Bjeshkët e Sharrit ishin motivi për vizatim i nxënësve fitues të nivelit republikan që po mbajnë kampet kreative një javore.
Grupi i dytë i nxënësve fitues të nivelit republikan, për klasat VI, VII, VIII dhe IX patën orën e artit në natyrë ku u ndanë në katër grupe për të pikturuar të gjithë grupet pamjen e njëjtë.
Pjesën tjetër të ditës ata u ngjitën me teleferik në pjesë më të larta malore pranë bjeshkëve të Sharrit, nga ku shijuan pamjet e bukura të natyrës. Të veçantat e secilës ditë që nxënësit kaluan gjatë kampit një javor do të mbësin ndër kujtimet më të bukura të tyre.
Nën organizimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, po mbahen kampet kreative për nxënësit fitues të nivelit republikan të garës. Në Garën Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Garën Nacionale të Diturisë, për herë të parë në Kosovë, rreth 316,000 kishin mundësinë të përfshihen në garë.
Nga këto gara, në nivelin shkollor, komunal dhe republikan janë shpallur 44,723 fitues të cilët tashmë kanë filluar t’i marrin shpërblimet e tyre. Janë mbi 200 nxënës fitues të garave që do të jenë pjesë e kampit kreativ nga 29 komuna të Kosovës vetëm për klasat VI, VII, VIII dhe IX. Në kuadër të kampit kreativ, në grupin e dytë rreth 100 nxënës nga komuna e Gjakovës, Istogut, Pejës, Dragashit, Malishevës, Prizrenit, Rahovecit, Suharekës, Mamushës, Drenasit, Fushë Kosovës, Obiliqit, Prishtinës dhe Podujevës po qëndrojnë në Brod të Dragashit.?