Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes një komunikate për media ka thënë se i konsideron serioze të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë sa i përket rrethanave të humbjes së jetës së Astrit Dehari, ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Fakti që institucionet e Kosovës nxituan të nxjerrin konkluzione që janë plotësisht në shpërputhje me të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë është tejet shqetësuese, dhe rast për hetim te thellë jo vetëm të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit por edhe të vet prokurorëve, policëve e zyrtarëve tjerë shtetëror të Republikës sonë që me kaq shumë lehtësi e cilësuan rastin si Vetëvrasje”, thuhet në komunikatë.
GLPS thekson se të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli Astrit Deharit të drejtën në jetë, duke mos i dhënë mbrojtje minimale në kohën sa ai mbahej në paraburgim.
“Arsyeja e mbajtjes së tij në paraburgim – e cila shoqërohet me faktin që ai ishte aktivist i një partie politike në opozitë – e shton edhe më shumë përgjegjësinë e shtetit në raport me pasojën e prodhuar. Gjithashtu, dështimi i organeve të ndjekjes penale, dhe nxitimi i tyre në cilësimin e rastit, është tregues i një papërgjegjësie dhe qëllimit kriminal. Asgjë më shumë sesa një e vërtetë e validuar me fakte të mjekësisë ligjore nuk i duhej publikut dhe familjes Dehari, por mënyra si veproj Prokurori i Shtetit dhe njësitë tjera shtetërore e demonstruan pikërisht të kundërtën”, thuhet më tej në komunikatë.
Prandaj, GLPS kërkon që rrethi i hetimit të kësaj çështjeje të zgjerohet, duke përfshirë të gjithë zyrtarët shtetëror (përfshirë prokurorë, policë e mjekë ligjor) të cilët kontribuan në cilësimin e rastit dhe nxjerrjen e një konkluzioni hetimor që sot del të ketë qenë i pambështetur në fakte e prova shkencore e kriminalistike.
“Vetëm sjellja para drejtësisë e tërë zingjirit që e sollën këtë situatë mund të sanoj pasojën e krijuar. Thirrjet për hetim të rastit nga shtete të huaja nuk duhen të shërbejnë si metodë për heqje të përgjegjësisë, përkundrazi është koha që me asistencën e huaj prokurorë vendor të jenë ata që i dalin ballë krimit që ka ndodhur në këtë rast”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.
GLPS gjithashtu konsideron që gjykatat relevante në Kosovë duhet të përcaktojnë përgjegjësinë shtetërore në rastin Dehari, duke gjetur prokurorinë e shtetit, sistemin gjyqësor dhe organet tjera të përgjegjshme për shkeljen e të drejtës në jetë të Astritit, gjë që garantohet me Nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Neglizhenca e qëllimshme ose paqëllimshme e organeve ekzekutive në raport me këtë rast, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, duhet sjellur para drejtësisë gjithashtu. Kosova nuk mund të lejoj që rastet e vrasjeve të konkludohen si vetëvrasje, dhe që kjo të bëhet përmes një sistemi të organizuar prokurorial e shtetëror”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Telegrafi/