14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Enver Hoxha si drogë

opinion 23Shkruan: Pëllumb Kulla

Në një vend të dashur, njerëz të shtrenjtë, mbetur vitesh të pakënaqur ndjekin dhe ndjekin pa pushim fjalime, protesta, kërcënime, ironira, ultimatume, premtime që përplasen, përthyhen bëhen pluhur e sërish ngurtësohen humbin.

E njerëzit, rrijnë e i presin ato, drithërojnë, ofshajnë përloten. Presin e lumturohen kur feks drita e drejtësisë, ndreqja e prapshtive, përmbysja e të liqve.

Por është thjesht një iluzion.

Është pikërisht kjo droga e vërtetë që konsumojnë shqiptarët, drogë që nuk kushton asnjë qindarkë, që i përallis dhe i lumtëron njerëzit për disa orë. Pastaj zgjimi është me dhimbje koke, por ata janë gati të vijnë prapë në seancat e reja të ushqimit me drogë, në mitingje, në parlament, dhe në bisedat e studjove. I ndjekin ndeshjet me iluzionin se e mira me të keqen janë ndarë dhe po ndeshen, teksa një e keqe e frikëshme nuk po ndahet hiç.

E kështu 23 vjet….

Një mal cinizmi i ka rënë mbi supe Shqipërisë. Në një përmendore vihet plus edhe një portret i diktatorit, dhe një ministër përkulet para tij. Shfajësohet se i shpëtoi dhe nuk e pa. Por është pjesa e skenarit, është vetëm paradhënia, sepse ca dit më vonë, në Përmet, në sytë e të parit të përfaqësuesve të popullit tunden dhe lëkunden me shumicë portrete të tjerë të shumtë.

Një cinizëm i egër dhe i paturpshëm.

Thuhet se përkujtohet Lufta Nac. Çlirimtare dhe ngrihet lart portreti i njeriut, që më shumë se kushdo duhej të fshihej nga sytë e shqiptarëve dhe të botës së qytetëruar. Është portreti, që në të vërtetë më pak se kushdo duhej të shfaqej për të kujtuar atë luftë të ndershme çlirimtare, pasi ai njeri e tradhëtoi atë. Ai pushkatoi pabesisht të gjithë komandantët e komisarët çlirimtarë, pushkatoi e shfarosi të gjithë teoricienët e ndritur të së majtës, pasi kish pushkatuar më parë aspirantët e demokracisë, nacionalistë të ndershëm, klerikë të ndritur, njerëz që pas nëntorit ’44 qëndruan në atdhe, ngaqë i besuan demagogjisë së tij kriminale. Ata pak kolaboracionistë që kishin mëkate dhe duheshin ndëshkuar, patën marrë me kohë arratinë.

Ai instaloi në këtë vend sistemin e pabesisë nacionale, duke filluar me Mukjen, pastaj me masakrën masive të Ulqinit, me deputetët e parë të pasçlirimit, shfarosjen e shokëve të tij të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike.

Enver Hoxha, që për turp mban dekoratat e Heroit të Popullit, për një luftë ku atë e udhëhoqën të dërguarit e Titos, u shqua dhe i hoqi udhën një lufte tjetër të famshme: Luftës së Klasave. Po, po, të dashur përmetarë! Në atë luftë ai ishte vërtet Komandant dhe aty nuk e udhëhoqi njeri. Aty ishte strateg, ishte Zot i paarritshëm! Në atë luftë famëkeqe u vranë dhjetra herë më shumë shqiptarë se në atë të Çlirimit.

Lufta e Klasave ishte mekanizmi enverist i menaxhimit të varfërisë, i ndarjes së atyre pak të mirave materiale, i banesave, i të drejtave të studimit, vendeve të fismë të punës, e deri të paisjeve elektroshtëpiake, ku qe ligjëruar tashmë që duhet t’i merrnin “tanët”

Këtij krimineli shumëplanësh i duhen faturuar dhe mëkatet e demokracisë të shpifur që u ofrohet sot shqiptarëve buzë Adriatikut, pasi ai u bë edukatori i njerëzve që deri sot e kësaj dite udhëhoqën këtë proces të dështuar dhe e lanë Shqipërinë në bisht të Europës. Nga shkolla e tij e ligë, ky vend trashëgoi kuadrot e tij, që pabesinë e patën kryefjalë, që demagogjinë e bënë bazën e gjuhës shqipe dhe të gjuhëve të huaja, ata që formuan partitë e ndryshme të punësimeve, që të vetmet të mira materiale kanë ata 100 mijë vende pune, të cilët njëherë në 8 vjet ua heqin “atyre” dhe ua japin “tanëve”. Nuk shihet kurrëfarë zgjerimi i fronteve të punës, në bujqësi, industri, turizëm dhe artizanat. Zgjerohen vetëm organikat administrative, ku janë parë çudira: ministri me pesë zëvendësministra! Trafikët e drogës, armëve dhe cigareve të zhvilluara me sukses nga Enveri, i trashëguan dhe i zgjeruan kuadrot e tij besnike me pelerina në ngjyra të tjera.

