara u vranë kur një raketë ruse goditi fshatin e tyre, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në video-adresimin e tij të rregullt, në natën e 21 korrikut.

Ushtria ukrainase ka pohuar se janë dëmtuar magazinat e drithërave në Ukrainën jugore, ndërsa janë shkatërruar apo dëmtuar më shumë se 70 ndërtesa të banimit civil dhe objekte tjera infrastrukturore.

Ndërkaq, mbrojtja ajrore ukrainase ka njoftouar më 22 korrik se ka rrëzuar pesë dronë kamikazë, të prodhuar nga Irani, gjatë natës.

Sulmet raketore ruse goditën më 21 korrik portin ukrainas në Detin e Zi për të katërtën ditë rresht, duke vënë në flakë siloset e drithit në rajonin e Odesës, dhe duke shkatërruar sasi të mëdha të ushqimit të ruajtur për eksportim.

“Për fat të keq, është goditur një terminal i drithërave, në njërën prej ndërmarrjeve bujqësore të rajonit të Odesës. Armiku ka shkatërruar 100 tonë bizele dhe 20 tonë elb. Dy njerëz janë plagosur nga shpërthimi”, ka bërë të ditur guvernatori rajonal, Oleh Kiper, në Telegram.

Një kanal zyrtar në Telegram në rajonin e aneksuar jashtëligshëm të Krimesë tha më 22 korrik se trafiku rrugor në urën që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë është ndërprerë përkohësisht, pa dhënë ndonjë arsye për këtë masë.

Shpërthimet në urë vranë dy persona më 17 korrik, dhe ndalën trafikun pjesërisht në të. Rusia fajësoi Ukrainën për shpërthimet.

Rusia ka thënë më 21 korrik se marina e saj ka kryer një “stërvitje” me të shtëna të vërteta në veriperëndim të Detit të Zi, disa ditë pasi Kremlini paralajmëroi se anijet transportuese, rrugës drejt porteve ukrainase në Detin e Zi, do të cilësoheshin objektiva të mundshëm ushtarakë.

Flota e Detit të Zi “ka shtënë me raketa të vërteta lundruese kundër anijeve, në një fushë trajnimi për luftime, në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi”, ka thënë ministria ruse e Mbrojtjes në Telegram.

Zelensky është takuar më 21 korrik me komandantët ushtarakë, për të diskutuar për situatën në front dhe për një iniciativë për drithërat.

Zelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes për drithërat pa pjesëmarrjen ruse
Në Nju-Jork, shefja për çështje politike e Organizatës së Kombeve të Bashkuara i tha Këshillit të Sigurimit më 21 korrik se sulmet e Rusisë ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi rrezikojnë “të kenë ndikim të gjerë ndaj sigurisë globale ushqimore, në veçanti në vendet në zhvillim”.

Rosemary DiCarlo tha, po ashtu, se kërcënimet për shënjimin e mundshëm të anijeve civile në ujërat e Detit të Zi – të bëra si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina – janë të papranueshme.

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang, i ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të rifillojnë sa më shpejt eksportet e drithërave, pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja.

A është problematik ritmi i ngadalshëm i kundërofensivës ukrainase?
Në fushëbetejë, forcat ruse po sulmojnë papushim pozicionet ukrainase në Donjeck dhe në rajonin tjetër lindor, Harkiv.

“Armiku po vazhdon t’i përqendrojë përpjekjet e tij kryesore në Kupjansk [rajoni i Harkivit], në Liman, në Bahmut, në Avdijivka dhe në Marjinka [rajoni i Donjeckut], ku 40 beteja të luftimeve nga afër u zhvilluan gjatë 24 orëve të kaluara”, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 22 korrik.

Forcat ukrainase po vazhdojnë kundërofensivën e tyre në drejtim të Melitpolit dhe Berdjanskut, në rajonin jugor të Zaporizhjës, bëri të ditur ushtria, pa ofruar hollësi të tjera./evropaelire/

Më Shumë

Tensioni i ulët i rrymës shqetëson banorët e Malësisë së Re në Prizren

Tensioni shumë i ulët i rrymës elektrike, i shkaktuar nga rrjeti i vjetëruar i përçuesve, mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për banorët e fshatit...

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Lajmet e Fundit