11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Edhe kryeparlamentari në Kushtetuese

kuvendi zbrazenEkspertët kushtetues dhe analistët politikë kanë vlerësuar se çështja e postit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës duhet të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka dhe analisti politik Artan Muhaxhiri, kanë deklaruar për “Epokën e re” se tensionet në mes të dy blloqeve për pretendimet rreth së drejtës për postin e kryeparlamentarit nuk mund të zgjidhen me diskutime, por duhet të ndërhyjë një instancë më e lartë.

Sipas Smakës, kushtetuesja duhet ta sqarojë këtë situatë me një vendim apolitik dhe profesional.

“Duket se çështja e kryeparlamentarit do të zhagitet derisa Gjykata Kushtetuese ta japë opinionin e vet, ndërsa se cili do të jetë ai opinion nuk mund të paragjykoj. Mendoj se ai do të jetë konform Kushtetutës, ashtu që grupi më i madh parlamentar ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por le të shkojë edhe njëfarë kurtuazie që, në qoftë se nuk do ta marrë votëbesimin kandidati i propozuar nga grupi më i madh parlamentar, le ta propozojë kandidatin grupi i dytë më i madh parlamentar, i treti dhe kështu derisa të zgjidhet kryetari i Kuvendit”, ka thënë Smaka.

Ai ka sqaruar se Kushtetuta nuk e parasheh shpërbërjen e Kuvendit nëse nuk zgjidhet kryetari i këtij institucioni, sikurse në rastin e presidentit dhe qeverisë.

“Sipas Kushtetutës, situata është e kthjelltë, e qartë dhe nuk ka kurrfarë dilemash, sepse grupi më i madh parlamentar e propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ndërsa se a do t’i ketë ai 61 vota pro apo jo është temë tjetër. Së dyti, te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është përcaktuar shpërbërja e Kuvendit nëse do të dështonte zgjedhja e tij, sikurse është rasti me kryeministrin dhe me presidentin. Kështu që, besoj se kjo të kalojë në mënyrë të qetë dhe ashtu siç na ka hije”, është shprehur Smaka.

Edhe analisti politik Artan Muhaxhiri mendon se hendeku në mes të dy blloqeve për këtë çështje është shumë i madh dhe nuk mund të kalohet pa një interpretim të Kushtetueses.

Madje ai ka paralajmëruar se nëse shkohet në seancën e së enjtes me këto pretendime mund të ketë edhe skena të pahijshme.

“Hendeku midis këtyre dy blloqeve është aq i madh saqë nuk ka asnjë mundësi të ketë ndonjë zgjidhje të mospajtimeve në mënyrë politike apo diplomatike dhe për këtë arsye mendoj se do të kërkohet mendimi i një instance më të lartë, që në këtë rast është Gjykata Kushtetuese. E pamë në mbledhje të Kryesisë se kishte shumë tensione dhe kishte një lloj mosdurimi në mes të Thaçit dhe koalicionit tjetër. Kështu që, mendoj se mënyra më e mirë e zgjidhjes së kësaj çështje është të vendosë Kushtetuesja, pasi mund të priten edhe skena të pahijshme në seancën konstituive, për shkak të një lloj agresiviteti në mes këtyre blloqe”, është shprehur Muhaxhiri.

Më tutje, ai ka vlerësuar se interpretimi i Kushtetueses dhe negociatat e bllokut opozitar kanë disa pikëpyetje, të cilat do të mund ta shtyjnë procesin e konstituimit të institucioneve.

“Kjo do ta zhagisë pak procesin, sepse ka vërtet shumë pikëpyetje në këtë proces. Por mos të harrojmë se edhe një pikëpyetje e madhe do të jetë përgjigjja e bllokut opozitar ndaj kërkesave të Lëvizjes Vetëvendosje! Sidomos tash pas vizitës së ndihmëssekretares amerikane, e cila si elemente kryesore të vizitës së saj ua rikujtoi politikanëve tanë çështjen e dialogut”, është shprehur Muhaxhiri.

Ai nuk ka përjashtuar zgjedhjet si dalje nga kriza aktuale, ndërsa ka shtuar se do të jetë interesante të shihet përgjigjja e bllokut ndaj kërkesave të LVV-së.

“Nëse është përgjigje negative, atëherë çdo gjë do të bie në ujë dhe atëherë zgjedhjet e reja janë të paevitueshme, sepse nuk ka mundësi as teorike të krijohet qeveria. Por, edhe nëse blloku i jep përgjigje pozitive LVV-së, prapë do të jetë problematike, sepse kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe kërkesat e LVV-së për dialogun janë të kundërta në shumicën e rasteve. Kështu që, nuk mund të pranohen edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, edhe kërkesat e LVV-së”, ka deklaruar Muhaxhiri, duke shtuar se koalicioni paszgjedhor LDK, AAK dhe NISMA janë në pozitë shumë të palakmueshme në këtë aspekt.

Kryesia në largim e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e fundit që e ka mbajtur të shtunën ka vendosur që LDK, AAK dhe NISMA do të jetë grupi më i madh parlamentar në legjislaturën e re dhe si rrjedhojë do t’i takojë edhe e drejta për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, e kishe braktisur këtë mbledhje, me arsyetimin se kjo mbledhje po devijon nga Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe Kushtetuta e Kosovës dhe se PDK-ja është grupi më i madh parlamentar.

Më Shumë

Bexheti: Pa UÇK nuk do të kishte intervenim të NATO-s

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe. 25 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar...

Vetaksidentohet një kamion, rruga Carralevë-Duhël e bllokuar

Një person është lënduar në një vetaksident të shkaktuar mëngjesin e sotëm në rrugën Carralevë-Duhël. Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi për media...

Lajmet e Fundit