2.2 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Elma Kalisi, piktorja e së ardhmes

ElmaKalisi-piktoreElma Kalisi është nxënëse e klasës së nëntë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ilaz Thaçi” në Komunën e Hanit të Elezit. Talentin për pikturë ka filluar ta shfaqë që në moshën pesëvjeçare.

Ajo sot është e dhënë pas pikturës dhe me talentin që ka, për idetë, për temat, për ngjyrat, nesër do të bëjë emër jo vetëm në Kosovë, por do t’i tejkalojë kufijtë shtetërorë dhe kombëtarë. Pikturën nuk e ka trashëguar nga prindërit, por talentin, thotë, “ia ka dhuruar Zoti”, të cilit i është falënderues. Në garat e përgjithshme “Talentët e rinj në pikturë” (për nxënësit e shkollave fillore) të mbajtura në Komunën e Skenderajt, në nivel të Republikës së Kosovës, për vitet 2012/2013 ka marrë vendin e parë në nivel vendi dhe, gjithashtu, vendin e parë edhe në nivel të Komunës, Hanit të Elezit. Elma Kalisin për herë të parë e takuam gjatë pjesëmarrjes sonë në shënimin e Ditës së Çlirimit të Hanit të Elezit më 11 qershor, ku në hollin e Shtëpisë së Kulturës e kishte hapur një ekspozitë me piktura, kryesisht me tema të natyrës dhe me portrete njerëzish. Ndërsa në takimin tjetër ajo ka pranuar me kënaqësi ta japë një intervistë për “Epokën e re”.

Kur keni filluar të vizatoni?
Elma Kalisi: Kur kam qenë vetëm pesëvjeçare kam filluar të vizatoj në fletë të ndryshme të fletoreve, në kartonë, madje edhe në tokë e ku jo. Për çdo ditë zgjohej interesimi im, por edhe i prindërve për mua, të cilët krijuan një simpati dhe me çdo kusht mundoheshin të më ndihmojnë, ku zakonisht, për ditëlindje dhe festa të tjera, gjithmonë më dhuronin ngjyra dhe fletë për të vizatuar. Dëshirën për pikturë nuk e kam trashëguar nga prindërit, as nga motrat dhe vëllai. Pra, kjo besoj se është dhuratë nga Zoti, të cilin duhet ta çoj deri në fund. Si fëmijë e moshës pesë vjeçe më ka impresionuar llojllojshmëria e ngjyrave në natyrë, pastaj objektet e ndryshme të krijuara nga natyra, filmat dhe dokumentarët me karakter edukativ që kishin të bënin me fëmijët.

Kush ishte i pari që e vërejti talentin tuaj, dhe çfarë ndihme ju kanë afruar ta perfeksioni pikturën?
Elma Kalisi: Interesimin tim, për të krijuar figura të ndryshme, e vërejtën prindërit e mi, të cilët që nga ajo ditë, në vend të lojërave për fëmijë, më blinin ngjyra, fletore vizatimi dhe lapsa, me të cilët vetëm sa hyra shpirtërisht në një botë të ngjyrave, për dallim nga moshataret e mia, të cilat ende loznin me lojëra të ndryshme. Në shkollën fillore këtë e vërejti mësuesja ime, ndërsa në aspektin profesional më kanë ndihmuar arsimtarët e artit: B. Shkreta dhe T. Thaçi, të cilët më kanë këshilluar për përdorimin dhe kombinimin ngjyrave.

Cilat motive i pikturoni më me dëshirë?
Elma Kalisi: Motivet më me dëshirë që i pikturoj janë: natyra e gjallë, natyra e qetë, portretet dhe punimet abstrakte. Kryesisht pikturoj më me dëshirë natyrën e gjallë dhe më pëlqen llojllojshmëria e ngjyrave.

Në pikturat tuaja vërehet llojllojshmëri e ngjyrave. Pse?
Elma Kalisi: Ngjyrat më pëlqejnë shumë sepse i japin kuptim pikturës, i japin kuptim jetës së pikturës. Nëpërmjet ngjyrave e jap mesazhin e qartë, atë që me fjalë nuk mund ta shpreh.

Cilin piktor e preferoni më shumë, ose cili ka pasur ndikim më shumë tek ju?
Elma Kalisi: Më pëlqejnë punimet e shumë piktorëve, i përcjelli vazhdimisht krijimet e tyre, por respekt të veçantë kam për Ibrahim Kodrën. Pastaj më pëlqejnë punimet e Leonardo da Vinçit, Mikelanxhelos etj., ndërsa nga komuna ime do ta veçoj piktorin Aman Kuka, i cili jeton në mërgim dhe ka krijuar shumë piktura të mira.

Pas kryerjes së shkollës së mesme, cila është dëshira juaj? Do të studioni?
Elma Kalisi: Dëshira ime e zjarrtë është piktura. Pas kryerjes së shkollës së mesme dëshiroj t’i vazhdoj studimet në lëmin e pikturës. Shpresoj që kjo dëshirë të më realizohet, nëse nuk do të kem pengesa financiare, sepse si profesion i veçantë është shumë i kushtueshëm.

Cilat piktura do t’i veçoni dhe pse?
Elma Kalisi: Të gjitha punimet i punoj me shpirt. Të gjitha pikturat i dua me zemër. Unë në garat e përgjithshme të mbajtura në Komunën e Skenderajt, “Talentët e rinj në pikturë” (nxënësit e shkollave fillore) në nivel të Republikës së Kosovës për vitet 2012/2013 kam marr vendin e parë në nivel vendi. Vendin e parë e kam marr edhe në nivel të Komunës, Hanit të Elezit. Vendin e parë e kam zënë edhe në nivel të shkollave fillore në komunën time, ku jam shpërblyer me mirënjohje dhe diploma.

Keni marrë pjesë në ndonjë ekspozitë individuale apo kolektive, dhe cilat janë përshtypjet e përgjithshme?
Elma Kalisi: Është hera e parë që për nder të Ditës së Çlirimit të Komunës sonë kam hapur një ekspozitë personale publike, me mbështetje të kryetarit të Komunës, z. Rufki Suma dhe Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Komuna më ka mbështetur me mjete financiare për kornizimin e pikturave, si dhe për hapjen e ekspozitës. Për mua, si një nxënëse e re, për të pasur një ekspozitë individuale apo kolektive është një fat i mirë dhe do të thotë shumë për të ardhmen e piktorit. Unë pas kësaj ekspozite e ndiej veten shumë më të sigurt në hapat që do të ndërmarrë në të ardhmen, sepse tani kam një përkrahje më të madhe jo vetëm në nivel komune, por në nivel vendi, ku kam krijuar miq nga piktorët e rinj etj. Në Komunën tonë nuk ekziston asnjë klub i piktorëve që do të mund ta zhvillojmë aktivitetin tonë. Kjo është domosdoshmëri e kohës, sepse në nivel komune ka shumë talentë të cilët presin ta zhvillojnë atë, para se të shuhen.

Cili është mesazhi juaj për piktorët e rinj?
Elma Kalisi: Për të rinjtë mesazhi im është: merruni me art, sepse arti është një lëmë i veçantë shpirtëror, me të i shprehni ato ndjenja që s’mund t’i thoni me fjalë.

Keni për ta falënderuar dikë?
Elma Kalisi: Po, kam dëshirë ta falënderoj kryetarin e komunës, z. Suma, Drejtorinë e Arsimit, familjen time dhe të gjithë ata që më mbështetën, personalisht juve që keni ndarë kohë për këtë intervistë, sepse edhe kjo më motivon për punë të mëtutjeshme.

Më Shumë

Muzeu ‘Ismail Kadare’ në Gjirokastër, rreth 8 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit

Muzeu i shkrimtarit të letrave shqipe Ismail Kadare ka qenë një prej aseteve më të frekuentuara turistike që prej fillimit të vitit 2024 e...

Selmanaj për 35 vjetorin e LDK-së: Rrëfim i paharruar për liri, pavarësi dhe demokraci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj,ka përkujtuar 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike të rëndësishme për popullin e...

Lajmet e Fundit