Sot i kërkohet PD-së të bëjë analizën e humbjes së 23 qershorit – (të cilën analizë në PD nuk janë aq budallenj ta bëjnë tani, se vetë analiza do të ish një humbje më e madhe ngaqë ato pak energji i duhen për parlament dhe jo përleshjes brenda klanit pëdëist). Por nuk turpërohen që askush nuk ka bërë analizën e plotë të 20 shkurtit dhe shfrimin mbi statujën e Gjëmëmadhit! Asnjë parti nuk ka bërë analizën e kolerës së zgjatur enveriste, asnjë akademi nuk ka vënë në program atë biçim analize! Historianët e saj burrecë nuk i hyjnë atij aksioni dhe s’bëjnë gjë tjetër, veç ofrojnë llafollogjikisht një “dikaturë të egër,” por …pa diktator!

Vini re: në çdo stacion të ndryshimit të udhëheqjes së punëve ka premtime: në 1992 u premtua me dekret presidencial kontrolli i pasurisë së byroistëve dhe ndëshkimi i tyre; në 1997 u premtuan kthimet e parave të piramidave dhe ndëshkimi i përgjegjësit famëkeq të asaj katastrofe ekonomike dhe shtetërore; në 2005 u premtua ndëshkimi i “kryemafiozit të mesdheut” dhe i ministrave të tij të korruptuar; në 2013 u depozituan kallëzimet për ca ministra të tjerë hajdutë dhe abuzues…. Dhe njerëzit presin. Në të gjitha këto stacione, votuesit kanë drithëruar në pritje të ethshme të drejtësisë që po vonon tmerrësisht të vijë. Dhe çdo gjë mund të bëhet. Mjaft të duan Zotat aktualë!…

Megjithatë ethet e pritjes kanë bukurinë e tyre. Kjo është droga e vërtetë që konsumojnë familjet e varfëra shqiptare. Palët janë të ndryshme por njësoj i lenë në pritje pronarët shekullorë. Mes pronarëve të rinj dhe të vjetër, të dy palët dashurojnë të rinjtë, por ama, sejcila të rinjtë e vet dhe ligji 7501 rezulton i vetmi ligj i shënjtë dhe i vetmi i pashkelur deri tani. Aleancat qeverisëse dhe ato opozitare janë egërsisht të acaruara me njëra-tjetrën dhe duket sikur ky konflikt sjell zhvillim, por jo. Edhe duke mos qenë konflikt sa për sy e faqe, gjithsesi ky nuk vjen nga ndryshimi i ideve, por i interesave, ndeshje e frikshme për atë shpërndarje të vendeve të punës dhe të favoreve për “tanët.” Dhe askush nuk dyshon: është përplasje e egër dhe e vërtetë kjo!

Jemi në një qeverisje të majtë, e cila, siç përbëhet sot, është më pak fajtore për infrastukturën e narkotrafikut. Por ama asaj duhet t’i shquajmë drogën e saj specifike që tregëton sot. Të majtëve të vet, veteranëve të luftës dhe ish heronjve të kantiereve të socializmit, ajo nuk u jep dot punësimin që ata duan për bijtë, nipërit dhe mbesat. Ngaqë kjo e majtë në qeverisje ruan një cipë, atë që nuk e bën “e djathta” e Berishës në prepotencën e ushqimit të “tanëve” me favore. Por e majta në pushtet ka gati për njerëzit e vet drogën e saj të veçantë, ata portretet e Enverit në sheshet e Përmetit. Mendojnë se kjo lloj droge simpatizantëve u mjafton dhe i kënaq. Dhe jo se Meta përgjërohet për Enver Hoxhën! Absolutisht jo. Është një e majtë allasoj, e udhëhequr nga milionerë, me masa njerëzish që vështrojnë të dëshpëruar përtej kufijve. Janë të varfër që edhe një biletë trageti, apo avioni nuk ua mban kurrizi ta blejnë.

Ndaj mbyllen nëpër shtëpira dhe ndjekin punimet e parlamentit, ku Berisha vazhdimisht merr fjalën dhe Meta vazhdimisht e le të flasë nga shtatëmbëdhjetë herë, pa limit.

Se kështu shqiptarët drogohen akoma më mirë.

Më Shumë

Kleofina Pnishi – kush është bukuroshja nga Kosova që ia rrëmbeu zemrën dhe u fejua me yllin e Interit?

Mbrojtësi i kombëtares franceze, Benjamin Pavard, thuhet se i ka dhënë fund beqarisë. Ylli i futbollit ka njoftuar së fundmi se është fejuar me bukuroshen...

Policia shqiptoi 2527 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2527 tiketa për pjesëmarrësit e trafikut për shkak të shkeljeve të...

Lajmet e Fundit