Ghislaine Maxwell është shpallur fajtore për rekrutim dhe trafikim të vajzave të reja që të abuzoheshin seksualisht nga financieri amerikan, tashmë i ndjerë, Jeffrey Epstein.
60-vjeçarja u shpall fajtore për pesë nga gjashtë akuzat me të cilat u përball.
Përfshirë këtu akuzën më të rëndë, atë të trafikimit seksual të një të mituri.
Vendimi u mor pas pesë ditësh të plota diskutimi nga një juri prej 12 personash.
Kjo do të thotë që britanikja mund të kalojë pjesën tjetër të jetës së saj pas hekurave.
Vendimi pasoi një gjyq njëmujor ku u shfaqën dëshmi nga katër gra të ndryshme, të cilat treguan se si ishin abuzuar nga Epstein midis viteve 1994 dhe 2004.
Maxwell nuk tregoi asnjë shenjë të dukshme emocioni ndërsa vendimi po lexohej.
Menjëherë pas kësaj, ekipi i saj ligjor tha se ata tashmë po punonin për një apel.
“Ne besojmë fuqishëm në pafajësinë e Ghislaine”, u tha gazetarëve avokatja e saj, Bobbi Sternheim.

Akuzat e vërtetuara
Maxwell u shpall fajtore për, trafikim seksual i të miturve (i cili dënohet maksimalisht me 40 vjet) dhe transportimi i të miturve me qëllim të kryerjes së aktivitetit seksual kriminal (i cili dënohet maksimalisht me 10 vjet).
Ajo ishte fajtore edhe për akuzat si komplot për të transportuar të mitur me qëllim për t’u përfshirë në veprimtari seksuale kriminale (e cila parashikon një dënim maksimal prej pesë vjetësh).
Gjithashtu Maxwell u shpall fajtore për konspiracion për të joshur të miturit të udhëtojnë për t’u përfshirë në akte seksuale të paligjshme (që mbart një dënim maksimal prej pesë vjetësh) si dhe komplot për të kryer trafikim seksual të të miturve (i cili gjithashtu dënohet maksimalisht prej pesë vjetësh).
Prokurori, Damian Williams, përshëndeti vendimin dhe përgëzoi “trimërinë” e viktimave që dëshmuan.
Maxwell, një bashkëpunëtore për një kohë të gjatë e të dënuarit për shkelje seksuale të fëmijëve Epstein, ka qenë në burg që nga korriku 2020.
Epstein u vetëvra në vitin 2019 ndërsa priste gjykimin për akuzat për trafikim seksual.

Cila ishte lidhja me Epstein?
Maxwell është vajza më e vogël e manjatit të gazetave Robert Maxwell, i cili vdiq në 1991.
Menjëherë pas vdekjes së babait të saj, Maxwell u largua nga Britania e Madhe për t’u vendosur në Amerikë ku punoi në pasuri të paluajtshme dhe përfundimisht u takua me Epstein.
Raportohet se marrëdhënia romantike e çiftit zgjati vetëm disa vjet, por ajo vazhdoi të punonte me të.
Thuhet se e kishte njohur Epstein-in me figura të pasura dhe të fuqishme, duke përfshirë Bill Clinton dhe Princin AndreW.
Gjatë gjyqit, avokatët e Maxwell argumentuan vazhdimisht se ajo ishte një kok turku për krimet e Epstein.
Ndërkohë, prokurorët kërkuan të lidhnin dyshen si “partnerë në krim” që drejtonin një “skemë piramidale abuzimi”.
Prokurorët cituan të dhënat bankare që tregonin se ajo mori 30 milionë dollarë nga Epstein ndërmjet viteve 1999 dhe 2007 si dëshmi se ajo ishte e motivuar nga paratë.
Të gjitha gratë që dëshmuan thanë se ishin abuzuar seksualisht nga Epstein para se të mbushnin 18 vjeç dhe se Maxwell i kishte nxitur, lehtësuar dhe madje marrë pjesë në takimet seksuale.
Një datë për dënimin e saj nuk është caktuar ende.
/Albanianpost.com