7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

EKSKLUZIVE: Sulmuesi i policisë në Prizren, arrestohet në Kumanovë (Video)

Njëri nga të arrestuarit në Kumanovë është edhe Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”, ka kuptuar Kallxo.com.

Shefqet Hallaqi, më 23 mars 2015 u dënua nga Gjykata Themelore e Prizrenit me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vjet e 2 muajve, si dhe mori dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Por Hallaqi nuk ishte dërguar në mbajtje të dënimit pasi që mbrojtësi i tij ishte shprehur i pakënaqur me dënimin e shqiptuar nga Gjykata dhe kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kësisoj, Gjykata Themelore e Prizrenit, ditën e njëjtë, të akuzuarin Shefqet Hallaqi e kishte liruar nga masa e paraburgimit, derisa Gjykata e Apelit të vendoste lidhur me ankesën e mbrojtjes.

KALLXO.com kishte marrë vesh të martën paradite se njëri nga të arrestuarit në Kumanovë nga policia maqedonase ishte edhe Hallaqi, por nuk ka mundur ta konfirmojë këtë lajm as nga policia, as nga gjykata, të cilët thonin se nuk i kishin kontrolluar lëvizjet e tij.

Por prezenca e tij në mesin e të arrestuarve është konfirmuar nga një video të cilën Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë e ka publikuar sot ku shihen personat që u dorëzuan pas luftimeve dy ditëshe ndërmjet një grupi personash të armatosur dhe forcave policore.

E pyetur nga KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prizrenit, Afërdita Kicaj tha se pas ndërprerjes së paraburgimit, Gjykata nuk i ka caktuar ndonjë masë tjetër të akuzuarit.

“Gjykata ka marrë vendim mbi ndërprerjen e paraburgimit ngase kanë pushuar arsyet ligjore për mbajtjen e mëtutjeshme të akuzuarit në paraburgim… Kjo është e tëra, gjykata nuk ka caktu ndonjë masë tjetër”, tha zëdhënësja Kicaj.

KALLXO.com ka pyetur edhe Policinë Regjionale të Prizrenit lidhur me mundësinë që i dënuari Shefqet Hallaqi të jetë larguar nga territori i Kosovës, por zyrtarë policorë thanë të mos jenë në dijeni për rastin.

“Nuk jemi në dijeni që personi në fjalë është larguar nga vendi dhe që është arrestuar në Maqedoni, asgjë zyrtare nuk kemi”, tha zëdhënësi i Policisë, Hazir Berisha.

Ndërsa lidhur me përgjegjësinë për sigurinë e prezencës së Shefqet Hallaqit, Berisha tha se nuk i është caktuar asnjë masë nga Gjykata.

“Meqë është dënuar nën 5 vjet burg, gjykata ka vendosur t’ia ndërpresë masën e paraburgimit dhe nuk e ka zëvendësuar me ndonjë masë tjetër siç është arresti shtëpiak, e ka vlerësuar se duhet të lirohet në procedurë të rregullt, andaj ne nuk kemi pasur ndonjë përgjegjësi për sigurinë e prezencës së tij”, tha zëdhënësi Berisha.

Shefqet Hallaqi (34 vjeçar), akuzohej nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për kryerjen e katër veprave penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, në kontroll, ose në posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësim apo dëmtimi i pasurisë.

Shefqet Hallaqi i njohur me nofkën “Sheki”, akuzohej se më 24 tetor 2014 rreth orës 06:15 minuta në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, shkaktoi rrezik të madh për jetën e njerëzve./Kallxo.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit