Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se rritja e çmimit të derivateve të naftës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e inflacionit dhe të çmimeve të produkteve të tjera në vend.
Sipas tij, në një kohë kur vendi po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike, shumë çështje me rëndësi ekonomike po anashkalohen, ndonëse zhvillimet globale po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonominë e Kosovës.
Gërxhaliu theksoi se luftërat dhe tensionet ndërkombëtare kanë kosto të mëdha ekonomike, duke shtuar se edhe vendet më të zhvilluara të Evropës po përballen me vështirësi ekonomike.
“Agjenda politike në Kosovë është shumë e ngarkuar nga kriza në krizë dhe po anashkalohen shumë procese të cilat janë të rëndësishme për ardhmërinë e Kosovës. Lufta e ka një kosto të madhe saqë edhe vendet më të zhvilluara evropiane janë në krizë të madhe”, deklaroi ai.
Ai u shpreh i habitur që në Kosovë nuk po diskutohet sa duhet për efektet e krizës ekonomike globale, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
“Çuditërisht në Kosovë nuk diskutohet për këtë krizë, ndërkohë që po përballemi me një ngritje të pakontrolluar të çmimeve. Rritja e çmimit të naftës është një ngritje zinxhirore që prek shumë produkte dhe sektorë, duke filluar nga prodhimi, infrastruktura dhe ndërtimtaria, e deri te inflacioni që aktualisht është rreth 6 për qind”, theksoi Gërxhaliu.
Ai shtoi se mungesa e rezervave shtetërore dhe e institucioneve stabile e bën situatën edhe më të vështirë për vendin.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
“Kur s’kemi rezerva shtetërore dhe nuk kemi institucione stabile, kjo e bën krizën edhe më të madhe. Kosova nuk mund të ndikojë në ndaljen e luftës, por mund të veprojë brenda kufijve të saj për të pasur më shumë kontroll, monitorim dhe përgatitje të rezervave për situata të mundshme që mund të jenë të rrezikshme”, deklaroi ai./Front Online
Marketing
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
