3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Gashi: Në UP veç me dije

IbrahimGashi-rektori UPRektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, ka bërë me dije se në fakultetin Juridik dhe në Ekonomik janë edhe disa vende të lira për pranimin e studentëve të rinj.

Ka thënë se procesi i pranimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2013-’14 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka qenë shumë transparent. Është shprehur se që nga shpallja e konkursit e deri te përmbyllja e procesit të ankimit çdo gjë ka shkuar sipas dinamikës. Ka treguar se personalisht ka vizituar çdo njësi akademike, ndërsa në disa prej tyre ka përcjellë procesin e kontrollimit të testeve. Sipas tij, publikimi i rezultateve në uebfaqe është një dëshmi e transparencës. Ka thënë se përvojat e këqija të viteve të kaluara e kanë shtyrë të ndërmarrë veprime të tilla. Arsye për këtë, sipas tij, kanë qenë edhe kritikat nga partnerët ndërkombëtarë dhe Agjencia Kundër Korrupsionit. I ka inkurajuar organet e hetuesisë të merren me çdo rast të mitmarrjes për regjistrim në universitet. Po ashtu, i ka siguruar maturantët, që nuk janë pranuar në afatin e parë, se do të ketë vende të mjaftueshme për të gjithë, nëse jo të rregullt, me korrespodencë. Gjithashtu, ka treguar se Rektorati është duke e bërë në analizë ta rrisë edhe pak numrin e studentëve nëpër fakultete, në të cilat ka pasur më shumë interesim dhe ekzistojnë kushte. Ka thënë se po mundohet ta ndryshojë perceptimin e opinionit se në universitet pranohen vetëm ata që kanë para dhe lidhje. Për këtë, dhe tërë rrjedhën e procesit të pranimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, flet rektori Ibrahim Gashi.
“Epoka e re”: Z. Gashi, tashmë ka përfunduar procesi i pranimit të studentëve të rinj në afatin e parë. Si e vlerësoni këtë proces?
Gashi: Konsideroj se në bazë të përgatitjeve të mira që ka bërë UP-ja, përkatësisht njësitë akademike, dekanët me stafet e tyre, i tërë procesi ka rrjedhur mirë. Sot është dita e fundit kur do të shpallen rezultatet e ankesave. Me këtë do të mbyllet procesi. Mund të them me siguri të plotë se procesi ka shkuar jashtëzakonisht mirë. Nuk kemi pasur asnjë vërejtje në organizim që nga shpallja e konkursit. Nuk kemi pasur asnjë gabim. Është respektuar dinamika. Pas mbylljes së konkursit kemi pasur dy ditë kohë për verifikim të dokumentacionit të dorëzuar. Si tërësi procesi ka shkuar mirë. E veçanta e këtij procesi është se për herë të parë në UP, sapo është bërë vlerësimi dhe përllogaritja, rezultatet janë nxjerrë në uebfaqe dhe më nuk ka pasur asnjë ndryshim. Natyrisht i tërë procesi ka qenë shumë transparent. Tash jemi duke pritur vendimet për ndryshime shumë të vogla që kanë ndodhur pas procesit të ankimimit.

“Epoka e re”: Sa studentë janë pranuar në këtë afat?
Gashi: Janë pranuar rreth 7 mijë studentë, nga 11 mijë e 932 sa kanë qenë vende të shpallura, që i bie se janë plotësuar mbi 60 për qind të vendeve të lira.

“Epoka e re”: Sa ankesa janë bërë në nivel të universitetit? Dhe në cilat njësi akademike keni pasur më shumë ankesa?
Gashi: Numri më i madh i ankesave ka qenë në Fakultetin e Mjekësisë, në Edukim, në Ndërtimtari, në Arkitekturë dhe në Filozofik. Në fakultetet e tjera numri i ankesave ka qenë më i vogël. Totali i ankesave mund të jetë rreth 1 mijë e 400. Komisionet për shqyrtim të ankesave dhe shikim të testit kanë mundësuar në mënyrë transparente që secili ta shohë testin. Por, jo të gjithë që kanë bërë ankesa kanë ardhur në proces të rishikimit të testeve. Shumë pak ankesa të bazuara kanë ardhur në Rektorat. Të drejtën e vendimmarrjes e kanë pasur rektori, sekretari dhe dekani i njësisë akademike.

“Epoka e re”: Kemi parë një interesim të madh tuajin personalisht që ta inspektoni kontrollimin e testeve, sidomos në disa fakultete, si në Mjekësi, në Edukim dhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës… pse e keni bërë këtë inspektim edhe në orët e vona të natës?
Gashi: Unë i kam vizituar të gjitha njësitë akademike. Nuk po e fsheh se shqetësimi im ka qenë te Fakulteti i Mjekësisë dhe i Edukimit, për disa arsyeje: ka qenë i madh numri i aplikantëve, kemi pasur përvoja jo të mira nga e kaluara, vërejtje të mëdha që janë bërë nga partnerët ndërkombëtarë dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, rritje enorme të numrit të studentëve në Mjekësi nga numri i shpallur. Po ashtu kam qenë i fokusuar në këto fakultete, sepse ishte mënyra e fundit ta ndryshojmë perceptimin e opinionit publik në Kosovë, të nxënësve që e kryejnë maturën, se në universitet mund të futesh vetëm nëse ke lidhje apo nëpërmjet një ankese të pabazuar. Natyrisht, unë jam ndal shumë te Mjekësia, sepse përvojat e kaluara nuk kanë qenë të mira. Kjo nuk na ka bërë nder. Nuk kam dashur që kjo të përsëritet edhe në mandatin tim. Mbaj përgjegjësi edhe për Mjekësinë që procesi ka shkuar shumë mirë. Kam pasur tërë kohën një ekip timin, i cili e ka vëzhguar procesin derisa janë shpallur rezultatet. Pastaj të gjitha testet janë mbyllur në sefin e metaltë me blomba në praninë e Policisë së Kosovës. Kur ka filluar procesi i shqyrtimit të ankesave prapë me një komision nga Rektorati dhe në praninë e policisë janë gjetur testet e tyre, është bërë shikimi, janë dhënë përgjigjet dhe prapë testet janë mbyllur në sef dhe ende qëndrojnë aty. E kemi bërë këtë sepse kemi dashur që procesi të jetë i siguruar nga çdo lloj ndërhyrjeje. Ne i kemi nxjerrë rezultatet në uebfaqe. Në këtë mënyrë ne e kemi parandaluar çdo lloj ndërhyrje dhe manipulim të rezultateve. Sistemi i teknologjisë tash i ka vetëm shifrat e kandidatëve që janë pranuar. Nuk ka shans që dikush që nuk është në listë ta bëjë aplikimin “online” për regjistrimin e vitit akademik.

“Epoka e re”: Megjithatë, ka informacione se qindra raste janë duke u hetuar për marrje të mitos gjatë regjistrimit në fakultete.
Gashi: Nuk kam informacione zyrtare për këtë, por kam disa informacione. Natyrisht hetuesia nuk i bën publike dhe nuk i ndan as me mua, gjë që është krejt normale. Agjencia Kundër Korrupsionit i ka kërkuar listat, e ky ka qenë një alarm për ne, jo për mua personalisht, por për procesin. Unë jam shumë i interesuar që nëse ka bazë për proceset e kaluara të shkohet deri në fund. Kjo na ndihmon shumë ta heqim imazhin e keq, që nëse nuk ke para apo lidhje nuk mund të regjistrohesh në universitet. Kjo na ndihmon dhe unë jam në mbështetje qoftë edhe për këtë vit. Nëse ka diçka le të publikohet. Për vitet e tjera është mirë të bëhen hetime, sepse kjo i ndihmon rikthimit të besimit në këtë institucion.

“Epoka e re”: A kanë mbetur vende të lira në njësitë ku ka pasur më shumë interesim?
Gashi: Fatkeqësisht, në Mjekësi nuk ka vende të lira, përveç në Mami dhe në Infermieri, në të cilat drejtime janë disa vende të limituara. Nuk ka vende të lira në Arkitekturë dhe në Edukim. Në fakultetet e tjera ka. Ta zëmë në Juridik dhe Ekonomik janë edhe disa vende. Vende të lira me korrespodencë, po ashtu ka në Ekonomik dhe Juridik. Në Filozofik ka vende të lira, përveç në Shkenca Politike dhe Psikologji. Ka vende të lira në FSHMN, në FIEK, përveç në drejtimin e Kompjuterikes. Por, pas një analize që jemi duke bërë, jemi të interesuar ta rrisim numrin e studentëve në fakultetet në të cilat ka pasur interesim dhe ku ka kushte për organizimin e mësimit, ku mësimi është kryesisht teorik. Ne nuk jemi të interesuar t’i lëmë jashtë kandidatët që nuk janë pranuar. Do të ketë rritje, në bazë të një fakti: rreth 2 mijë e 500 kandidatë na shkojnë në universitete të reja. Ne jemi të interesuar që përafërsisht për kaq ta kemi rritjen e numrit nëpër drejtimet ku ka vende të lira, ku ka interesim dhe kushte. Deri tash janë paraqitur Bujqësia dhe Ekonomiku që mund të rrisin një numër të konsideruar, po ashtu edhe Juridiku dhe Filozofiku, FSHMN-ja si dhe Filologjiku në disa drejtime. Ne jemi duke bërë një analizë dhe në fillim të shtatorit, para se të hapet konkursi, do t’ia dërgojmë MASHT-it për miratim. Ministri Buja është shprehur i gatshëm që nëse ia arsyetojmë mirë kërkesën ta lejojë rritjen e numrit të studentëve.

Më Shumë

22 mijë e 418 foshnja erdhën në jetë në Kosovë nga janari deri në tetor

Nga janari e deri në tetor të këtij viti, në Kosovë kanë lindur 22 mijë e 418 fëmijë. Kështu thonë të dhënat e publikuara të...

Spektakli nuk ka mbaruar, zbulohet kundërshtari i ardhshëm i Tyson Furyt pas humbjes ndaj Usyk

Promotori Eddie Hearn ka zbuluar se kush mund të jetë kundërshtari i ardhshëm i Tyson Furyt pas humbjes së tij ndaj Oleksandr Usyk dhe...

Lajmet e Fundit