21.4 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025

‘Freedom House’: Kosova, pjesërisht e lirë

FreedomHouse6-18Në raportin më të ri të organizatës Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, për liritë në botë, theksohet se vitit 2013 është përshkuar me represion të intensifikuar në Euro-Azi dhe Lindje të Mesme dhe se gjendja e lirisë ka shënuar rënie. Kjo është rënia me radhë në tetë vitet e fundit.

Në raport theksohet se veçanërisht të dukshme ishin zhvillimet në Egjipt, që ka shënuar rënie në institucionet demokratike pas grusht-shtetit ushtarak.

Pengesa serioze në të drejtat demokratike ka pasur edhe në vendet e mëdha, me ndikim politik, përfshirë Rusinë, Ukrainën, Azerbajxhanin, Turqinë, Venezuelën dhe Indonezinë.

Në raportin vjetor “Liria në botë 2014” të organizatës Freedom House, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, me ç’rast në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të të lirive civile me 4.

Në krahasim me raportin e vitit të kaluar Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë. Nota 1 paraqet shkallën më të mirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët.

Në raportin më të ri, Shqipëria klasifikohet si vend po ashtu “pjesërisht i lirë”, me nota 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile. Shqipëria, po ashtu, ka mbetur në vendin identik sikur në raportin e para një viti.

Prej vendeve të tjera në Ballkan, klasifikim “pjesërisht i lirë” i është dhënë Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë, me nota të ngjashme si Shqipëria (3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile).

Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Sllovenia e ka notën më të mirë 1 në të drejtat politike dhe në liritë civile.

Në raportin global për Liritë në Botë 2014, theksohet se qeveria e presidentit Vladimir Putin, e ka vazhduar trendin antidemokratik si brenda në Rusi, ashtu edhe jashtë saj.

Në zhvillimet e brendshme, Rusia, sipas raportit, ka ndërmarrë aksione kundër minoritetit të ndjeshëm të LGBT-së (lesbike, homoseksuale, biseksuale dhe transeksuale) dhe kundër jorusëve etnikë, derisa qeveria e ka konsoliduar kontrollin e saj ndaj mediave.

Jashtë Rusisë, qeveria e Putinit e ka udhëhequr “një fushatë të frikësimit” kundër fqinjëve të saj, Ukrainës dhe Armenisë, për shkak se synonin lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian.

Nënpresidenti i organizatës Freedom House, Arch Puddington, i tha Radios Evropa e Lirë se lëvizjet e këtilla nuk mund ta fshehin faktin se Rusia është njëri nga vendet me regjimin më të lartë autoritar në botë.

“Rusia është fuqi udhëheqëse në fqinjësinë e saj, dhe ishte shtet në rënie prej se Putin u bë President në vitin 2000. Kjo rënie është përshpejtuar kur ai u kthye në presidencë dhe e filloi goditjen sistematike kundër shoqërisë civile, kundër opozitës politike dhe kundër asaj që ka mbetur nga mediat e pavarura.

Të gjitha këto zhvillime ne i shohim si shumë negative dhe ne e shohim Rusinë si realisht njërën nga fuqitë më të rëndësishme autoritare në botë”, tha Puddington.

Në raport theksohet përkeqësimi i vazhdueshëm i demokracisë në Ukrainë nën qeverinë e presidentit, Viktor Yanukovich.

Puddington ka shprehur shqetësim për dhunën ndërmjet policisë dhe protestuesve anti-qeveri në Ukrainë, dhe thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin hapa më të fuqishëm për ta dënuar atë.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për Ukrainën. Prej se Yanukovich erdhi në presidencë, është shënuar rënie e konsiderueshme dhe rënie përsëri në vitin e kaluar. Ne jemi të shqetësuar për zhvillimet e tashme atje. Ne, po ashtu, jemi të shqetësuar që qeveria amerikane nuk ka qenë sa duhet agresive në protestën kundër politikave të qeverisë së Ukrainës”, tha Arch Puddington.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, theksohet se ka pasur kthim prapa në zhvillimet demokratike në Egjipt dhe “pengesa serioze” në të drejtat politike në Turqi. /REL/

Më Shumë

Deputetët dështojnë edhe sot, as 31 tentime s’u mjaftojnë për konstituim të Parlamentit

Deputetët e betuar edhe sot dështuan ta konstituojnë përbërjen e re të Parlamentit. Ata u mblodhën edhe sot shkurt, por nuk gjetën zgjidhje, transmeton Klankosova.tv Seanca...

Vetëvendosje mirëpret hetimet për shkeljet urbanistike në Prizren: Prokuroria po vërteton shqetësimet tona

Lëvizja Vetëvendosje  në Prizren, ka reaguar pas konfirmimit të nisjes së hetimeve për shkelje ligjore dhe procedurale në fushën e ndërtimit në Komunën e...

Lajmet e Fundit