“Ariu është kafshë shumë oportuniste dhe provon shumë mënyra për ta gjetur ushqimin. Shkon në çdo vend dhe provon të gjejë diçka për të ngrënë.”, kjo ka qenë teoria e profesorit kroat për prezencën e ariut të murrmë i cili që tash e disa javë po endet maleve e rrugëve të Prizrenit.
Slaven Reljiq, profesori kroat i cili ka përvojë në planifikimin e turizmit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë u ka dhënë këshilla institucioneve vendore se si të veprojnë me ariun që ia ka mbytur 28 dele një familjes në fshatin Pouskë të Prizrenit.
Ai në disa përgjigje që Gazetës Express i janë dërguar nëpërmjet zyrtarëve të “Pyllit të arinjëve” në Badovc, se kjo sezone është koha kur arinjtë çiftëzohen. Andaj prezenca e ariut të murrmë brenda fshatit Pouskë mund të ndërlidhet me këtë çështje.
“Arsyeja pse ata veprojnë në këtë mënyrë është se kanë shumë më pak hapësirë gjatë këtij sezoni dhe arinjtë meshkuj më të vjetër nisin të kërkojnë arinjtë femra dhe për shkak të çiftëzimit ata bëhen më agresiv”, ka thënë profesori.
Sipas tij, arinjtë e rinj femra kërkojnë strehim në vendbanimet e njerëzve.
“Dhe kur nuk kanë ushqim të mjaftueshëm fillojnë të sillen rreth fshatit. Ata njihen për nuhatje të mirë dhe nuk ndalen derisa ta gjejnë ushqimin”, sqaron eksperti.
Por ai ka dhënë edhe disa këshilla se si duhet zënë ariun. Thotë se ai mund të qëllohet edhe me plumba gome.
“Para se të merret një vendim i tillë, d.m.th të vritet ariu, janë shumë hapa që duhet ndërmarrë më parë, si për shembull të qëllohen ariu me plumba gome apo të gjuhet me fishekzjarrë, apo ekzistojnë sensorë të cilët bëjnë zhurmë të madhe prandaj ndizen dritat dhe kështu ariu largohet”, ka thënë tutje Slaven Reljiq, profesori kroat.
Por nëse ariu tregohet agresiv edhe me njerëzit, atëherë ai duhet të eleminohet.
“Pasi ti ndërmarrim të gjitha këto hapa dhe ariu vazhdon të kthehet se nuk tregon ndonjë frikë nga njerëzit në këtë rast ju duhet të vini në përfundim se diçka nuk është në rregull me ariun, se ai është i rrezikshëm dhe në këtë rast rekomandohet eliminimi i tij”, ka sqaruar për Express profesori.
E ndërkohë disa ditë më parë Inspektorati i Agjencisë së Pyjeve kishte publikuar vendimin ku u tha se ariu shpallet “kafshë përkohësisht dëmtuese duke u lejuar vrasja e saj/tij.
Por, kundër këtij vendimi kanë dalë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Nga kjo ministri po deklarojnë se Inspektorati i Pyjeve nuk ka bazë ligjore për vendimin e marrë për vrasjen, ndërkohë janë duke i shqyrtuar mundësit që të paraqesin padi ndaj zyrtarëve të Agjencisë së Pyjeve.
Kështu ka deklaruar për Express, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ai amdje ka paralajmëruar padi kundrejtë të gjthë atyre që marrin mundin që ta vrasin ariun.
“Ne jemi kundër vendimit të Inspektorati të Agjencisë së Pyjeve për vrasjen e ariut të murrmë. Ne bëjmë me dije se do të ushtrojmë padi mbi cilindo person që tenton ta bëjë një akt të tillë. Jemi duke menduar rreth proceduarve për padi. Nuk e di nëse vendimi i Inspektorati është legjitim. Ata duhet ta kuptojnë se brenda Parkut Nacional menaxhon Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit”, i tha Expressit, ministri i mjedisit.
Ariu problematik i Prizrenit ‘debutimin’ e tij të parë e kishte bërë në muajin prill të këtij viti. Raportohet se ariu i murrmë kishte shkakuar një incident në fshatin Pouskë të Prizrenit, ku kishte mbytur 28 dele të një fermeri, e që atij kjo i kushtoi dëm material prej 3000 eurove. Lajmi u bë kryetemë e ditës, për shkak se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur ndonjë herë në Kosovë./GazetaExpress/